Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e hapjes së “Fiera del Levante”
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së panairit “Fiera del Levante” në Pallatin e Kongreseve. Kryeministri Berisha, duke falenderuar organizatorët e këtij panairi, i ftoi investitorët italianë që të investojnë në Shqipëri, pasi qeveria po punon për një klimë sa më të favorshme për biznesin.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh:
I dashur President Vendola, ministri Urso, President i “Fiera del Levante”, Ambasadori Saba d’Elia, ministri Prifti, të nderuar pjesmarrës.
Në fillim do të doja të falenderoja presidentin Vendola, ministrin Urso, Ambasadën e Italisë, Ambasadorin D’Elia, presidentin e “Fiera del Levante” për organizimin në Tiranë, të kësaj ngjarje të madhe për jetën ekonomike mes dy vendeve, dhe mbi të gjitha mes Shqipërisë dhe Pulias, që kanë lidhje dhe interesa të përbashkëta, si dhe potenciale të jashtëzakonshme për një bashkëpunim shumë të ngushtë, në të gjitha fushat ekonomike. Unë do të doja të siguroja investitorët italianë, se Shqipëria është duke punuar çdo ditë për t’u bërë gjithnjë e më e dashur dhe më e hapur ndaj investitorëve të huaj, ndaj investitorëve puljezë. Ne jemi duke punuar fort për të shkatërruar çdo pengesë burokratike, për të zgjidhur çështjen e pronës private, të sigurojmë investimet, por jemi gjithashtu edhe vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë, jemi vendi me një sportel të vetëm për regjistrimin e bizneseve, një vend ku taksat paguhen “online”, një vend ku tenderimet zhvillohen në mënyrë elektronike, një vend me regjistër elektronik të biznesve. Në dy muajt e fundit, në vendin tim funksionon edhe një sportel i vetëm për licensat dhe lejet, pasi eleminuam dy të tretat e tyre. Jemi duke adpotuar në çdo procedurë parimin “heshtja është miratim”. Kjo është për të frenuar burokracinë. Shqipëria është një vend, por një vend me potenciale të mëdha dhe këto potenciale në fushën energjetike kanë tërhequr vëmendjen e firmave italiane që janë duke punuar në sektorin hidrik, eolik, në biomasë dhe ne jemi të hapur për të gjitha burimet e tjera energjetike.
Në këtë fushë, energjetikën pra, Shqipëria do të ketë një fuqi hidrike të jashtëzakonshme për t’u shfrytëzuar. Që do të thotë se në këtë vend do të ndërtohen më shumë se 440 hidrocentrale, nga më të mëdhenjtë deri te më të vegjlit.
Mjaft firma kanë paraqitur interes për Skavicën; “Marseglia” ka filluar punën për një termocentral me biomasë dhe një park eolik; “Moncada”, do të ketë platformë eolike, besoj se ndër më të mëdhatë në Europë, që do të ndërtohet në gadishullin e Karaburunit. Ne jemi duke ndërtuar 6 parqe industriale, ku industrialistët italianë do të mund të investojnë.
Unë do të citoj këtu Frensis Mejer, një ministër i qeverisë së Zhak Shirakut, që ka vizituar Shqipërinë disa muaj më parë. Ai ka shkruar se Shqipëria po bëhet një Kinë e vogël e Europës. Ai ka këshilluar investitorët francezë që të marrin në konsideratë më parë Shqipërinë, se sa Kinën e largët. Në realitet kjo duhet të jetë edhe motoja për investitorët puliezë dhe italianë.
Me mikun tim të vjetër Adolfo Urso, kemi rënë dakord për të bërë promocionin më të madh të potencialeve të Shqipërisë në Itali. Jam i sigurtë se presidenti Vendola është i gatshëm që të japë kontributin e tij në këtë fushë dhe i jam mirnjohës që të dyve, pasi gjithmonë në “Fiera del Levante”, prania shqiptare është mjaft e prekshme. Ju keni bërë shumë për të promovuar gjithnjë e më shumë potencialet e vendit tim.
Duke e mbyllur unë do të doja të formuloja urimet më të mira për të gjithë të pranishmit dhe t’ju uroja suksese për projektet e juaja në Shqipëri, duke ju siguruar që do të jetë histori e një suksesi të vërtetë, të një suksesi të ri për ju, por edhe për vendin tim.
14/10/2009