E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton vendimin që i hap rrugën kompensimit të 600 pronarëve

Kryeministri: Qeveria do të nxjerrë praktikën e re të përcaktimit të çmimeve.

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin “Për shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informate, si dhe përcaktimin e sipërfaqeve takuese të këtyre pasurive”, që i hap rrugë procesit të kompensimit të rreth 600 pronarëve.

Kryeministri e vlerësoi këtë një zhvillim mjaft pozitiv, duke vënë në dukje se tashmë janë rreth 600 familje që marrin titujt e pronësisë, por, së pari, ata që kompensohen janë pronarët, ashtu siç e përcakton ligji.

“Ne do t’i qëndrojmë plotësisht këtij ligji në interesin më të mirë të reformës së pronësisë dhe zgjidhjes së problemit të pronësisë”, theksoi Kryeministri.

Duke i konsideruar të paarsyeshme disa pretendime në përcaktimet e çmimit të tokës, Kryeministri u shpreh se “ata e panë vet se ç’do të thotë t’i frysh çmimet, se si i kthehet pronarit në bumerang. Nuk mund të themi se nuk kemi një presion të paarsyeshëm në këtë drejtim nga disa lobe të caktuara, por kjo gjë tregon shumë qartë se ata që kërkojnë që të vihen çmimet në stratosferë, ata vetëgjobiten.”

Kryeministri siguroi se në këtë çështje do të dominojë arsyeja dhe qeveria do të nxjerrë praktikën e re të përcaktimit të çmimeve.

“Në detyrimin dhe meritën e qeverisë është që ajo i korrigjon gabimet. Ndaj, në përputhje me Kushtetutën e vendit, e cila detyron vlerësimin mbi bazën e rregullave të tregut, ne nuk tërhiqemi nga kjo gjë dhe do të nxjerrim praktikë të re të përcaktimit të çmimeve”, nënvizoi Kryeministri.            


14/10/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›