Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të fillimit të punimeve për ndërtimin e kampusit të ri të Universitetit Beder

Në urimin drejtuar studentëve dhe stafit pedagogjik të këtij universiteti, kryeministri përshëndeti në emër të qeverisë të gjitha arritjet e këtij institucioni në një hark të shkurtër kohor, 2 vjeçar. “Me punën tuaj të madhe, me përkushtimin tuaj ju u shndërruat në një universitet të njohur mbarëshqiptar, në një universitet të njohur ndërkombëtar, një universitet i cili zhvillon në bazën dhe pajisjet më moderne rreth 18 programe dhe pranon studentë, deri tani nga 12 vende dhe kombe.” tha kryeministri”
Me këtë rast, kryeministri shprehu nderimin dhe mirënjohjen më të thellë, ndaj kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar Haxhi Selim Muca, kryetarit të Fondacionit Sema, qeverisë turke për ndihmën e tyre bujare në ringritjen e infrastrukturës fetare në Shqipëri, si dhe rektorin Gjana dhe të gjithë ekipin pedagogjik, të universitetit për punën e shkëlqyer në vendosjen e standardeve më të larta në mësimdhënie në këtë universitet.
Universiteti Beder, me një kapacitet prej 485 studentë e filloi funksionimin e tij si institucion i arsimit të lartë, në prill të vitit 2011, me vendim të Këshillit të Ministrave, i cili miratoi dhënien e licencës për hapjen e Universitetit. Ky institucion ofron programe studimi të ciklit të parë dhe të dytë, sipas legjislacionit shqiptar. Universiteti Beder ka 2 fakultete dhe 6 departamente, të cilat ofrojnë 7 programe studimi të nivelit të parë (bachelor) dhe 12 programe studimi të nivelit të dytë (master).
Në ceremoni merrnin pjesë kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Haxhi Hafiz Selim Muca, ministra të kabinetit, Rektori i Universitetit Bedër Dr. Ferdinand Gjana dhe rektori i Universitetit të Tiranës, zoti Dhori Kule, përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare, përfaqësues të trupit diplomatikë, pedagogë e student të këtij universiteti dhe të ftuar të tjerë.
Në përshëndetjen e mbajtur për të pranishmit, kryeministri Berisha u shpreh:
Së pari, më lejoni që në emër të qeverisë tu përcjell ju urimet më të përzemërt për arritje tuaja që në një hark dy vjeçar ju keni shënuar në punën tuaj të madhe, me përkushtimin tuaj ju u shndërruar në një universitet të njohur mbarëshqiptar, në një universitet të njohur ndërkombëtar, një universitet i cili zhvillon në bazën dhe pajisjet më moderne rreth 18 programe dhe pranon studentë, deri tani nga 12 vende dhe kombe.
Zonja dhe zotërinj, të dashur studente dhe studentë,
Ju uroj shumë suksese në këtë universitet, ndërsa dëgjojmë deklaratat e përfaqësuesve të shkëlqyer të tij sot, që ndihen krenarë me zgjedhjen që kanë bërë sepse të kombinosh, të gërshetosh mësimet e Zotit me mësimet e shkencave teknike e shoqërore, i bën vetes një shërbim shumë të madh. Mësimet e Zotit janë mësimet për vlerat hyjnore, janë mësime të cilat gjithë jetën do tu ndihmojnë të gjeni forcë për të përballuar me dinjitet dhe besim të madh tek Zoti çdo lloj situate, të gjeni forcë për të shkuar në anën e së mirës, të së drejtës, të gjeni forcë për tu përkushtuar ëndrrave tuaja të bukura dhe shndërrimit të tyre në realitet. Mësimet teknike dhe shoqërore ju i merrni këtu në një staf akademik të shquar, në universitetin Beder, por dhe në universitete të tjera të vendeve mike. Në këtë kontekst ju diplomoheni më të plotë, ju diplomoheni më të sigurtë në të ardhmen tuaj që ju meritoni.
Unë me këtë rast dua të shpreh nderimin më të madh, mirënjohjen time më të thellë, ndaj Kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar Haxhi Selim Muca, kryetarit të Fondacionit Sema, qeverisë turke për ndihmën e tyre bujare në ringritjen e infrastrukturës së rrënuar fetare në këtë vend, të falënderoj rektorin Gjana dhe të gjithë ekipin pedagogjik, të gjithë pedagogët për punën e shkëlqyer që bënë në vendosjen e standardeve më të larta në mësimdhënie në këtë universitet.
Sot është një ditë e madhe për të gjithë besimtarët myslimanë, për të gjithë besimtarët e Zotit, inaugurohet fillimi i punimeve të korpusit të ri të universitetit Beder, një dhuratë kjo bujare e Fondacionit Sema, për çka unë ju shpreh falënderimin tim më të përzemërt.
Kjo ngjarje e madhe vjen vetëm pas pak ditësh që ne së bashku inauguruam fillimin e punimeve të xhamisë më të madhe të vendit, xhamisë së Tiranës.
Unë jam këtu për tu dhënë ju fjalën, ju dhe të gjithë udhëheqësve të besimeve të mëdha fetare të kombit tonë se qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka për ti mbështetur ata, se qeveria shqiptare është e shumë e vetëdijshme për vështirësitë që ato përsëri gjejnë në rrugën e të drejtave të tyre që i takojnë me ligj, me të drejtat e patjetërsueshme të pronave, por qeveria së bashku me ta, me durimin më të madh do të çojë përpara çështjen e tyre të drejtë.
Edhe njëherë të gjithëve gëzuar këtë ditë të madhe në historinë e besimit mysliman, por edhe në historinë e besimit tek besimit tek Zoti, për të gjithë shqiptarët.
26/04/2013