Kryeministri Berisha pret përfaqësues të kompanisë norvegjeze Jacobsen Elektro

Kryeministri Berisha priti sot përfaqësuesit e kompanisë norvegjeze Jacobsen Elektro, Johan Petter Bjerknes dhe Roberto Francioni.
Ata falënderun Kryeministrin për ambientin e ngrohtë për të kryer biznes në Shqipëri, të nxitur edhe nga vizita e fundit e Kryeministrit në vendin e tij dhe e informuan se kishin ardhur në Shqipëri për të implementuar dy projekte të rëndësishme në fushën e energjisë, një në linjën e transmisionit, konkretisht linja Tiranë-Durrës, si dhe dy nënstacione. Projekti i tyre është prezantuar në OST dhe në Ministrinë e Ekonomisë dhe janë në procesin e vlerësimit të tij. Ata i thanë Kryeministrit se shërbimi i administratës shqiptare në lidhje me këtë projekt ka qenë profesional dhe shumë mbështetës. Krahas këtij projekti, ata kanë prezantuar dhe një projekt tjetër në bashkinë e Tiranës, në lidhje me përpunimin e mbetjeve urbane. Përfaqësuesit e kompanisë Jacobsen Elektro u shprehën se interesi i kompanisë Jacobsen Elektro dhe të tjerave norvegjeze është i madh, sidomos në fushën e energjisë dhe do të vazhdojnë të ndjekin këto projekte, si dhe të nxisin kompani të tjera në fushë. Eksperienca e kompanive norvegjeze me Shqipërinë në lidhje me respektimin e kontratave ka qenë shumë e mirë.
Kryeministri Berisha i falenderoi për interesin dhe mishërimin e tij në dy propozime konkrete dhe i garantoi për mbështetjen e mëtejshme të këtyre projekteve nga administrata shqiptare. Gjithashtu, Kryeministri ftoi këtë grup të vazhdonte të nxiste me eksperiencën e tij, investitorë të tjerë norvegjeze. Kryeministri shprehu bindjen se këto projekte do të ishin me siguri histori suksesi, me përfitime shumëpalëshe.
26/04/2013