E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret në takim Kardinalin Stanislav Dzivic, i cili ka qenë bashkëpunëtori më i ngushtë i Papa Gjon Palit të II

Kryeministri Berisha priti në një takim dhe shtroi një darkë zyrtare për nder të shkëlqesisë së tij Kardinalit Stanislav Dzivic, i cili shoqërohej nga Nunci Apostolik në Shqipëri, Imzot Ramiro Molinar Inglés, si edhe shkëlqesia e tij, Arqipeshkv Metropolit i Dioqezës Tiranë – Durrës, Monsinjor Rrok Mirdita.  

Kardinali Dzivic është në Shqipëri me rastin e përkujtimit të 20 vjetorit të vizitës historike të Atit të Shenjtë Papa Gjon Pali i II-të. Me rastin e vizitës, Universitetit i Tiranës i akordoi Kardinalit Dzivic titullin “Doktor Honoris Kausa”.

Gjatë takimit, Kryeministri Berisha i shprehu Kardinalit Dzivic kënaqësinë e tij për raportet shumë të mira që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, si edhe shprehu mirënjohjen e thellë për ndjeshmërinë dhe mbështetjen e madhe që Vatikani ka demonstruar ndaj popullit shqiptar në përgjithësi, si edhe për ringritjen e Kishës Katolike në Shqipëri. Në vijim, Kryeministri foli për vizitën e Papës Gjon Pali i II-të, 20 vite më parë dhe shprehu kënaqësinë që kishte mundësinë të ishte ftuesi dhe pritësi i kësaj vizite. Sikurse u shpreh Kryeministri Berisha Shqipëria e atyre viteve nuk ishte çliruar krejtësisht nga tmerret e diktaturës, por ishte rrëmbyer nga gëzimi i pafund i një perspektive shpresëplotë që po prodhonte liria. Kryeministri Berisha theksoi se kjo vizitë është memorizuar në ngjarjet më të rëndësishme të historisë së vendit tonë, sepse ishte e para vizitë e një Pape në Shqipëri.

Kryeministri falënderoi përzemërsisht Kardinalin Dzivic për rolin e tij personal, si bashkëpunëtori më i ngushtë i Papa Gjon Palit të II, në mbështetjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Kardinali Dzivic, në fjalën e tij, falënderoi Kryeministrin Berisha për klimën e ngrohtë të pritjes që ndjehet kudo gjatë vizitës së tij. Kardinali solli gjatë bisedës disa dëshmi autentike për dashurinë që Papa Gjon Pali i II-të kishte për Shqipërinë dhe shqiptarët. Sot, - tha Ai, -  kujtojmë jo vetëm 20 vjetorin e vizitës së Papa Gjon Palit të II-të, por me kënaqësi festojmë edhe 20 vjetorin e shugurimit ipeshkvnor të Monsinjor Rrok Mirdita, si edhe të Imzot Molinar Inglés.

Kryeministri Berisha edhe Kardinali Dzivic konfirmuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis dy shteteve dhe shprehën bindjen edhe besimin për bashkëpunimin e shkëlqyer edhe në të ardhmen.


26/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›