E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha në inaugurimin e fabrikës së qumështit në Rrogozhinë, investim i kompanisë bavareze, Meggle

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e fabrikës së qumështit në Rrogozhinë, investim i kompanisë Meggle  Albania Sh.p.k, degë e kompanisë gjermane Meggle AG, ndër kompanitë më të shquara, pioniere  e produkteve të qumështit në Evropë. Ky është prodhuesi më i madh vendas i qumështit në kuti të Kompanisë lider në paketim, Tetrapak.

Investimi me vlerë 5 milion euro sjell në Shqipëri një fabrikë të modernizuar qumështi, të përqendruar në linjat e prodhimit të qumështit UHT (Ultra-high temperature processing) dhe kosit.

Kjo fabrikë do të sjellë për konsumatorin shqiptar produkte të standardeve të larta ushqimore, të garantuara nga ana higjeno-sanitare dhe e shëndetit, të cilat do të prodhohen nëpërmjet një teknologjie moderne që përbën risi në fushën e industrisë ushqimore dhe të produkteve ushqimore.

Të pranishëm në inaugurim ishin ministri i Bujqësisë Genc Ruli, drejtuesit e Kompanisë Meggle, Kompanise Tetrapak, etj

Në fjalën e mbajtur me rastin e inaugurimit të kësaj fabrike Kryeministri Berisha u shpreh:

Sot është një ditë e veçantë  për Rrogozhinën, por edhe për mbarë Shqipërinë, sepse sot kanë zbarkuar dhe fillojnë punën dy nga kompanitë lider botëror në fushën e përpunimit të qumështit dhe të paketimit të tij siç janë kompania e Bavarisë,  Meggle dhe kompania Tetrapak.  Emra këto të një prestigji botëror, të një ekspertizë te shkallës më të lartë. Për fermerët e kësaj zone dhe për fermerët shqiptarë nuk mund të kishte lajm më të mirë se ky, prandaj unë dua t’ju falenderoj ju shumë përzemërsisht, të falenderoj presidentin Meggle, i  cili shkëlqen sot në mungesën e tij, dhe ti uroj jubileun e 100 vjetorit që kremton në shoqatën e përpunuesve të qumështit dhe bulmetrave të Republikës Federale Gjermane. Edhe ne jemi në 100 vjetorin e themelimit të pavarësisë dhe me këtë 100 vjetor me impiantin e madh të prodhimit  të qumësht që  inauguroni sot këtu, familja Meggle i ka bërë Shqipërisë nderin më të madh i ka shprehur besimin më të madh.

Zonja dhe zotërinj

Para se të vija këtu, unë pata një takim në zyrë me këta zotërinj dhe konstatova me kënaqësi se gjatë kësaj periudhe kompania e tyre ka bërë një analizë të shkëlqyer të tregut të përpunimit të qumështit dhe përpunimit të bulmetrave në Shqipëri. Konstatimi dhe konkluzioni i tyre ishe se Shqipëria ka një potencial madhor në këtë fushë dhe se kompania Meggle është  e vendosur ta ndihmojë Shqipërinë në zhvillimin e  madh të potencialeve të saj. Unë i garantova drejtuesit e kompanisë se qeveria është e vendosur të bëjë gjithçka për një sukses të plotë të kompanisë Meggle, këtu në Rrogozhinë dhe kudo në Shqipëri. Kam besim se "brendi" shqiptar i saj, gradualisht  do të bëhet më i pëlqyeri në botë pasi Shqipëria është vendi i shijeve natyrore më të pa krahasueshme me vendet e tjera.

Zonja dhe zotërinj

Në bisedën që bëra me përfaqësuesit kryesor të kompanisë ata kishin konstatuar se në rast se në Shqipëri prodhohen rreth 900 milion litra qumësht, një përqindje e vogël përpunohej në impiantet e përpunimit të bulmetrave dhe kjo sepse këtë përpunim dhe këtë zhvillim e frenon në mënyrë të qëndrueshëm importet e mëdha dhe të pa kontrolluara. Më erdhi menjëherë në mendje kërkesat për ti hequr qumështit TVSH-në, sesa të rrezikshme janë ato për çdo fermer shqiptar. Unë shfrytëzoj këtë rast për tu përcjellë të gjithë fermerëve të vendit që jo vetëm që nuk do të hiqet TVSH-ja e qumështit, por një kuadër ligjor për mbrojtjen e prodhimit të tyre do të vendoset sa më shpejt, se nuk do të mundet që të frenohen prodhimi i tyre dhe të falimentojnë fermat e tyre nga qumësht i sojës dhe të përzier me të gjitha llojet. Me këta zotërinj do të bashkëpunojmë ngushtësisht në interesin më të mirë të zhvillimit të madh të këtij sektori. Ne duhet të shohim në çdo familje një biznes të vogël me lopët. Në çdo familje duhet të shohim një biznes punësimi, ndaj dhe ju jap fjalën që vitin që vjen qeveria do të rrisë në mënyrë të ndjeshme mbështetjen për fermat e prodhimit të qumështit dhe si një lajm të mirë për ju, javën që kaloi ne dekretuam si qeveri heqjen e TVSH për të gjitha makineritë që do të inportohen.  Për ju dhe të gjithë, kështu që inpiante të tjera të përpunimit të bulmeteve që do të ngrihen ne qarqet e tjera të vendit do të jene të përjashtuara tërësisht nga TVSH. Le të punojmë pra ne sëbashku për të zhvilluar këtë industri jetike për shëndetin e qytetarëve dhe sigurinë e tyre. Ju festoni 125 vjetorin Shqipëri feston 100 vjetorin .


19/10/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›