Kryeministri Berisha merr pjesë në inagurimin e hidrocentralit të Gjançit, në Korçë
Sot, Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e inagurimit të hidrocentralit të Gjançit, i cili ndodhet 15 km në jug të Korçës. Hidrocentrali ka kapacitet prej 3 megavat dhe prodhim vjetor 6 deri në 8 milion kW/h. Hidrocentrali është vepër e dhënë me koncension të formës ROT (Rehabilitim, Operim dhe Transferim), me vlerë investimi prej 1 milion e 21 mijë euro.
Në takimin me drejtuesit, Kryeministri Berisha vlerësoi teknologjinë e lartë të sjellë nga investitorët në rehabilitimin e kësaj vepre, duke bërë të mundur shfrytëzimin optimal të burimeve hidrike.
Kryeministri u shpreh se qeveria do të inkurajojë dhe mbështesë investitorët për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël, të mesëm dhe të dhjetra HEC-ve të mëdha, nëpërmjet zbatimit të kuadrit ligjor sa më të favorshëm për ta.
Ndër të tjera, Kryeministri u shpreh:
"Është një kënaqësi e veçantë për mua që të inagurojmë së bashku Hidrocentralin e Gjançit, me të cilin investitori sjell tekonologjinë më të mirë, për të realizuar shfrytëzimin më optimal të burimeve. Me rehabilitimin e ketij HEC, prodhimit të energjisë në Shqipëri i shtohen edhe 3 megavat te tjerë. Me këtë vepër spikat, së pari, suksesi i parteneritetit publik privat dhe ky sukses është garanci për suksese të tjera të hidrocentraleve të këtij kalibri. Vetem hidrocentralet nën 10 megavat, të marra së bashku, shumë shpejt me kompletimin e tyre, në mbarë vendin do të mund të prodhojnë energji sa njëri prej HEC më të mëdhenj të vendit.
Me këtë dua të theksoj se qeveria do të inkurajojë dhe mbështesë ndërtimin e qindra e qindra HEC-ve të vegjël dhe të mesem, por edhe dhjetra hidrocentrale të mëdha në mbarë vendin. Dua të garantoj zotin Spahiu dhe investitorët e tjerë se KESH dhe Ministria e Ekonomisë dhe Energjitikës do të krijojnë dhe do të zbatojnë kuadrin më të favorshëm për koncesionarin.
ERE (Enti Rregullator i Sektorit të Energjisë Elektrike) do të tregojë përkujdesje të vecantë për ju si koncesionarë, si dhe për të gjithë kolegët tuaj. Energjia që ju prodhoni kuotohet në bursën evropiane me pothuaj dyfishin e cmimit të energjisë ndaj edhe ne do të bëjmë cdo përpjekje që nëpërmjet importeve tu krijojmë mundësi që mallin tuaj ta shisni me çmimin më të leverdisshëm. Në këtë mënyrë, investimi do të mund tu kthehet më shpejt. Inkurajojmë investitorët që të ndërrmarrin nisma për të ndërtuar kudo HEC të vogla, të mesme dhe të mëdha.
Edhe njëherë uroj kompanine koncesionare, inxhinierët, teknikët, si dhe punonjësit e talentuar që kanë bërë të mundur këtë rehabilitim të mrekullueshëm".
Në përfundim, Kryeministri Berisha shtypi në mënyrë simbolike butonin e startimit të punës për hidrocentralin e Gjançit.