E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e Spitalit Polispecialistik Mjeksor Kirurgjikal, italo-shqiptar SALUS

-          Kryeministri Berisha: Për ne, ofrimi i shërbimit të standardeve më të larta për qytetarët shqiptar është një objektiv madhor. Ne do të bëjmë gjithçka, në një reformë shëndetësore që qytetarët shqiptarë të mund ti blejnë shërbimet aty ku ata i konsiderojnë më të mira.

-          Është normale që çdo i huaj të shtrojë pyetjen se Çfarë është Shqipëria. Unë dua tu garantoj, se përgjigjja më e ndershme dhe më e drejtë është se, Shqipëria është një vend që beson tek liria dhe se e konsideron lirinë, pasurinë e të gjitha pasurive. I tërë modeli ekonomik i saj bazohet në lirinë dhe në vlerat e saj.

Kryeministri Berisha mori pjesë paraditen e së shtunës, në  inaugurimin  e Spitalit Polispecialistik Mjekësor Kirurgjikal, italo-shqiptar, në Tiranë, një investim prej 15 milion eurosh, i shtrirë në një sipërfaqe prej 10 mijë metër katror.

SALUS, një ndërtesë prej katër katesh, është një strukturë private spitalore, italo-shqiptare, e cila ofron shërbime shëndetësore si ambulatore, ashtu edhe hospitalizim për patologji mjekësore, kirurgjike dhe specialistike.

Ky spital, i cili sjell për pacientët shqiptarë teknologjitë më bashkohore të diagnostifikimit dhe kurimit, ka 90 shtretër, tri salla operacioni, një shërbim radiologjie, një laborator analizash, një poliambulator multispecialistik dhe një klinikë dentare.

Së bashku me kryeministrin Berisha ishin të pranishëm në këtë event, Ministri i Shëndetsisë, zoti Petrit Vasili, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, zoti Lulzim Basha, Presidenti i rajonit të Friuli Venezia Giulia, zoti Renzo Tondo, ambasadori Italian në Tiranë, zoti Massimo Gaiani, si dhe mjekë, profesorë, studiues italianë dhe shqiptarë, investitorë, etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen më të thellë ndaj investitorëve shqiptarë dhe atyre italianë, të cilët ndërmorën këtë investim të fuqishëm, në sektorin e shëndetësisë. Kryeministri e vlerësoi realizimin e këtij projekti, si shprehje të besimit të investuesve italianë tek Shqipëria dhe potencialet që ajo ofron."Investitorët italianë janë bërë pjesë organike dhe shumë e rëndësishme  e zhvillimit të shpejtë të Shqipërisë"- u shpreh kryeministri.

Kryeministri garantoi se investitorët italianë dhe ata të huaj në tërësi, do të jenë gjithmonë të mirëpritur në vendin tonë dhe se do të kenë mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë dhe  autoriteteve shqiptare në të gjitha fushat ku ata do të investojnë.

Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari dëshiroj tu shpreh mirënjohjen më të thellë ju, zoti investitor i këtij spitali, familjes Peçini, për vendimin tuaj fisnik, për të realizuar këtu, në hyrje të Tiranës, një spital të mrekullueshëm, si ky. Realizimi i çdo projekti përbën në vetvete shndërrimin në realitet të një ëndrre, të një ëndrre fisnike, të një ëndrre dite dhe jo nate, dëshmon një besim të madh tek vendi, komuniteti dhe kombi ku ju realizoni këtë ëndërr.

Zoti ambasador, ky është takimi ynë i dytë pas takimit të kortezisë dhe nuk mund të kishte takim më të bukur pune, se sa ky sot, me këtë investim të rëndësishëm italian në Shqipëri.

Një falënderim shumë të përzemërt për ju zoti president, për inkurajimin dhe qëndrimin tuaj ndaj investitorëve të rajonit tuaj shumë të zhvilluar, për të investuar në Shqipëri. Dhe unë dua tu garantoj ju, se investitorët italianë në tërësi dhe investitorët e Fiuli Venecia Giulian do të kenë mbështetjen më të fortë, më të fuqishme, të qeverisë dhe  autoriteteve shqiptare, në të gjitha fushat dhe janë shumë të mirëpritur.

Të dashur miq,

Është normale që çdo i huaj të shtrojë pyetjen se Çfarë është Shqipëria. Unë dua tu garantoj se përgjigjja më e ndershme dhe më e drejtë është se, Shqipëria është një vend që beson tek liria dhe se e konsideron lirinë, pasurinë e të gjitha pasurive. I tërë modeli ekonomik i saj bazohet në lirinë dhe në vlerat e saj.

Ky investim që ne inaugurojmë sot është një kontribut i madh në sektorin e shëndetësisë, i katërti investim që bëhet nga investitorët e huaj, në fushën e shëndetësisë brenda një harku kohor 1 vjeçar. Investim, i cili do të ketë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor, shërbimit më të rëndësishëm të njeriut dhe për njeriun.

Për ne, ofrimi i shërbimit të standardeve më të larta për qytetarët shqiptarë është një objektiv madhor. Ne do të bëjmë gjithçka, në një reformë shëndetësore që qytetarët shqiptarë të mund ti blejnë shërbimet aty ku ata i konsiderojnë më të mira.

Rikthehem sërish tek besimi i shqiptarëve tek liria. Ky vend këtu, ku ngrihet sot ky spital, ndonëse afër Tiranës, 20 vjet më parë ka qenë një fshat i humbur, por sot kjo komunë është e 9-ta më e madhja e vendit, për numrin e banorëve dhe zhvillimin e saj. Shqipëria ka bërë dhe bën një përpjekje të mëdha për një kuadër investimesh sa më të përshtatshme. Ajo ka vendosur sistemin fiskal me barrën fiskale, ndër më të ultat në Evropë dhe në botë. Ajo ka një ndër 10 administratat më të vogla në botë. Shqipëria, ka njërën prej 10 qeverive më dorëshkurtra në raport me biznesin, në Evropë dhe në botë. Cilido që vështron treguesit e rritjes së lirisë ekonomike gjen se ky vend po ngjit me shpejtësi shkallët  e saj.

Me besimin e saj tek liria, ky vend ia del sot që të dyfishojë eksportet në një hark kohor 2 vjeçar. Investimet e huaja në Shqipëri nga viti 2006 në vitin 2010, sipas statistikave, janë rritur me 316 %.

Shqipëria disponon potenciale shumë të mëdha për investitorët italianë dhe ata nga e gjithë bota. Potencialet e saj në energji të rinovueshme janë të jashtëzakonshme. Unë do të vlerësoja shumë zoti President i rajonit të Friuli Venezia Giulia, që të inkurajoni investitorët e rajonit tuaj që të investojnë në energjinë e rinovueshme në Shqipëri.Qeveria shqiptare ka firmosur me sektorin privat 110 kontrata për ndërtimin e rreth 300 HEC-ve në mbarë vendin. Kompani serioze italiane janë të angazhuara në prodhimin e energjisë së rinovueshme, të tjera janë shumë të mirëpritura. Ky është një vend me pasuri të mëdha minerare. Ka rezerva botërore të kromit, nikelit, hekur-nikelit, si dhe të bakrit.

Gradualisht, ky vend po bëhet margaritar i turizmit në Mesdhe. Unë do tu sjell si shembull vetëm një shifër. Në vitin 2004, Shqipëria priti gjithsej 300 mijë vizitorë dhe turistë, ndërsa vitin që shkoi kemi pritur 4 milion e 1 mijë vizitorë  e turistë.

Investitorët italianë do të gjejnë këtu një mikpritje të madhe dhe unë gjej rastin të shpreh një mirënjohje shumë të thellë, qeverisë italiane për mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë Shqipërisë, në gjithë këto vite, në rrugën e saj të zhvillimit dhe të integrimit në NATO dhe përpjekjeve për integrim në BE.

Dua të falënderoj përzemërsisht investitorët italianë që janë bërë pjesë organike dhe shumë e rëndësishme  e këtij zhvillimi të shpejtë të vendit tim. Dhe ka prej tyre nga rajoni juaj që kanë 20 vjet që punojnë më sukses në Shqipëri. Ndaj, edhe njëherë le ti urojmë sipërmarrësit e këtij investimi të mrekullueshëm dhe të urojmë që edhe të tjerë të vazhdojnë në rrugën e tyre.


14/01/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›