E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvillohet mbledhja e Komitetit Shtetëror për organizimin e veprimtarive festive për “Vitin e 100 - vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë”

-          Kryeministri Berisha: Pavarësia ka qenë një përpjekje mbarëkombëtare, prandaj trajtimi mbarëkombëtar i kësaj çështje është një detyrim për të nderuar të gjithë ata që kontribuan

Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua sot mbledhja e radhës e Komitetit Shtetëror për organizimin e veprimtarive festive për “Vitin e 100 - vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë”, gjatë së cilës u prezantua edhe logoja e 100 vjetorit të pavarësisë, punim i artistit kosovar, Zeni Ballazhi.  

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha kërkoi që çdo veprimtari në kuadër të kremtimeve të 100 vjetorit të pavarësisë të zhvillohet me një impakt sa më real të mundshëm. Në këtë kontekst, kryeministri u shpreh “se 100 vjetori është një vit në të cilin ne duhet të synojmë që të prekë sa më shumë zemrat dhe mendjen e qytetarëve shqiptarë. Nuk është çështja se kjo arrihet nëpërmjet glorifikimeve. Kjo arrihet, natyrisht, nëpërmjet qëndrimeve realiste, por edhe një përpjekjeje serioze që ky 100 vjetor t’u shërbejë shqiptarëve për të vlerësuar më shumë veten dhe vendin e tyre.”

Kryeministri theksoi se ky 100 vjetor festohet me Kosovën e pavarur, gjë që e bën këtë jubile më domethësës për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. “Imagjinoni ju në qoftë se ne do të festonim këtë 100 vjetor pa Kosovën e pavarur. Flamuri do të gjendej në gjysmë shtizë në këtë festë të madhe. Pra ne e festojmë në mënyrën më të merituar.”

Duke theksuar se pavarësia ka qenë një përpjekje mbarëkombëtare, Kryeministri vuri në dukje se trajtimi mbarëkombëtar i kësaj çështje është një detyrim për të nderuar të gjithë ata që kontribuan, prandaj, - u shpreh Kryeministri, - duhet të ruajmë sensin mbarëkombëtar, përfshi edhe diasporën, në të gjitha kremtimet dhe festimet për këtë ngjarje të rëndësishme.

Pas diskutimeve, Komiteti sugjeroi që logoja të mos mbajë emërtimin 100 vjet shtet shqiptar, por thelbi i saj të jetë 100 vjet pavarësi.

Në fjalën e mbajtur në fillim të mbledhjes, Kryeministri Berisha u shpreh:

Gjatë kësaj periudhe nënkryetari i Komitetit Shtetëror ka elaboruar një dokument, të cilin do ta paraqesë këtu për shqyrtime dhe plotësime, lidhur me aspektet, problematikën e kremtimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së vendit. Sikundër, ministri i Kulturës sjell këtu logon e 100 vjetorit të pavarësisë. Ministria e Kulturës ka shpallur edhe konkursin për një monument që duhet të ngrihet në 100 vjetorin e pavarësisë së vendit. Ndërkohë, të gjitha ministritë janë porositur që çdo veprimtari me një impakt sa më real të mundshëm, në asnjë mënyrë artificial, le të mendojnë për ta realizuar në këtë 100 vjetor. 100 vjetori është një vit në të cilin ne duhet të synojmë që të prekë sa më shumë zemrat dhe mendjen e qytetarëve shqiptarë. Nuk është çështja se kjo arrihet nëpërmjet glorifikimeve. Kjo arrihet, natyrisht, nëpërmjet qëndrimeve realiste, por edhe një përpjekjeje serioze që ky 100 vjetor t’u shërbejë shqiptarëve për të vlerësuar më shumë veten dhe vendin e tyre. Ky 100 vjetor tu shërbejë shqiptarëve për tu njohur me të vërtetat më të rëndësishme të vendit dhe kombit të tyre. Ky 100 vjetor tu shërbejë shqiptarëve, jo si një barut për të shkuarën, por si një shpresë dhe besim për të ardhmen. Pra, mendoj se në të gjitha vlerësimet tona për këtë 100 vjetor duhet të ruajmë sensin e realizmit, si në vlerësimin e figurave të historisë sonë kombëtare, por, gjithashtu, edhe në vlerësimin e ngjarjeve, të cilat nuk mund të mos kenë edhe dritën e aktualitetit. Ata që vendosën për copëtimin e Shqipërisë, në fillim të shekullit që shkoi, po ata vendosën për çlirimin e Kosovës. Dhe ata u dëshmuan ndër miqtë më të mirë të kombit shqiptar.

Besoj se vështrimi ynë realist nënkupton shprehjen qartë të të vërtetave historike, por të para edhe në dritën e sotme. Këto vende pas Luftës së II Botërore i dhanë botës dhe njerëzimit një rend të ri, të bazuar në liri. Frymëzuan dhe ndihmuan shqiptarët për të ndërtuar lirinë e tyre. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ata miq të paktë që kemi, se ç’është e vërteta nuk i kemi pasur të shumtë, t’i nderojmë në këtë 100 vjetor, t’u japim hapësirën që ata meritojnë. Ata kanë luajtur një rol të rëndësishëm në këto 100 vjet në mbështetje të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kjo është një e vërtetë.

Një përballje mbarëkombëtare është jetike për këtë çështje, sepse pavarësia ka qenë një përpjekje mbarëkombëtare. Ndaj dhe trajtimi mbarëkombëtar është një detyrim për të nderuar të gjithë ata që kontribuuan. Lëvizjet e mëdha të shqiptarëve në Kosovë, të cilët luajtën një rol përcaktues në njohjen më pak se përgjysmë të së drejtës së shqiptarëve për pavarësi, nuk kanë as edhe një shenjë sot në Kosovë. Nuk ka shenjë për ta, nuk ka monumente për ta, nuk ka nderime për ta. Autoritet janë plotësisht të vendosura, por duhet të bashkërendojmë. Po kështu në Maqedoni, në Mal të Zi, në diasporë e kudo. Ndaj duhet të ruajmë sensin mbarëkombëtar, përfshi edhe diasporën, në të gjitha kremtimet dhe festimet. Duhet që të bëjmë gjithçka që shqiptarët ta prekin dhe ta ndjejnë këtë vit, ta ndjejnë veten krenarë, sepse, së pari, është në natyrën njerëzore: ai që nuk vlerëson veten, nuk vlerësohet nga të tjerët. Së dyti, në këtë 100 vjetor shqiptarët kanë shumë arsye për të pasur një vlerësim qartësisht pozitiv për veten e tyre, për të pasur një vlerësim qartësisht pozitiv për vendin e tyre, për të pasur një besim të madh tek e ardhmja e tyre në liri.

Koha po ecën. Ne duhet të jemi më aktiv në të gjitha fushat. Ndonëse qeveritarët vendorë edhe vetë kanë nisur të mendojnë e të parashikojnë ngjarje dhe zhvillime, ministria e Brendshme duhet të përcjellë te ata mesazhin se janë të ftuar dhe se është e domosdoshme që në të gjitha rrethet e vendit, në Vlorë, në Durrës, në Shkodër, në Korçë, në Gjirokastër, në Kukës, në Tropojë e kudo, të parashikohen ngjarje, kremtime, zhvillime, ridimensionim të gjithçkaje që është e lidhur me 100 vjetorin e pavarësisë. 100 vjetor që fillon në 1878 dhe mbaron në vitin 2008, me pavarësinë e Kosovës. Të gjitha këto ngjarje. Sepse imagjinoni ju në qoftë se ne do të festonim këtë 100 vjetor pa Kosovën e pavarur. Flamuri do të gjendej në gjysmë shtizë në këtë festë të madhe. Pra ne e festojmë në mënyrën më të merituar. Ndaj dhe duhet një konceptim universal. Dhe me universal unë nënkuptoj botën shqiptare në të gjithë kozmosin e saj."

***

Në përfundim të fjalës së tij, Kryeministri Berisha ia dhe fjalën ministrit të Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, zotit Aldo Bumçi, i cili paraqiti para komitetit përzgjedhjen e punimeve të realizuara nga artistë të ndryshëm  për logon e 100 vjetorit të pavarësisë.

Zoti Bumçi informoi se nga konkursi kombëtar ku morën pjesë 24 artistë, u përzgjodhën me sistem pikësh nga komisioni i ngritur pranë Galerisë së Arteve, 6 punimet më të mira. Ndër to komisioni përzgjodhi punimin më të mirë, atë të artistit kosovar, Zeni Ballazhi, i cili propozon logon me një stilizim të shqiponjës dykrenare, në formën e një flake jubilare.

Për sa i përket këtij varianti të logos së 100 vjetorit, Kryeministri Berisha u shpreh se është një variant i gjetur më së miri, ndërsa për detajet teknike apo modifikimet  e nevojshme, ai kërkoi që të vendosë artisti krijues.

Gjatë mbledhjes, Kryeministri Berisha ia dha fjalën ministrit të Punëve të Jashtme dhe njëkohësisht nënkryetar i Komitetit të 100 vjetorit, i cili bëri një ekspoze të gamës së gjerë të aktiviteteve që do të zhvillohen në Shqipëri dhe jashtë saj, në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë.

Lidhur me këto aktivitete dhe mënyrën e organizmit të tyre, zoti Haxhinasto u shpreh: “Duke patur parasysh që rëndësia e këtij 100 vjetori është e tillë që do të gjenerohen në mënyrë të vazhdueshme idera, aktivitete, të cilat do të përkujtojnë dhe nderojnë këtë eveniment është propozuar që të organizojmë vendimmarrjen e këtij komisioni në mënyrë të koordinuar me sekretariatet teknike që do të filtrojnë propozimet për aktivitete për ngjarje të ndryshme.”

Për sa i takon kategorizimit të tematikave që do të zhvillohen, ato mund të grupohen në këto vendimmarrje që kanë të bëjnë me çështjen e mesazhit politik, të logos që shqyrtuam, por edhe të publicitetit ndërkombëtar, pasi ky është një eveniment shumë i rëndësishëm të cilin ne duhet ta trajtojmë ashtu siç duhet, për sa i përket zhvillimit që ka arritur Shqipëria edhe imazhin e ri që ka ajo sot. Krahas këtyre është e rëndësishme të kemi një bllok të veçantë që ka të bëjë me veprimtaritë publicistike, ekspozitat, botimet dhe aktivitete e tjera akademike.

Në këtë funksion ne kemi integruar disa aktivitete siç janë “Kolana e botimeve historike që do të bëhet këtë vit, botimin përmbledhës së gazetës së Qeverisë së Vlorës, mbledhjen e kujtimeve të personave të gjallë për atë ngjarje, e cila do të organizohet në tre përmbledhje “Shqiptarët për Shqipërinë” , “Të huajt për Shqipërinë” dhe “Shqiptarët për botën”. Gjithashtu i shtohen kësaj axhende Albumi për Ismail Qemalin, fotoekspozita për shpalljen e pavarësisë dhe për qeverinë e Vlorës, printimi i serisë së 100 vjetorit në monedhë dhe në pullë postare, aktivitetet universitare që ka planifikuar Universiteti i Tiranës në bashkëpunimin me universitetet e tjera. Do të përgatitet gjithashtu lista  e dekorimeve të figurave më të shquara për kontribute të veçanta që kanë dhënë në këtë eveniment të 100 vjetorit. Gjithashtu është planifikuar të bëhet një diplomë me logo të përbashkët për degët Histori-Filologji për hapësirën Shqipëri, Kosovë, si dhe gjithashtu të realizohet botimi dixhital i gazetës zyrtare.

Në vijimësi të tyre është një axhendë tjetër e veprimtarive kulturore, disa prej të cilave kanë filluar. Ndër to mund të përmendim konkursin kombëtar për monumentin e 100 vjetorit, janë aktivitetet e Qendrës së Studimeve Albanologjike me kalendarin përkatës, përmendorja  e presidentit Willson, një figurë shumë themelore e lidhur me këtë ngjarje, është seria e koncerteve festive gjatë gjithë vitit 2012, të cilat do të kulmojnë me koncertin më të madh, i cili do të bëhet simultan me evenimente kulturore dhe me shumë koncerte në kryeqytete të rajonit, të Evropës dhe të SHBA-ve, të cilat propozojmë që të bëhen në të njëjtën kohë. Gjithashtu, është planifikuar që me rastin e 100 vjetorit dhe me rastin e Presidencës Shqiptare të Këshillit të Evropës t'i japim dhe një dhuratë këtij institucioni shumë të rëndësishëm, për sa i takon konsolidimit të sistemit demokratik shqiptar.

Është e nevojshme që tërësia e këtyre aktiviteteve të ketë dhe një dimension infrastrukturor. Është e rëndësishme që të ndahen punët dhe me rrethet dhe pushtetin vendor për të bërë dhe ata investimet e caktuara në infrastrukturë.

Një dimension i  rëndësishëm dhe një grup i posaçëm do të ngrihet për të gjitha ato veprimtari që do të zhvillohen në trevat shqiptare dhe në ato qendra të mëdha të komunitetit shqiptar. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me përfaqësuesit më të lartë të qeverisë së Kosovës, të Maqedonisë dhe së shpejti të Malit të Zi, me qëllim që të ndjekim dhe axhendën e aktiviteteve që do të zhvillohen nga shqiptarët në trevat shqiptare të rajonit.

Një dimension i rëndësishëm i punës do të jetë dhe dimensioni buxhetor, i cili do të integrojë buxhetet  përkatëse që ka çdo institucion për festimin e 100 vjetorit dhe kontributin e posaçëm që do të jetë alokuar për këtë qëllim nga ana e qeverisë."

***

Më pas, kryeministri Berisha u shpreh lidhur me disa nga propozimet dhe idetë  e  ngritura nga anëtarët e Komiteteit Shtetëror për organizimin e veprimtarive festive për “Vitin e 100 - vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë”, në këtë mbledhje:

“Duhet të ngrihet një komision që të konceptojë “Dekoratën e 100 vjetorit të pavarësisë”, “Urdhrin e 100 vjetorit të pavarësisë”, të përzgjedhë listën e personaliteteve të huaja që duhet të nderohen me emrat e tyre në rrugë, me pllakata, me dekorata, bazuar në kontributin e tyre historik për këtë komb. Me bashkinë e Tiranës, Korçës, Vlorës, Shkodrës, etj., duhet të punohet në mënyrë që të hapet vend, sipas aktiviteteve dhe veprimtarive që kanë, të vendosen shtatore, buste, emra në rrugë, në shkolla dhe të marrin vendin që u përket personalitetet e vendit edhe ato të huaja. Ne kemi thënë që në Tiranë duhet të vendoset, detyrimisht, shtatorja e Ismail Qemalit, e Ahmet Zogut, por duhet të vendoset shtaroja e Hasan Prishtinës, në qoftë se zgjedhim një më kryesorin, ose le ta përcaktojnë historianët, të kryengritjeve të Kosovës. Sepse edhe ato ishin ngjarja më madhore e zhvilluar në ato vite.

Mendoj që po ky Komitet të përzgjedhë botimet. Është jashtëzakonisht e rëndësishme se çfarë do të botojmë ne, por edhe çfarë duhet të përkthejmë ne shkrime për shqiptarët. Për Kosovën është Noel Malcolm. Ka mjaft për shqiptarët, por ju duhet të përcaktoni se cilin nga librat e tjerë ne duhet ta përkthejmë në anglisht.

Ministria e Mbrojtjes, organizimi i rikthimit të eshtrave të Mbretit Zog dhe të ringritjes së varrezës mbretërore, e cila u shpartallua me dinamit dhe duke qenë aty e varrosur Nëna Mbretëreshë. Kjo duhet të ecë paralelisht me monumentin. Të përshpejtohen të gjitha proceset.

Në këtë 100 vjetor duhet të bëjmë përpjekjet më të mëdha që në kryeqytetet e vendeve mike të mund të gjejmë vend për përmendoren e Skënderbeut. Ai ekziston në disa vende. Le të shohim dhe në vende të tjera. Një komision duhet të vendosë se cilën përmendore duhet të adaptojmë. Ne mund edhe të hapim konkurs për një përmendore tjetër, por mund të merren edhe këta të dy, si Janaq Paço që ka përmendoren në Krujë apo Odise Paskali që ka këtë të Tiranës, pasi janë artistë të mëdhenj. Një komision të vendosë se cilën të adaptojë për ta vendosur. Ka disa vende që janë të gatshme dhe mirëpresin që ne, në bashkëpunim me bashkitë e këtyre kryeqyteteve, t’i vendosim në sheshet që do të caktojnë ata.

Guvernator i Bankës së Shqipërisë, shumë e mirë dhe domosdoshme ideja e prerjes së monedhës. Shteti në historitë e tij për disa vite funksionoi me monedhën e Unionit monetar Latin, e cila ishte flori dhe argjend, por u prish nga lakmia. Në mos gaboj, historianët ta saktësojnë, është qeveria e Lushnjës ajo që vendosi prerjen e parë, shkëputjen nga Unioni, por mund të jetë dhe më parë. E mora këtë rast, sepse ndoshta mund të bëhet një stilizim i monedhës së parë. Të bëhet një konkurs për këtë. Kjo bëhet për të nderuar, sepse ai ishte një vendim shumë i rëndësishëm që u bë për ta formësuar shtetin shqiptar me elementët e tij themelor. Ta shfrytëzojmë këtë 100 vjetor për promovim sa më të mirë te të gjitha aspekteve të këtij vendi.

Të nderuar zotërinj, duhet të kemi ‘Çmimin e Pavarësisë’ për veprat më të mira, për botimet më të mira, për studimet më të mira. Duhet të bëjmë diçka për ata që përkushtohen në këtë drejtim, që ata të kenë një mirënjohje, të kenë dhe një shpërblim. Kjo është një nxitje.

Të zhvillohet një konkurs mbarëkombëtar për pavarësinë e Shqipërisë, në të gjitha shkollat ku flitet shqip. Bëni çdo gjë që të ndezim tek shkollarët kënaqësinë e një konkursi për pavarësinë. Në shkolla duhet japim bursa, stimuj dhe të bëjmë më shumë se kudo tjetër, por në mënyrë fine, jo me folklor. Më pëlqen shumë, por duhet të shkojmë në një mënyrë që të jetë sa më e natyrshme për të rinjtë. Në të gjithë këto festime duhet të bëjmë gjithçka të ruajmë maksimalisht përmasën e qëndrimeve të qytetëruara dhe njerëzore. Ajo është dhe glorifikimi më i bukur që mund t’i bëjmë ne pavarësisë.

Zoti Bumçi, është shumë e rëndësishme që Federata Shqiptare e Futbollit të organizojë “Kupën e 100 vjetorit të pavarësisë”. Kupa e 100 vjetorit do të përfshijë të gjitha skuadrat e futbollit, nga Mitrovica në Gjirokastër, Tetovë e Kumanovë, kudo ku ka skuadra të kategorizuara. Pra të jetë një kupë mbarëshqiptare.”

*  * *

Në përfundim të mbledhjes, Kryeministri Berisha theksoi se një rëndësi përcaktuese  ka kostifikimi në mënyrë racionale  i cdo projekti  dhe veprimtarie që do të realizohet në kuadër të 100 vjetorit  të pavarësisë. Kryeministri bëri të ditur se janari do të jetë muaji i shqyrtimit të të gjitha veprimtarive që mendohen të zhvillohen brenda dhe jashtë vendit, në mënyrë që brenda datës 10 shkurt  të miratohen të gjitha aktivitetet.


12/01/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›