E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Drejtoreshën e Zyrës së KFW në Shqipëri dhe ambasadoren gjermane

Kryeministri Berisha prite sot, në takim, Drejtoreshën e Zyrës së KFW në Shqipëri zonjën Ute Rodrian, me rastin e mbarimit të mandatit të saj në krye të kësaj Zyre. Zonja Rodrian shoqërohej nga një delegacion i përfaqësuesve të lartë të KFW, ku ishte i pranishëm edhe Drejtori i ri i Zyrës, si dhe ambasadorja gjermane në Shqipëri Carola Müller-Holtkemper.

Kryeministri Berisha falenderoi zonjën Rodrian për punën e shkëlqyer në krye Zyrës së KFW në Shqipëri, për realizimin e një sërë projektesh shumë të rëndësishme  për vendin. Ju largoheni, - u shpreh Kryeministri - duke lënë mbrapa një vend shumë mik dhe shumë suksese.

Kryeministri falenderoi gjithashtu ambasadoren Holtkemper dhe Drejtoreshën e KFW Rodrian për ndihmën e paçmuar që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë në sektorë të rëndësishëm si ai i energjisë dhe ujit. Kryeministri tha se projektet e realizuara me sukses janë fryt i një pune të përbashkët të KFW me strukturat shqiptare dhe shprehje e një partneriteti të shkëlqyer midis dy vendeve. Kryeministri i uroi pasardhësit të zonjës Rodrian të njëjtin sukses në detyrën që po merr dhe i garantoi bashkëpunimin dhe mbështetjen e pakufi të qeverisë shqiptare për projektet në Shqipëri dhe ato rajonalë.

Nga ana e saj, ambasadorja Holtkemper falenderoi Kryeministrin Berisha për gatishmërinë dhe bashkëpunimin e frytshëm të qeverisë së tij me atë të qeverisë gjermane dhe strukturat e KFW. Ajo i shprehu gatishmërinë e qeverisë gjermane për të thelluar më tej bashkëpunimin.

Përfaqësuesit e KFW i shprehën gjithashtu, Kryeministrit, falenderimet për bashkëpunimin e suksesshëm në fusha të ndryshme dhe i paraqitën fushat e bashkëpunimit në të ardhmen, që konsistojnë në thellimin e atyre ekzistuese, energji, ujësjellës-kanalizime, si edhe thellim e bashkëpunimit në projekte në fushën e bujqësisë dhe në atë të mekanizmave financiarë.

Kryeministri Berisha, pasi i falenderoi për vazhdimësinë e bashkëpunimit dhe projektet e reja, theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve duhet të vendosë në qendër të tij financimin e sektorit privat në fushën e energjisë, të bujqësisë, duke prezantuar skema të reja mikrokredie e mënyra të tjera financimi.


13/01/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›