Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e degës kryesore të Bankës “Credit Agricole”, grup lider në sektorin bankar në Francë por dhe në Europë
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e degës kryesore në Tiranë të Bankës “Credit Agricole”, një lider në sektorin bankar në Francë, por dhe në Europë. Të pranishëm në inaugurim ishin edhe Drejtori Ekzekutiv i “Credit Agrocole” në Shqipëri, ambasadorja e Francës në vendin tonë zonja Christine Moro si dhe shumë të ftuar të tjerë.
Në fjalën e tij kryeministri e cilësoi hapjen e kësaj banke për financat dhe ekonominë si një ngjarje shumë të rëndësishme shpresëdhënëse dhe të mirëpritur. Duke shprehur mirënjohjen më të thellë për drejtuesit e kësaj banke, për vendimin që kanë marrë, kryeministri i siguroi ata se, qeveria do të bëjë gjithçka, për suksesin e tyre dhe të bankave të tjera në gjithë Shqipërinë. Në urimin e tij në hapjen e kësaj banke, kryeministri Berisha u shpreh :
"E nderuar zonja Ambasadore e Republikës Franceze, Christine Moro.
I nderuar zoti Luc Beiso, drejtor ekzekutiv i Credit Agricole në Shqipëri
Të nderuar zonja dhe zotërinj
Për sistemin bankar financiar të Shqipërisë, por në tërësi për financat e vendit dhe jetën e tij ekonomike, ristrukturimi i “Credit Agricole”, gjigantit bankar europian dhe botëror këtu në qendër të Tiranës, përbën një ngjarje shumë të rëndësishme shpresëdhënëse dhe të mirëpritur.
Me këtë vendim “Credit Agricole” ka dëshmuar një besim të madh në tregjet financiare të vendit, sistemit bankar të tij, por natyrisht në dinamizmin e konsoliduar të ekonomisë shqiptare. Ndaj dhe me këtë rast unë dua t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë ju, drejtuesve të kësaj banke të madhe, për vendimin që kanë marrë dhe t’ju siguroj se qeveria do të bëjë gjithçka, për suksesin tuaj dhe të bankave të tjera në gjithë Shqipërinë.
Sistemi bankar shqiptarë është sot një ndër më të shëndetshmit që ekziston, natyrisht ai përballet në mënyrë të padiskutueshme me pasojat e një krize të paprecedentë, por ka ruajtur integritetin, dinamizmin, përformancën e tij do të thosha në mënyrë të shkëlqyer.
Përshtatja e kësaj agjencie me të gjitha shërbimet ndaj klientit dhe ngritja e këtyre shërbimeve në nivel të ri, përbën një mundësi më të madhe, një akses më të gjërë të klientëve të degëve të ndryshme të ekonomisë, ndaj kësaj banke.
Zonja dhe zotërinj
“Credit Agricole” sëbashku me fermerin francez kanë ngritur bujqësinë e Francës në çatinë e bujqësisë së Europës dhe të Botës. Në këtë kontekst për fermerët shqiptarë ky është një ogur shumë i bardhë, shumë i mirë dhe jam i bindur se gradualisht “Credit Agricole” në Shqipëri do të jetë një instrument i fuqishme i nxitjes së prodhimit bujqësor në mbarë vendin, me agjencitë e tij.
Është rast për të përshëndetur të gjitha bankat e vendit, të cilat janë rritur dhe konsoliduar në mënyrë të pandërprerë . Sot ato kanë në mbarë vendin 534 nëndegë, që ju shërbejnë qytetarëve shqiptarë.
Punësojnë rreth 7 mijë punonjës, në tërësi më një kualifikim të shkallës më të lartë, u shërbejnë mijëra e mijëra klientëve.
Ndaj dhe duke e mbyllur këtë fjalë theksoj se, kjo është një dhuratë e mrekullueshme, që sistemi bankar francez dhe gjiganti “Credit Agricole”, që është kryesor në këtë sistem i bën sistemit bankar shqiptarë në prag të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.
Ndaj dhe më lejoni të uroj, ju zoti president dhe ju zonja ambasadore, të gjithë punonjësve të kësaj banke të madhe në Shqipëri, por edhe në Francë dhe ne Botë, gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri.
Faleminderit."
14/12/2012