Kryeministri Berisha merr pjesë në konferencën “Zhvillimi dhe Bashkëpunimi mes vendeve në luftën kundër varfërisë”
Kryeministri Berisha, gjatë vizitës së tij në SHBA, ishte i ftuar në Konferencën “Zhvillimi dhe Bashkëpunimi mes vendeve në luftën kundër varfërisë”, organizuar nga Millenium Challenge Corporation dhe Organizata “Interaction”.
Millenium Challenge Corporation, agjencia e qeverisë amerikane, e cila ndihmon vendet në zhvillimin e tyre, bazohet në parimin se ndihma më eficente ndaj këtyre vendeve është forcimi i një qeverisjeje të mirë dhe investimi tek njerëzit që promovojnë rritjen ekonomike.
“InterAction” është organizata-aleancë më e madhe në SHBA, e cila mbledh në gjirin e saj 180 Organizata Joqeveritare dhe e cila bashkëpunon ngushtë me qeveritë, por edhe me komunitetet lokale për të mundur varfërinë dhe për të rritur cilësinë e jetesës për njerëzit.
Gjatë takimit të organizuar nga këto organizma prestigjiozë jo vetëm në SHBA, por në mbarë botën, së bashku me Kryeministrin Berisha ishin të ftuar të referonin mbi luftën kundër varfërisë edhe liderë të tjerë nga vend, të cilat kanë përfituar nga programet e ndihmës së Millenium Challenge Corporatin.
Fjala përshëndetëse e Kryeministrit Berisha në këtë eveniment u fokusua mbi rëndësinë e reformave në luftën kundër korrupsionit, pjesë thelbësore e së cilës janë edhe hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare me mbështetjen jetike të Millenium Challenge Corporation.
Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen dhe falënderimin më të thellë për qeverinë e SHBA për ndihmën bujare që i kanë dhënë vendit përmes Millenium Challenge, duke nënvizuar se këto fonde ishin të një eficence dhe ndihme të madhe për zhvillimin e vendit.
Kryeministri i njohu të pranishmit me faktin se këto para u përdorën në disa projekte të rëndësishme e të suksesshme, të cilat ndryshuan shumë vendin dhe luftuan burokracinë dhe si rrjedhojë korrupsionin si Regjistrimi i Biznesit (ONE STOP SHOP), i cili ndihmoi shumë njerëzit e biznesit dhe komunitetin e biznesit në përgjithësi.
Më pas, Kryeministri u ndal në rëndësinë e Prokurimeve Elektronike në luftën me tolerancë zero kundër korrupsionit. Shqipëria, tha Kryeministri, është i vetmi vend që zbaton vetëm Prokurime elektronike.
Këto para, shtoi Kryeministri, kanë rëndësi, sepse reformat janë jetike për të luftuar korrupsionin. Kështu u krijua ONE STOP SHOP për lejet dhe licencat, menjëherë pasi qeveria hoqi 2 të tretat e tyre.
“Nuk ka asnjë mënyrë më të mirë dhe eficente për të luftuar varfërinë dhe mizerjen, sesa lufta kundër korrupsionit, ndaj jam shumë i lumtur se kjo iniciativë e nisur nga Presidenti Bush u mbështet plotësisht edhe nga Presidenti Obama. Kjo në bindjen time është një nga ndihmesat më të mëdha që SHBA i ka dhënë vendeve të tyre mike si Shqipëria”,- tha Kryeministri Berisha.
23/09/2009