E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me liderë botërorë në Samitin e Ndryshimit të Klimës në SHBA

Kryeministri i Shqipërisë, z. Sali Berisha mori pjesë, përkrah liderëve botërorë, në hapjen e Samitit mbi Ndryshimin e Klimës që zhvillon punimet në SHBA. Gjatë seancës së samitit, platenë e përshëndeti Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon.

Pas ceremonisë, në kuadër të Samitit të Ndryshimit të Klimës, Kryeministri Berisha ishte i ftuar në drekën zyrtare dhe pasdite mori pjesë në Tryezën e Rrumbullakët të Kryetarëve të Shteteve dhe të Qeverive, të cilët diskutuan gjerësisht mbi këtë temë kaq shqetësuese për mbarë botën.

Ndërkohë më herët, Kryeministri Berisha u takua me liderë botërorë dhe drejtues të organizatave ndërkombëtare, pjesëmarrës në sesionin e 64-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork. Z. Berisha pati rastin të takohet dhe të bisedojë me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon,  me Presidentin e Kinës Hujintao, si dhe me disa homologë të tij, Kryeministrin e Japonisë, Hotajama, Kryeministrin e Kuvajtit, Kryeministrin e Australisë, Kryeministrin e Zelandës së Re. Gjithashtu, Kryeministri u takua edhe me Presidentin e Austrisë, me Presidentin e Finlandës dhe disa personalitete te tjera, të pranishëm në Samit.

Gjatë bisedës me ta u diskutua dhe u shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet në Shqipëri, reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për integrimin e vendit në BE. Ne fokus te bisedimeve ishin gjithashtu edhe zhvillimet ndërkombëtare.

Kryeministri Berisha ftoi liderët botërorë të vizitojnë Shqipërinë si dhe u shprehu atyre gatishmërinë për një intensifikim të marrëdhënieve me vendet e tyre si në rrafshin politik ashtu dhe në atë ekonomik.


23/09/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›