Kryeministri Berisha merr pjesë në meshën e mbajtur në Durrës me rastin e riatdhesimit, pas 94 vitesh, të eshtrave të rilindësit dom Nikoll Kaçorri
Kryeministri Berisha ka marrë pjesë sot në Meshën e mbajtur në Katedralen e Shën Luçisë në qytetin e Durrësit, me rastin e riatdhesimit, pas 94 vitesh, të eshtrave të rilindësit dom Nikoll Kaçorri. Eshtrat e Imzot Kaçorrit deri më tani preheshin në Vjenë të Austrisë, por pas një kohe të gjatë përpjekjesh dhe me ndihmën e familjes Kaçorri, që jeton në Shqipëri dhe Kanada, me përkrahjen e ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Vjenë, me ndihmën e veçantë të Qeverisë austriake, si dhe me ndihmën e anëtarëve të Misionit Katolik Shqiptar është arritur që të zhvarrosen eshtrat e shtetarit themelues të Shqipërisë, klerikut dhe demokratit të shquar, duke mundësuar sjelljen e trupit te tij në atdhe. Imzot Nikoll Kaçorri, është një nga personalitet që firmosi Pavarësinë e Shqipërisë, ka qene nënkryetar i qeverisë së Vlorës në 1912 si dhe protagonist kryesor i zhvillimeve kulturore dhe politike me peshë kombëtare. Ai ishte pjesëmarrës edhe në Kongresin e Manastirit, ku u përcaktua alfabeti i gjuhës shqipe.
Gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha tha:
E nderuara zonja Kryetare e Parlamentit
Shkëlqesia juaj Imzot Rrok Mirdita
Shkëlqesia juaj Imzot Damian Kurti
Zotërinj ministra e deputetë
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Durrësit dhe mbarë Shqipërisë.
Sot jemi mbledhur në këtë ceremoni kishtare, për tu përulur me nderim të madh, për të shprehur së bashku me të gjithë shqiptarët ,mirënjohjen më të thellë, ndaj njërit prej burrave më të shquar të historisë sonë kombëtare, ndaj njërit prej personaliteteve, arkitektit kryesorë të pavarësisë së vendit, Dom Nikoll Kaçorrit. Burrit që do të zbriste nga kreshtat e Lurës për të mbetur përjetë kreshtë e virtyteve shqiptare, për të mbetur kreshtë frymëzimi dhe besimi të shqiptarëve tek zoti, tek vendi i tyre, tek flamuri, tek e ardhmja.
Dom Nikoll Kaçorri, u përket atyre burrave, të cilët dhanë për këtë komb dhe për këtë vend, më shumë se kushdo tjetër, dhanë për mëvetësinë, lirinë, dinjitetin e tyre.
Imzot Nipoll Kaçorri, shndërroi dioqezën e tij jo vetëm në një kështjellë besimi tek Krishti dhe zoti, por në një kështjellë besimi të pathyeshëm, tek flamuri dhe Shqipëri. Asgjë nuk ishte e rastësi, sepse ky qytet, mijëra vjeçar u përzgjodh për tu valëvitur flamuri i pavarësisë, kjo sepse flamuri kishte këtu flamurtarin e pamposhtur, kishte këtu Dom Nikoll Kaçorrin.
Në jetën e tij, të meshtarit kurrë ndonjëherë nuk ndau në punën e tij, porosinë e Krishtit dhe porosia e Krishtit për Dom Nikoll Kaçorrin, ishte “Jepi Shqipërisë atë që i takon”, dhe ky burrë i madh i dha Shqipërisë, i dha flamurit atë që i takon. Ja sepse në mbledhjen e parë të themelimit të pavarësisë etërit e saj në unanimitet të plotë do të përcaktonin dhe zgjidhin Dom Nikoll Kaçorrin si zëvendës kryeministrin e qeverisë së parë të shtetit shqiptarë të pavarur. Faktikisht ky kishte qenë arkitekti ndërtuesi i saj në territorin shqiptarë dhe e vërteta është, që pavarësia e Shqipërisë, erdhi si një akt konjukturor. Erdhi si akt konjukturor, sepse mbi 2/3 e territoreve të kombit u lanë jashtë pavarësisë. Kryengritjet e mëdha të Kosovës sollën pavarësinë e Kosovës, ato u udhëhoqën nga burra të mëdhenj si Hasan Prishtina, Isa Boletini etj, por në Shqipëri në krye të lëvizjes shqiptare dhe përpjekjes së shqiptare, ishte ai që do të emërohej zëvendëskryeministri i qeverisë së parë shqiptare, Dom Nikoll Kaçorri.
Babai i pavarësisë Ismail Qemali, të cilët shqiptarë përjetësisht i detyrohen për veprën e tij të madhe, ia doli ta shpëtojë nga kthetra dhe planet e ndarjes dhe këtë vend ku do shpallej pavarësia, erdhi në Durrës për ti dhënë flamurin, flamurtarit, por tradhtitë dhe përpjekjet e fundit të portës, e bënë të pamundur shpalljen e pavarësisë në këtë qytete dhe delegacioni u zhvendos në Vlorë, ku shpalli pavarësinë dhe ne presim me kënaqësi, dinjitet dhe mirënjohjen më të thellë 100 vjetorin e saj.
Imzot Rrok Mirdita
Imzot Damian Kurti
Unë dua të shpreh një mirënjohje shumë të thellë ndaj kishës shqiptare,kishës dhe autoritete austriake, që bënë të mundur, që sot ne të kemi në gjirin tonë, eshtrat e imzot Dom Nikoll Kaçorrit që të mund të prehet përjetësisht në tokën e tij.
Themeluesi i pavarësisë dhe kryesuesi i qeverisë së parë së bashku me Ismail Qemalin, do të detyrohej të largohej të mërgonte në Vjenë, atje i ra një sëmundje e rëndë, thuhet se ishte kancer, por atë nuk e mposhti kanceri, më të rëndë se kancerin më të rëndë se çdo gjë, ai kishte brengën e madhe për kombin dhe vendi. Shqiptarë në 2/3 e tyre lëngonin të pushtuar nga fuqia armike të tyre. Dhe jo se ata nuk luftuan, ata luftuan, për bashkimin e trojeve te tyre, për bashkimin e kombit të tyre, por sepse fuqitë më të madha ushtarake të botës u përdorën barbarish kundër tyre në mënyrë që fqinjët të mund të vendosnin pushtetin e tyre.
Qeverinë e Vlorës, bashibozukë, mercenarë, antishqiptarë, nën flamurin rroftë baba poshtë shkaba, do ta zhysnin vendin në kaos. Shqipëria do të hynte në një përpëlitje tjetër të madhe, për ti shpëtuar ambicieve lakmitare, lakmive të papërmbajtura të fqinjëve për copëtimin e saj, ndaj dhe një nga themeluesit kryesorë i pavarësisë vdiq me një brenge të madhe për vendin e tij.
Por krenaria jonë sot është se ky kthehet në një vend, i cili është vend anëtar i NATO-s ashtu siç edhe e kishte projektuar ai . Të mos harrojmë se Dom Nikoll Kaçorri, është një nga themeluesit e alfabetit shqiptare bashkë me Atë Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Motra Qiriaqi, i dhanë fjalës shqipe germën e vet të lindur, i dhanë alfabetit evokacionin shpirtëror të kombit shqiptarë.
Në kreshtat e Lurës apo në majat e Shalës, vërtet në kohën që jetoi në fëmijërinë e tij mbisundonte kanuni dhe ligje të tjera, por ashtu siç thotë një studiuese e madhe në librin e saj për majat e Shalës , ajo thotë se ato të tilla janë, por ato janë perëndimore. Kreshtat e Shalës dhe kreshtat e Lurë ishin perëndimor, ndaj dhe ky burrë u shkri një jetë të tërë për të projektuar kombin dhe vendin në familjen dhe kombet e vendeve evropiane.
Zonja dhe zotërinj
Sot kthehet i lumtur në tokën e tij, sepse shqiptarë janë të lirë ,sepse Kosova është e lirë, sepse shqiptarë kudo janë të lirë. Natyrisht, sot na del para ndonjë Haxhi Qamil, sërish bërtet rroftë baba, por këto janë don kishotër të historisë, Hapin tonë, vullnetin tonë, vendosmërinë tonë për të ecur drejt Europës, nuk do të mund ta pengojë asgjë. Dom Nikoll Kaçorri është një burim frymëzim i madh për Shqipërinë dhe shqiptarët në këtë rrugë
Zonja Kryetare Parlamentit
Imzot Rrok Mirdita
Imzot Damian Kurti
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Durrësit dhe mbarë Shqipërisë
Do ta mbyll fjalën time, duke shprehur bindjen më të thellë se për shqiptarë të besimit katolik, mysliman, ortodoks dhe për të gjithë ata që i thonë Shqipërisë, Shqipëri dhe Kombit, Komb, Dom Nikoll Kaçorri është dhe do të mbetet shenjtori i pavarësisë së kombit shqiptarë.
Faleminderit.
13/02/2011