Zhvillohet mbledhja e Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve
Sot, nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, u zhvillua mbledhja e Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve. Komiteti diskutoi për përcaktimin e financimit për projektet në zbatim. Kriteri bazë për financimin e tyre është realizimi i investimit në masën 51 deri në 100 përqind të tij. Kështu, do të financohen 87 projekte në infrastrukturën rrugore me vlerë prej 1.2 miliard lekë; 11 projekte të tjera rrugore, të cilat sapo kanë filluar apo kanë realizuar deri në 50 përqind të punimeve me vlerë 76 milion lekë; 68 ujësjellës, me vlerë disbursimi 403 milion lekë; 25 projekte të Ministrisë së Arsimit dhe projekte të tjera të Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Kulturës etj..
Kryeministri kërkoi nga Ministria e Bujqësisë të përshpejtojë procedurat për dy projektet e mëdha, të ullirit dhe arrorët, si dhe përparësimin e investimeve në arsimin e lartë dhe atë parashkollor.
Më gjerësisht në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Sot jemi mbledhur në Komitetin e Zhvillimit të Rajoneve, për të përcaktuar financimet që do të bëhen për projektet në zbatim. I kërkova sekretarit teknik të shtyjë edhe për një javë diskutimin për projektet e reja, pasi është e domosdoshme një studim më i plotë. Ne kemi kritere që në të vërtetë janë të drejta. Në këto kritere, marrin 20 përqind përparësitë për sektorë në zona të ndryshme për t’i zhvilluar, numri i popullsisë për secilin qark merr 25 përqind, niveli i varfërisë sipas qarqeve merr 35 përqind, përfitimi i investimeve në katër vitet e fundit, sipas sektorëve 20 përqind. Por tek ky kriter i fundit kemi nevojë ta shqyrtojmë më me hollësi, sepse në vitet që shkuan, me qëllim e vetëdije, ne kemi përparësuar në investimet tona zona, të cilat me zhvillimin e tyre mund të jepnin më shpejt prodhimin dhe mund të fuqizonin tregun. Kjo ka qenë një politikë e drejtë dhe nga kjo politikë, e mbështetjes së përparësive, nuk hiqet dorë, por, nga ana tjetër, në mënyrë të pamohueshme ka krijuar disbalanca që tani duhen kapërcyer, pasi nuk jemi më katër a pesë vite më parë, kur kjo politikë ishte shumë e drejtë, sepse ne donim me çdo kusht të fuqizonim apo përparësonim zhvillimin e qëndrueshëm në zona, ku impakti në prodhim do të ishte shumë i madh. Faktikisht, viti që kaloi ka shënuar dyfishim të disa eksporteve shumë të rëndësishme bujqësore dhe për këtë, ndër të tjera, një faktor i pamohueshëm është edhe politika që ne kemi ndjekur në mbështetje të këtyre zonave. Por ne nuk braktisim dhe jemi jashtë çdo koncepti sipas të cilit ka komuna apo rrethe që nuk ia vlen të investohet. Jo, në Shqipëri absolutisht nuk ekziston as një komuna, as edhe një rreth, në të cilin nuk ekzistojnë potenciale të mëdha zhvillimore. Kjo është e vërteta. Bazuar me këtë, Sekretariati po bën një studim në mënyrë që me projektet e reja të mund të shkojmë drejt një nivelimi, - nuk mund të nivelohet për një vit, sepse ajo ka qenë dhe mbetet një politikë e caktuar - por drejt zbutjes dhe nivelimit progresiv të shpërndarjes së investimeve. Këtu që përveç kësaj mbledhjeje, do të na duhet të mblidhemi javën që vjen për projektet e reja.
Sot kërkoj mirëkuptimin tuaj, jemi mbledhur për të bërë financimin e rreth 87 projekteve në infrastrukturën rrugore. Do të marrin financim të plotë për punën që kanë kryer të gjitha punimet, në të cilat janë realizuar nga 51 në 100 përqind të tyre. Kjo shumë është 1.2 miliard lekë për 87 projekte rrugore. Por do të financohen edhe 11 projekte të tjera, pra, në infrastrukturën rrugore gjithsej janë 98 projekte në përfundim ose në vazhdim, këtu përjashtohen rrugët kombëtare, por janë rrugë rurale dytësore. Në këto 11 projekte përfshihen projekte, të cilat sapo kanë filluar apo kanë realizuar deri në 50 përqind të punimeve. Shuma është 76 milion lekë.
Dua të theksoj se në tërësi kjo formulë që kemi përdorur, kjo praktikë me përqindje ka qenë thellësisht transparente dhe plotësisht e suksesshme dhe shkalla e gabimit ka qenë shumë e vogël. Por kur janë paraqitur ankesa të argumentuara, ka pasur raste si p.sh një komunë në Tepelenë që ka dhënë argumente se mos përfshirja e punimit në listë nuk qëndronte, është rivendosur. Këtë po e them për ta ditur të gjithë kryetarët e komunave e bashkive se ky është kriteri dhe se ata, në rast se është bërë ndonjë gabim i vogël, me dokumente mund ta faktojë, sekretari teknik është i gatshëm ta vendosë në kriter, mbi bazën e vendimit të Komitetit. Për ne ka rëndësi që disbursimi të jetë plotësisht transparent.
Në infrastrukturën rrugore në total janë 98 projekte. Gjithashtu janë për t’u financuar 68 ujësjellës, të cilët kanë kryer 100 përqind punimet dhe ky është një zhvillim shumë pozitiv. Janë dhjetëra mijëra qytetarët që me këto investime u garantohet furnizimi 24 orë me ujë. Disbursimi për to është 403 milion lekë. Po ashtu janë projekte të Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Kulturës, 25 projekte të Ministrisë së Arsimit që në përputhje me punimet do të marrin edhe financimin që meritojnë.
Projektet e reja do të vlerësohen në përputhje me kriteret që cituam më sipër dhe do të miratohen. Është shumë e rëndësishme që disa objektiva, sado që ndonjëherë janë jo me të njëjtin fizibilitet, por janë projekt kombëtar, ne do t’i ndjekim ato. Në rast se themi se nuk braktisim një komunë, ne duhet të ndërtojmë infrastrukturën aty, se për ndryshe përse do të jetojë një qytetar aty, në rast se ajo lidhet me aksin kombëtar me një rrugë si 500 vjet përpara. Atë rrugë e ka pasur ai, tani e ka me çakull. Unë e kuptoj që në këto komuna mund të mos ketë edhe shumë banorë, por, prapë se prapë, asnjë prej tyre nuk është për t’u braktisur. Veçanërisht me projektin e dytë të madh që fillon me arrorët, ne hapim një perspektivë reale të shkëlqyer kudo, por 91 komuna janë të palidhura me asket kombëtare. Ne do t’i qëndrojmë plotësisht kësaj që brenda këtij mandati çdo komunë të jetë e lidhur me aksin kombëtar në një hapësirë kohore 20 maksimumi 30 minuta. Ne do t’i ndërtojmë ato, edhe pse kanë çmim, por ne do t’i japim atyre mundësi të konsiderojnë shumë seriozisht zhvillimin e potencialeve që ata disponojnë në komunën e tyre.
Po kështu është e domosdoshme që të përparësojmë investimet në arsimin e lartë. Ne kemi disa shkolla, ndërtimi i të cilave është emergjente, si në Kamzë, Paskuqan, ku për shkak të numrit shumë të madh të nxënësve, në shkolla punohet pothuajse me tre turne dhe kjo është e papranueshme. Nga ana tjetër, përparësi madhore do të jenë kampuset universitare dhe arsimi parashkollor. Ne duhet të lëvizim me investimet në këto dy drejtime. Kishim konviktet, kishim e kemi ndërtime në shkolla, por tani ka një realitet tërësisht tjetër në arsimin universitar, një realitet që pesë vjet më parë ishte tre herë më modest. Ndaj edhe këtu, me investimet që bëhen në fushën e arsimit, me të gjithë vështirësitë që kemi është e domosdoshme të përparësohen këto dy drejtime. Universitet nuk mund të qëndrojnë më pa kampuset e tyre. Aty, ku nuk i kanë, t’i ndërtojmë. Ndërtimet për universit ne duhet t’i bëjmë me kampuse. Nuk mund të ndërtohet një ndërtesë këtu sot, një tjetër aty ku të gjendet. Këto janë ndër zhvillimet më të rëndësishme, më pozitivet në kryeqendrat, ku ato janë hapur. E vërteta është se me gjithë këtë urbanizim të madh që ka pësuar vendi, nuk është pakësuar aspak numri i studentëve në universitetet e rajoneve. Kudo që janë hapur, ato janë mbushur me studentë dhe kjo është një lehtësi shumë e madhe ekonomike për familjet shqiptare, për shkollimin e vajzave e djemve të tyre. Është tjetër ta sjellin në Tiranë dhe tjetër ta ketë universitetin në Fier, Berat, Vlorë apo Shkodër. Pavarësisht se mund te ketë pasur ndonjë lloj skepticizmi nga pozita elitariste, fakt është se ato e kanë justifikuar dhe e justifikojnë plotësisht veten e tyre.
Natyrisht, Ministria e Bujqësisë duhet të përshpejtojë procedurat për dy projektet e mëdha, të ullirit dhe arrorët. Sikundër të përfshijë edhe një seri kulturash dhe zërash të tjerë që nuk janë mbështetur nga granti i qeverisë. Moment shumë i rëndësishëm këtu është që të jepet kundrejt regjistrimit të numrit të punonjësve. Në rast se ne mbështesim zona intensive, pra, zona prodhimi, kërkojmë që të regjistrojnë numrin e punonjësve. Besoj se kjo është kërkesa më elementare. Në qoftë se mbjellin 2 hektarë vresht, kanë dikë të punësuar aty. Ndaj është e domosdoshme që në këto grante që jepen, të jepen duke e shoqëruar me numrin e të punësuarve, për aq sa është punësimi në to, është punësim dhe punësim i sigurt.
Edhe Ministria e Mjedisit e Pyjeve është e domosdoshme të riorientohet dhe ta konsiderojë pyllëzim mbjelljen e arrorëve dhe ullirit. Është dru midis frashrit, plepit, vidhit apo drurëve të tjerë, ne duhet të preferojmë drurët frutorë. Jo se këto drurë nuk kanë vend, por në këtë periudhë të përparësojmë e ta shtrijmë konceptin e pyllëzimit për të ecur me projektin. Sigurisht, ne do t’i rikthehemi drurëve tanë tradicionalë, ku lisi është mbreti i të gjithë drurëve të pyllit. Po të lexoni për kohërat e hershme, për lisin e Shqipërisë ka një apoteozë të vërtetë në kohërat romake, me cilësitë e tij më të mira. Por tani për tani duhet të jemi pragmatikë. Duhet të përpiqemi që çdo gjë që shpenzojmë për pyllëzim të shkojë në drejtim të drurëve frutorë. Më vonë, kur të ketë progres në këtë projekt, ne hapemi edhe drejt drurëve të tjerë. Edhe halorët duhet të jenë arrorë. Të ardhurat që Zvicra realizon nga farat e pishave, pisha e gurit, cedrat, gjithçka duhet të eci në linjën e kësaj politike. Pisha e gurit në Shqipëri mund të bëhet pantotenike, njësoj si në Zvicër, pasi edhe ne kemi gurët, malet dhe lartësinë.
11/02/2011