Kryeministri Berisha merr pjesë në ndarjen e diplomave për studentët e Fakultetit të Mjekësisë, Farmacisë dhe Stomatologjisë
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, Farmacisë dhe Stomatologjisë. Ceremonia e zhvilluar në Teatrin e Operas dhe Baletit kaloi në një atmosferë festive dhe mjaft të ngrohtë, ku kryeministri Berisha falenderoi pjesmarrësit për ftesën që i kishin bërë, si dhe i uroi atyre mbarësi në profesionin fisnik që ata kanë zgjedhur.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh:
I nderuar zoti rektor Dhori Kule, të nderuar zotërinj ministra të Arsimit, Tafaj dhe të Shëndetësisë, Vasili, zoti dekan Alfred Priftanji, të dashur profesorë, pedagogë e pedagoge, të dashur studentë dhe studente, prindër dhe familjarë të diplomantëve të Fakultetit të Mjekësisë, Farmacisë dhe Stomatologjisë.
Së pari dua t’ju falenderoj me mirënjohje të thellë që më ftuat sot të ndaj me ju, gëzimin e madh të kësaj dite, një nga ditët më të rralla më të shënuara në jetën tuaj të bukur. Ju përgëzoj ju, sepse sot ju vendosni kurorë në një përpjekje të madhe, jo vetëm 6-vjeçare, por të gjithë viteve të shkollës, që nga klasa e parë gjer në vitin e gjashtë të Fakultetit të Mjekësisë. Sot secili prej jush sheh të realizuar ëndrrën më të bukur që ju keni patur, keni ëndërruar gjatë viteve të rinisë juaj, Ndaj dhe dua t’ju uroj nga zemra sukses, t’ju uroj mbarësi, t’ju uroj që të shkëlqeni gjithnjë e më shumë, në më fisnikun e të gjitha profesioneve, atë të bluzave të bardha, të mjekut të farmacistiti, të stomatologut.
Por unë dua të falenderoj dhe të shpreh nderimin tim më të madh për prindërit tuaj, të cilët sot e kanë një ditë gëzimi dhe krenarie sa ju, dhe mbase edhe më shumë se ju, sepse sot ata shohin një ëndërr të realizuar, shohin të realizuar projektin më të mirë për fëmijët e tyre. Dhe nuk ka dhuratë më të bukur që familja, prindërit, i bëjnë fëmijës, se sa shkolla dhe arsimi. Në fakt ajo është dhuratë e familjes! Shoqëria ka bërë të veten, por asnjëri prej jush pa mbështetjen dhe ngrohtësinë familjare, por edhe pa atë sakrificë të përditshme familjare, që ju të keni sukses në shkollë, zor se do të kishte arritur, këto që keni arritur gjer më sot. Ndaj le të shprehim së bashku nderimin për to. Ju jeni gjeneratë e re mjekësh, farmacistësh, stomatologësh, të viti 2009, por ju vazhdoni një traditë të shkëlyqer, një traditë të një fakulteti, i cili në të vërtetë, në përpjekje të mëdha të përbashkëta të pedagogëve, të studentëve profesorëve, asistenëtëve, ka hedhur bazat e mjekësisë moderne shqiptare, ka hedhur bazat e kërkimit shkencor, ka hedhur bazat e aplikimit të metodave më moderne të diagnostikimit, të mjekimit, të parandalimit të sëmundjeve. Unë kam bindje, se ju këtë traditë do ta zhvilloni me sukses edhe më tej dhe mjekësinë shqiptare do ta lartësoni gjithnjë e më shumë.
Të dashur studentë dhe studente!
Midis të gjitha profesioneve, ky i mjekut, i farmacistit, i infermierit, i stomatologut, është më fisniku, është më njerëzori dhe është misioni i sakrificave më të mëdha. Ju hyni aty ku askush tjetër, përveç jush, nuk mund të hyjë. Ju ndani me të sëmurët dhimbjen, ju ndani me të sëmurët shqetësimin e madh, ju ndani me të sëmurët dëshpërimin. Por ju, me vendimet tuaja, më shumë se çdo gjë tjetër përcaktoni shërimin, jetën shëndetin dhe të ardhmen e tyre. Në këtë kontekst nuk ka vendimarrës më të rëndësishëm se ju dhe çdo ditë që kalon, çdo shkallë që ngjisni në karrierën tuaj fisnike, më të mëdha, më të rënda bëhen vendimet që ju do të merrni për jetën e fëmijëve, të rinjve, burrave dhe grave që luftojnë më sëmundjet, një armik i pamerituar i njeriu, në shtretërit e klinikave, ku ju do të punoni. Ndaj edhe mund të them se keni patur fat që keni përzgjedhur mjekësinë, keni përzgjedhur profesionin më fisnik.
Jam sot këtu për t’u zotuar ndaj jush, se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për t'ju mbështetur ju dhe profesionin tuaj fisnik. Do të ndërrmarrë reformat më të thella, në mënyrë që ju të mund të qëndroni në lartësinë e këtij profesioni. Fakulteti i Mjekësisë, i cili udhëheq zhvillimin e mjekësisë dhe të sistemit shëndetësor në tërësi në Shqipëri, do të njohë një reformë të thellë. Shqipëria shpejt do të ketë universitetin e saj mjekësor. Shqipëria së shpejti do të angazhohet në një nga reformat më të thella të këtij sistemi, në mënyrë që t’u sigurojë qytetarëve tanë shërbimin më të mirë, më cilësor për shëndetin e tyre, familjarëve dhe fëmijëve të tyre. Sistemi shëndetësor është një sistem jetik, i cili do të zhvillohet në vend në dy drejtime. Sistemi publik do të forcohet gjithnjë e më shumë. Nuk ka e nuk mund të ketë qytetarë shqiptar, që të mos gëzojë të drejtën e të gjitha shërbimeve në këtë vend, pavarësisht nga statusi i tij ekonomik. Sikundër do të nxisë me të gjitha mjetet sektorin privat, si një domosdoshmëri për të tërhequr burimet më të mëdha të mundshme financiare në fushën e shëndetit, në luftën kundër sëmundjeve, parandalimit të tyre. Do të përckatojmë një bashkëveprim të frytshëm, të qartë dhe transparent midis këtyre dy sistemeve. Në interes të sëmurëve, do të vendosim të ngrejmë të gjitha shërbimet më të mira për të sëmurin, në mënyrë që të garantojmë cilësinë më të lartë të këtyre shërbimeve
Edhe një herë dua t’ju përgëzoj për këtë ditë të bardhë të madhe të jetës suaj. Ju uroj ta përmbushni me nder mision e madh dhe fisnik. Dua të përshëndes këtu të gjithë miqtë e mi, pedagogë e pedagoge, profesorë e profesore, asistentë, që me aq përkushtim kanë punuar për përgatitjen tuaj, me aq përkushtim drejtojnë klinikat, laboratorët, udhëheqin klinkat e vendit, spitalet dhe i siguroj se do të kenë mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare.
Ju faleminderit!
09/10/2009