Kryeministri Berisha merr pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes për certifikimin e gjuhës angleze, mes Universitetit të Tiranës dhe ETS Global
- Kryeministri Berisha: Gara e dijes është gara lider për kombin e shoqërinë dhe sot, gjuha e garës është anglishtja.
- Kombi duhet të jetë bi-linguard, me gjuhë shqip dhe anglisht. Të gjitha kombet që kanë arritur këtë standard kanë përfituar shumë prej tij dhe kanë arritur nivele të larta të zhvillimit.
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptim midis Universitetit të Tiranës dhe ETS Global. Sipas kësaj marrëveshjeje, të dy institucionet bien dakord për të ndërtuar një marrëdhënie partneriteti afatgjatë, i cili përfshin të gjitha shërbimet që ofron ETS.
Ky partneritet do të fillojë me ofrimin e dy testimeve të gjuhës angleze të lëshuara nga ETS, të cilat janë TOEFL dhe TOEIC nga Universiteti i Tiranës. Këto dy testime të cilat jepen në formën “paper- based” do t’i jepen Universitetit të Tiranës si ekskluzivitet për Shqipërinë. Të dy institucionet bien dakord që partneriteti i tyre do të vazhdojë në përfshirjen edhe të testimeve të tjera të njohura ndërkombëtarisht, të lëshuara nga ETS.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ambasadori i SHBA në Tiranë Aleksandër Arvizu, Rektori i Universitetit të Tiranës Dhori Kule, Drejtori i Përgjithshëm i ETS Global, z. Zoubir Yazid, pedagogë e studentë.
Kryeministri Berisha shprehu bindjen se kjo është një nga marrëveshjet më të rëndësishme që firmoset me një institucion privat të SHBA, si ETS Global. Duke theksuar faktin se për një vend të lirë, gara është konstantja e tij më e madhe, Kryeministri tha se sot, gjuha e garës është anglishtja. “Ndaj edhe vendimi i qeverisë, i kësaj mazhorance, e bën Shqipërinë, sipas dijenisë sime, vendin e vetëm në Europë; “anglishtja me ligj”, theksoi Kryeministri.
Kryeministri theksoi se, duke i dhënë një përparësi të padiskutueshme gjuhës angleze në vendin tonë, nuk zvogëlohet aspak hapësira për gjuhët e tjera të bukura kombeve të Evropës e botës, por përkundrazi, u jepet atyre një dimension i ri, i merituar.
Gjithashtu, Kryeministri inkurajoi rektoratet e universiteteve tona që të përparësojnë gjithnjë e më shumë testet në të gjitha fushat, sepse ato janë objektiva ambiciozë e fisnikë për t’u realizuar, janë rrugë e sigurt për të rritur cilësinë në sistemin tonë arsimor.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“I nderuar zoti Ambasador i SHBA Arvizu,
I nderuar zoti Kule, Rektori i Universitetit të Tiranës,
I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i ETS Global, zoti Zoubir Yazid
Të nderuar pedagogë, profesorë, student të Universitetit të Tiranës,
Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qeverinë amerikane, me shtete të veçanta të SHBA, me sipërmarrjen private të këtij vendi të madh, ne kemi firmosur shumë marrëveshje gjatë këtyre 20 viteve. Këto marrëveshje kanë qenë marrëveshje shumë të rëndësishme, të cilat kanë dhënë një ndihmesë shumë të madhe në ndryshimin e Shqipërisë, marrëveshje të bazuara në projekte që i kanë mundësuar Shqipërisë të lerë pas një prapambetje shumë të thellë, marrëveshje me kompani private me të cilat Shqipëria ka kompletuar ndërtimet më të mëdha të të gjitha kohërave.
Unë erdha këtu me bindjen se kjo është një nga marrëveshjet më të rëndësishme që ne firmosim me një institucion privat të SHBA, ETS Global. Për një vend të lirë, gara është konstantja e tij më e madhe. Për ata të cilët kanë humbur kohë shumë në historinë e tyre, gara është shumë e rëndësishme. Midis të gjithave garave, gara e dijes është gara lider për kombin e shoqërinë. Sot gjuha e garës është anglishtja, sot gara ka njohur orën globale, orën universale në të gjitha fushat. Ndaj edhe vendimi i qeverisë, i kësaj mazhorance, e bën Shqipërinë, sipas dijenisë sime, vendin e vetëm në Europë; “anglishtja me ligj”. Kjo ka pasur si shkak edhe faktin se ne përjetuam një izolim shumë të thellë dhe, me gjithë kërkesën dhe dhuntinë tonë për gjuhët e huaja, nuk ka qenë e mundur që njohja e gjuhëve të huaja të marrë përmasat e duhura, në këtë vend. Unë dua t’u shpreh një nderim shumë të madh studentëve dhe të rinjve shqiptarë të cilët e mirëkuptuan këtë ligj që, në pamje të parë, si çdo ligj tjetër, ka aspektin e arbitraritetit.
Dua të përshëndes Rektoratin që, në zbatim të këtij ligji, kurorëzon sot një marrëveshje shumë të rëndësishme, një bazë të fuqishme për përshpejtimin e realizimit të objektivit tonë. Kombi duhet të jetë bi-linguard, me gjuhë shqip dhe anglisht. Të gjitha kombet që kanë arritur këtë standard kanë përfituar shumë prej tij dhe kanë arritur nivele të larta të zhvillimit, - natyrisht jo vetëm nga ky standard, por para së gjithash e mbi të gjitha sepse kanë qenë kombe të lira. Por ne sot jemi një komb i liri dhe duhet të lakmojmë standarde të larta.
Duke i dhënë një përparësi të padiskutueshme gjuhës angleze, unë jam i sigurt se nuk zvogëlojmë dhe nuk ngushtojmë aspak hapësirën për gjuhët e tjera të bukura të vendeve, kombeve të Evropës e botës, në vendin tonë. Jo, përkundrazi, ne i japim një dimension të ri, të merituar, gjuhës së huaj në Shqipëri. Në të gjitha shkollat e mesme do të jenë 2 gjuhë të huaja. Në maturë, anglishtja do të jetë gjuhë e detyrueshme. Ne, veçse operojmë me një dhunti të pamohueshme të shqiptarëve, dhuntinë për të qenë ndër më të mirët poliglotë. Gjuha jonë është buzore dhe jo qiellzore, por të paktë janë ata që shqipërojnë më mirë anglishten sesa shqiptarët. Kemi një spektër të mrekullueshme të zanoreve dhe bashkëtingëlloreve që na lejojnë ne të jemi kalorës të çdo lloj gjuhe të huaj.
Edhe njëherë, do ta mbyll duke përgëzuar këtë marrëveshje jashtëzakonisht të rëndësishme dhe të inkurajoj rektoratet e universiteteve tona që të përparësojnë gjithnjë e më shumë testet në të gjitha fushat, sepse ato janë objektiva ambiciozë e fisnikë për t’u realizuar, janë rrugë e sigurt për të rritur cilësinë në sistemin tonë arsimor.
Faleminderit”.
05/04/2011