E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në një ceremoni festive me familjet e ushtarakëve shqiptarë në misionet paqeruajtëse jashtë vendit

Ne jemi mbledhur sot krenarë për ushtarakët tanë në mision, por dua të  falënderoj gjithashtu edhe familjet  e tyre, të cilat ndajnë me bijtë dhe bashkëshortët e tyre, sakrificën në emër të interesit të madh kombëtar

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në një ceremoni festive të organizuar me familjet e ushtarakëve shqiptarë që në ndodhen të shpërndarë në misione paqeruajtëse nëpër botë. Duke shprehur mirënjohje për realizimin e detyrës së vështirë në Afganistan, çad, e Bosnje, Kryeministri Berisha falënderoi ushtarakët shqiptarë, si dhe u përcolli, prindërve bashkëshortëve dhe fëmijëve të pranishëm, ndjenjën e lartë të krenarisë që kombi dhe qeveria shqiptare ka për familjarët e tyre jashtë atdheut. Gjatë këtij aktiviteti, u realizua edhe një bisedë telefonike mes kryeministrit Berisha  dhe major Abaz Bregut që shërben në Herat, në Afganistan, si dhe major Besim çelës, me detyrë në çad, ku shkëmbyen falënderimet dhe urimet me rastin e festave të fundvitit.Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri Berisha u shpreh:
I nderuar ministri i Mbrojtjes, zoti shef i Shtabit të Përgjithshëm, zotërinj ushtarakë, të dashur prindër familjarë bashkëshortë dhe fëmijë të ushtarakëve tanë në Afganistan, çad, Bosnje dhe kudo që ndodhen. Ju përshëndes shumë përzemërsisht ju prindërve, bashkëshortëve, familjarëve, fëmijëve të ushtarakëve që përfaqësojnë kombin tonë në zonat më të nxehtat të planetit, përfaqësojnë vullnetin e hekurt të kombit shqiptar dhe të qeverisë shqiptare për të dhënë kontributin e vet modest në paqen dhe sigurinë botërore, si rruga më e sigurtë për të patur paqe dhe siguri në vendin tonë, në shtëpinë tonë.
Sot ne jemi mbledhur këtu për festuar pak çaste së bashku, por gjithashtu për të nderuar baballarët, bashkëshortët, djemtë tuaj, vajzat tuaja, të cilët janë sot në një detyrë, më të rëndësishmen. Për shkak të kësaj detyrë, ata këtë Vit të Ri nuk e bëjnë dot në familjet e tyre, nuk e bëjnë dot në vendin e tyre. Por festa këtu së bashku, është mesazhi më i shkëlqyer që ne u dërgojmë atyre për Vitin e Ri. Festa së bashku është së pari një ndjenjë e veçantë krenarie për ta. Ne jemi mbledhur sot krenarë me ushtarakët tanë në Afganistan, çad , Bosnje dhe kudo që ndodhen, për detyrën që ata kryejnë, për mënyrën e shkëlqyer se si ata e kryejnë, për përfaqësimin dinjitoz që ata na bëjnë ne; ne jemi mbledhur sot mirënjohës ndaj tyre, sepse ata janë në një sakrificë të vazhdueshme. Në këtë kontekst sakrifica e tyre është edhe ajo një kontribut i kësaj feste që ne bëjmë sot këtu. Ne jemi mbledhur sot të urojmë së bashku, një vit të gëzuar, një vit me suksese, një vit plot shëndet për fëmijët bashkëshortët prindërit familjarët e ushtarakëve tanë në misione jashtë shteti. Por jemi mbledhur edhe me urimin më të përzemërt për ta, për t’i uruar atyre një vit të gëzuar, për t’i uruar atyre faqe të bardhë në misionin e tyre, për t’i uruar atyre që të kthehen shëndoshë e mirë, në gjirin e familjeve që i presin me padurim. Sot jemi mbledhur gjithashtu për t’ju falënderuar ju, ne emër të qeverisë dhe të kombit, familjet të ushtarakëve tanë, të cilat ndajnë me bijtë dhe bashkëshortët e tyre sakrificën në emër të interesit të madh kombëtar. Ndaj dhe unë dua t’ju shpreh ju  një falënderim dhe mirënjohje të veçantë, si dhe t’ju siguroj se në këtë periudhë natyrisht më shumë se në çdo kohë tjetër, ne do të ecim së bashku në çdo problem, në çdo hall apo dert që ju do të keni. Komanda, qeveria do të bëjë çdo gjë që boshllëkun e ushtarakëve tanë ta bëjë sa më pak të ndjeshëm në familjet e tyre. Edhe një herë ju uroj gëzuar, një vit me mbarësi, një vit me mirësi për ju të gjithë.
Faleminderit!

29/12/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›