Kryeministri Berisha viziton Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Katedralen e Shën Palit në Tiranë, me rastin e Krishtlindjeve

- Kryeministri Berisha uroi që Krishtlindjet e tjera ti festojmë me lëvizje të lirë në mbarë Evropën, me një përparim të mëtejshëm në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, me më shumë punë për shqiptarët dhe me një betejë të suksesshme kundër varfërisë
Sot në mesditë, Kryeministri Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, znj. Liri Berisha zhvilloi një vizitë në Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, me rastin e festës së Krishtlindjeve. Kryeministri u prit nga Hirësia e tij, Kryepeshkopi Anastasios Janullatos dhe drejtues të tjerë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Në mesazhin e tij të urimit, nëpërmjet mediave, Kryeministri Berisha u shpreh: “është një rast i shkëlqyer për t’i uruar sot nga zemra të gjithë besimtarëve ortodoks shqiptarë, besimtarëve të krishterë dhe besimtarëve të Zotit, gëzuar këtë ditë të shenjtë, këtë ditë të madhe, ditë e cila shënon lindjen e Krishtit, moment ky që ndau kohërat dhe historinë. Asgjë s’ka ndikuar më fuqishëm në historinë e qytetërimit sesa lindja e Krishtit. Kjo është një ditë që frymëzon besim të madh, shpresë, dashuri, mirëkuptim dhe forcë për njeriun.
Ndaj dhe një herë, le të urojmë që Krishtlindjet e tjera ti festojmë edhe më mirë. Këto Krishtlindje ne i festojmë si një vend anëtar i NATO-s, ç’ka do të thotë se urimi ynë, dëshira dhe ëndrra jonë u bë realitet. Krishtlindjet e tjera uroj që ti festojmë me lëvizje të lirë në mbarë Evropën, atë që presim, me një përparim të mëtejshëm në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, me më shumë punë për shqiptarët dhe me një betejë të suksesshme kundër varfërisë.
Faleminderit!”
***
- Kryeministri Berisha u shpreh se një urim i Krishtlindjeve të një viti më parë është bërë realitet, Shqipëria u anëtarësia në NATO, ndaj, sot le të urojmë të gjithë së bashku për lëvizjen e lirë, më shumë punë për shqiptarët, më pak varfëri, mirëkuptim dhe një besim më të madh tek e ardhmja që meritojnë
Më pas, Kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij znj. Liri Berisha, vizitoi Katedralen e Shën Palit në Tiranë, ku u prit nga Arqipeshkvi Metropolit i Tiranës dhe Durrësit, Imzot Rrok Mirdita.
Duke i përcjellë urimet më të përzemërta besimtarëve katolikë, Kryeministri Berisha u shpreh: “Urimet me të përzemërta të gjithë besimtarëve katolik shqiptarë, besimtarëve të krishterë, besimtarëve të Zotit, por edhe një mirënjohje të thellë ndaj Imzot Rrok Mirditës dhe të gjithë udhëheqësve shpirtëror të kombit, të cilët me një përkushtim të jashtëzakonshëm, me sakrifica të mëdha, ndihmuan rindërtimin e vlerave të mëdha shpirtërore, hyjnore të njeriut në Shqipëri.
Shqiptarët i festojnë këto Krishtlindje si anëtarë të NATO-s. Pra, një urim i Krishtlindjeve të një viti më parë është bërë realitet. Sot le të urojmë të gjithë së bashku për lëvizjen e lirë, më shumë punë për shqiptarët, më pak varfëri, mirëkuptim dhe një besim më të madh tek e ardhmja që meritojnë. Edhe njëherë Gëzuar!
Shpreh kënaqësinë që këtë vit Krishtlindjet janë festuar më masive, më të fuqishme, më të bukura se asnjëherë më parë. Më të bukura le ti festojmë Krishtlindjet që vijnë.”25/12/2009