E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit pritje festive me drejtues të medias, gazetarë e analistë.

Drejtues të medias, botues, gazetarë, analistë e drejtues të emisioneve televizive u pritën sot në mjediset e Kuvendit nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në një takim shumë të veçantë për festat e fundvitit.
 
Në atmosferën e ngrohtë festive të krijuar, Kryetarja e Kuvendit u takua e bisedoi me ta, duke uruar mbarësi, suksese e sa më shumë lajme të mira në vitin që po vjen.
 
Kryetarja e Kuvendit u ul me rradhë në tryezat e miqve të ftuar,  duke biseduar për politikën, gazetarinë por edhe për punën, familjen, dhe pritshmëritë për vitin 2010. 
 

Duke falënderuar të gjithë për punën dhe  përkushtimin e tyre në këtë mision sa të vështirë aq edhe të rëndësishëm, Kryetarja e Kuvendit tha se është e vërtet se politika  ushqen mediat çdo ditë me lajme, po aq sa është e vërtetë që edhe politika ushqehet me  lajmet e medias çdo ditë.
 
Në fakt, tha ajo, politika dhe media janë si dy pllaka tektonike. Jo gjithmonë raportet i kanë shumë të ngrohta, por nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën.
 

Unë e di sesa orë të zgjatura, sa punë të madhe, se më çfarë  shpejtësie ju përcillni lajmin. Në një farë mënyre unë jam e apasionuar pas medias. Kur kam pak kohë të lirë kaloj me rradhë të gjitha stacionet për të ndjekur çdo lajm, çdo koment, çdo gjë të re  që përcillet.
 
Ne po mbyllim një vit të mbarë. Në jetën time politike nuk di një vit më të mbarë në termat politik, të integrimit ekonomik për vendin tonë sesa ky vit.
 

Kam parasysh anëtarësimin në NATO, mbylljen e ratifikimit të MSA-së, dorëzimin e kërkesës për statusin e vendit kandidat, përgjigjen pozitive të 27 vendeve te BE-së në miratim të kërkesës sonë, rezolutën e Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave. Në një kohë kaq të shkurtër, ngjarje kaq të mëdha në procesin integrues Shqipëria nuk ka pasur, ndaj dhe e konsiderojmë një vit të suksesshëm dhe të mbarë. 
 
Për këtë dua tju falënderoj edhe ju dhe jam e sigurtë se viti tjetër do të jetë një vit edhe më i veçantë.

Gëzuar Vtitin e Ri!
Shumë suksese në punën tuaj dhe çfarë tju dojë zemra, lumturi, mbarësi, shëndet në familjet tuaja.
 
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›