E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dhe Presidenti maqedonas Ivanov theksojnë rëndësinë e intensifikimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të gjithanshme dypalëshe

19 prill 2012
Shkup

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, dhe në krye të delegacionit zyrtar, u prit sot paradite në një ceremoni zyrtare me nderet më të larta ushtarake dhe shtetërore, me ekzekutimin e himneve kombëtare të të dy vendeve dhe kalimit në revistë të Truprojës së Nderit, nga Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, dhe Zonja e Parë, Maja Ivanova, në mjediset e Kabinetit “Vila Vodno” në Shkup, Maqedoni.

Pas ceremonisë zyrtare, dy Krerët e Shteteve zhvilluan një takim kokë më kokë, i cili vijoi me kryesimin e bisedimeve zyrtare midis delegacioneve përkatëse. Në qendër të këtyre bisedimeve ishte rëndësia e intensifikimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit reciprok në fusha me interes të ndërsjellë për të dyja vendet tona, si dhe nevoja e rritjes së marrëdhënieve ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare edhe mes të gjitha vendeve të rajonit të Ballkanit.

Takimi zyrtar i dy delegacioneve, të kryesuar nga Presidentët Topi dhe Ivanov u pasua me daljen në një konferencë të përbashkët për shtyp të dy krerëve të shteteve:

Presidenti Ivanov: Të nderuar përfaqësues të mediave, sapo përfunduam takimin mes dy delegacioneve të dy shteteve tona, dhe para kësaj patëm edhe një takim kokë më kokë me Presidentin Topi. Së pari, dëshiroj të falënderoj Presidentin Topi që pranoi ftesën për të vizituar Maqedoninë, në një vizitë zyrtare në përfundim të mandatit të tij. Ky takim ishte një vlerësim i përbashkët i tre viteve punë të përbashkët që kemi bërë gjatë mandatit tonë, unë, si President i Maqedonisë, dhe Presidenti Topi, si President i Shqipërisë. Vlerësuam me respekt komunikimin e ndërsjellë që kemi edhe në nivel personal, që ka ndikuar dhe ka kontribuar edhe në zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Folëm për nisma të cilat i kemi së bashku në nivelin rajonal, gjithashtu edhe për mbështetjen e ndërsjellë që kemi pasur në nivel ndërkombëtar. Konstatuam se të gjitha ato që kemi bërë dhe që kemi iniciuar, kanë qenë në interes të të gjithë rajonit, dhe përpiqemi që rajoni ynë, në mënyrë të pandërprerë, të dërgojë mesazhe pozitive. Në këtë drejtim, kontribut të madh ka patur edhe respekti e miqësia e ndërsjellë që kemi pasur gjatë periudhës së kaluar. Pra, mbetet tani t’i përkushtohemi realizimit të asaj që është iniciuar midis dy shteteve tona. Për këtë arsye, vëmendje të veçantë i kushtuam bashkëpunimit ekonomik. Shpresojmë që në të ardhmen, bashkëpunimi ekonomik do të vazhdojë të pasurohet gjithnjë e më shumë. Konstatuam se domosdoshmërisht rajoni duhet të pajiset me një infrastrukturë të re, e cila do të nxisë edhe bashkëpunimin ekonomik. Theksuam të gjithë atë kontribut që ne, dy shtete, japim në zhvillimin e marrëdhënieve të rajonit, si dhe gjëra të cilat kanë të bëjnë me të ardhmen tonë të përbashkët.

Presim që Shqipëria, si anëtare e NATO-s të japë mbështetje edhe për anëtarësimin tonë në NATO. Rruga drejt Bashkimit Evropian është një rrugë dhe një objektiv i përbashkët. Konstatuam se duhet të krijohet edhe në vendet tona një ambient evropian, me qëllim që qytetarët tanë të munden të pranojnë standardet, kriteret dhe parimet evropiane. Dhe se kjo kontribuon edhe në një përmirësim të komunikimit edhe mes vetë qytetarëve, sepse pikërisht është e ardhmja ajo që na bashkon. Këtu, jemi gjithashtu dëshmitarë të mbështetjes së ndërsjellë në këtë rrugë dhe dëshmi për këtë janë pikërisht marrëdhëniet politike intensive, të cilat i kemi mes dy shteteve tona. Dhe shpresojmë se gjithë ato që kemi iniciuar dhe që po bëjmë, do të jenë në interes të dy shteteve tona, të qytetarëve tanë, por gjithashtu edhe të rajonit. Dhe shpresoj se, pas përfundimit të mandatit të Presidentit Topi, do të vazhdojmë të takohemi dhe do vazhdojmë të japim kontributin në marrëdhëniet tona dhe në rajon. Dhe këtë miqësi të përbashkët personale që kemi, do ta investojmë në përmirësimin edhe të marrëdhënieve edhe mes qytetarëve tanë, edhe mes vendeve tona, edhe mes vendeve të të gjithë rajonit.

Presidenti Topi: : Të nderuar përfaqësues të medias,
Më lejoni së pari të shpreh kënaqësinë time që ndodhem në Shkup, me ftesë të Presidentit Ivanov, vizitë e cila dëshmon se dialogu politik midis dy vendeve tona është në nivelin më të lartë. Unë dëshiroj të vlerësoj nivelin e marrëdhënieve politike dhe institucionale midis shtetit shqiptar dhe shtetit maqedonas, dhe padyshim dëshiroj të vlerësoj rolin institucional dhe personal të Presidentit Ivanov në forcimin e këtyre marrëdhënieve. Në përfundim të një komunikimi dhe bashkëpunimi tre-vjeçar, dëshiroj të specifikoj një marrëdhënie shumë bashkëpunuese, jo vetëm për marrëdhëniet bilaterale, por dhe në kuadër të bashkëpunimit rajonal.

Mbas inaugurimit si President i Republikës së Maqedonisë, Presidenti Ivanov iu përgjigj pozitivisht ftesës sime për t’u bërë pjesë e një tryeze rajonale, ku për herë të parë merrte pjesë dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, një nismë rajonale me pjesëmarrjen edhe të Presidentit të Republikës së Malit të Zi, e cila vazhdoi dhe do të vazhdojë edhe në takime të tjera, që tregon për nivelin e emancipimit të marrëdhënieve midis shteteve tona dhe popujve tanë.

Shqipëria mbështet fuqishëm stabilitetin e Maqedonisë. Shqipëria i referohet një dokumenti shumë të rëndësishëm për bashkëjetesën me Maqedoninë, që ka të bëjë me Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2001, që rregullon marrëdhëniet midis shqiptarëve, midis shqiptarëve dhe maqedonasve, për të bashkëjetuar në harmoni në një shtet ku të drejtat janë të barabarta. Unë dëshiroj që sërish ta përmend para jush, që ne jemi që ky dokument të respektohet me korrektësi nga të gjitha palët. Dhe ajo do të bënte të mundur pastaj që gjithçka të shkojë aty ku pikërisht është projektuar ky dokument.

Unë dëshiroj të them që Shqipëria mbështet fuqishëm gjithashtu anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Vazhdimisht në takime ndërkombëtare, gjë që do të bëhet edhe në takimin e radhës, Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Maqedoninë për anëtarësimin e saj në NATO. Ndërsa rrugëtimi në Evropë, natyrisht është një rrugëtim i përbashkët. Unë do ta falënderoj Presidentin Ivanov gjithashtu edhe për krijimin e një mundësie për bashkëpunim midis të gjitha vendeve të rajonit, që megjithë përparimin substancial që ka bërë, sidomos pas pavarësimit të Kosovës në shkurt 2008, ende ka qarqe të izoluara ultranacionaliste që tentojnë ta përkeqësojnë këtë klimë. Unë mendoj që projektimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt botës euroatlantike është një përcaktim i pakthyeshëm. Ne të gjithë së bashku duhet të punojmë që ta vazhdojmë këtë rrugë me sukses. Në këtë rrugë duhet të orientohen të gjitha institucionet tona dhe shoqëria jonë.

Çdo refleks nacionalist apo ultranacionalist, dhe aq më shumë në një klimë paragjykuese, do të ishte shumë e dëmshme për harmoninë midis qytetarëve shqiptarë dhe maqedonas dhe për harmoninë në rajon. Pozicioni ynë, që e ndamë së bashku me Presidentin Ivanov, është që të japim një mesazh për të gjithë shoqërinë. Njerëzit duhet të jetojnë të qetë, në harmoni dhe të zhvillojnë veprimtarinë e tyre njerëzore në funksion të rregullit dhe ligjit. Çdo akt destabilizues, çdo akt kriminal duhet të konsiderohet si i tillë dhe duhet patjetër që të vendoset në linjën e investigimit dhe vënies së drejtësisë, sipas standardit ligjor. Çdo klimë paragjykuese është e papranueshme. Në rast se shteti, institucionet, së bashku do të punojmë që drejtësia të vendoset, çdo akt kriminal, cilido qoftë pas atij akti, është i dënueshëm. Në këtë këndvështrim duhet të shikohet çdo akt, që realizohet në kundërshtim me frymën e harmonisë, bashkëpunimit dhe me frymën e ligjit, pavarësisht nëse individi është shqiptar ose është maqedonas. Ne dëshirojmë që të gjithë qytetarët, të gjithë fëmijët të shkojnë në shkollë, të studiojnë, të mos kenë probleme dhe të jenë të garantuar. Marrëdhëniet mjaft të mira që ekzistojnë midis të gjitha institucioneve në Shqipëri dhe në Maqedoni, dhe mesazhi që ne po japim, e garantojnë pikërisht transmetimin e këtij mesazhi tek çdo qytetar. Unë do të isha, sikurse e kemi shprehur vazhdimisht, kundër çdo akti dhune, nga cilido që të vijë dhe kundrejt kujtdo që të realizohet. Duke iu referuar ngjarjes së datës 12 prill, unë dëshiroj t’u transmetoj familjeve të personave të cilët gjetën vdekjen në një akt kriminal, ngushëllimet më të sinqerta! Por në të njëjtën kohë, t’u shpreh ngushëllime edhe atyre viktimave që kanë qenë në rrafshin kohor përpara këtij akti, duke demonstruar në këtë mënyrë predispozicionin që të bëjmë parandalimin e të gjitha akteve kriminale, për të krijuar një realitet evropian në vendet tona. Jam i bindur që në ato që kemi biseduar dhe ato që kemi diskutuar vazhdimisht në takime, jo vetëm të presidentëve, por edhe të të gjithë autoriteteve më të larta të vendeve tona, ka një predispozicion absolut, që Shqipëria dhe Maqedonia të ecin së bashku drejt Evropës dhe drejt botës euroatlantike.

Ne diskutuam edhe për çështje të komunikimit, edhe të bashkëpunimit ekonomik. Diskutuam shumë edhe për çështje të zhvillimit të infrastrukturës, qoftë për sa i përket Korridorit të 8-të, qoftë për sa i përket dhe lidhjes nëpërmjet korridoreve të tjera rrugore. Shqipëria ka bërë ç’është e mundur dhe vazhdon të punojë shumë në drejtim të përmirësimit infrastrukturor. Kësaj radhe unë zgjodha për të ardhur në Shkup nga Kosova, falë një rruge të re që është bërë në Shqipëri, dhe një pjese e cila po realizohet në Kosovë. Ndërkohë që përpara duheshin 8 orë – 9 orë për të arritur nga Tirana në Prishtinë, dje unë e kam realizuar këtë rrugë në 2 orë. Ky është një oportunitet në rast se ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për rrjetin rrugor, secili në vendin e tij. Deti Adriatik do jetë më afër, edhe për qytetarët e Maqedonisë. Qoftë Porti i Durrësit, Porti i Shëngjinit, Porti i Vlorës do të jenë më afër për biznesin e qytetarëve të Maqedonisë.

Unë, edhe njëherë, dëshiroj përpara jush të falënderoj Presidentin Ivanov për të gjithë kontributin e tij, për përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Dhe, pavarësisht se gjithmonë ka një fund për mandatet institucionale, aty ku ndërtohet një miqësi e pastër, e sinqertë, me kontribute për paqen, për sigurinë, për shoqërinë, kjo miqësi nuk mbaron asnjëherë. Dhe së bashku do vazhdojmë të punojmë për shoqëritë tona, që njerëzit të jetojnë në harmoni, në qetësi dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në qetësi të plotë në familjet e tyre!

Pyetje(gazetari i televizionit Top Channel):Kam një pyetje për dy Presidentët: Meqë folët për rastin e pesë maqedonasve këtu në Shkup, si e vlerësoni situatën e sigurisë në Maqedoni dhe a mund të reflektojnë raportet ndëretnike të brishta në Maqedoni edhe në situatën e sigurisë në rajon? Dhe dua të pyes Presidentin Topi: Si i vlerëson sulmet e Kryeministrit Berisha për shkeljen e Kushtetutës gjatë emërimit të Nënkryetarit të KLD-së?

Presidenti Ivanov: Për sa i përket vrasjes së pesëfishtë, është një ngjarje e cila na tronditi të gjithëve. Ne jemi në një periudhë kur të gjithë prisnim që rajoni të dërgojë mesazhe pozitive në drejtim të komunitetit më të gjerë, institucioneve përkatëse, si dhe në mënyrë të përgjegjshme, gjë që ne e presim që ta bëjnë të gjitha subjektet e tjera në vend. Për këtë çështje diskutuam dhe me Presidentin Topi. U dëshmua gatishmëria për bashkëpunim mes institucioneve tona, mes shërbimeve përkatëse, me qëllim të ndriçimit të zbulimit sa më të shpejtë të këtij rasti makabër. Është në interesin e të gjithëve që të zbulohen kryerësit e kësaj vepre, sepse nëse ata kanë gjetur guximin që atë ta bëjnë këtu, padyshim që mund ta bëjnë edhe në ndonjë vend tjetër. Dhe është e qartë se dikush nuk ka interes që marrëdhëniet në rajon të përmirësohen në çdo fushë. Presim që institucionet përkatëse të kryejnë punën e tyre dhe presim që qytetarët të mos të bien pre e spekulimeve të ndryshme, të cilat ndodhin në raste të tilla.

Presidenti Topi: Unë ndaj të njëjtin mendim, që duhet të jetë puna e institucioneve të zbatimit të ligjit, që të ndriçojë rastin konkret dhe çdo rast tjetër që ka të bëjë me prekjen e integritetit fizik të individit. Dhe jam i bindur që në vijim të punës profesionale dhe shkencore të institucioneve që merren me këtë çështje, çështja do të trajtohet në mënyrë objektive dhe në përfundim, do të jetë materiali që do të shkojë pikërisht në institucionet e drejtësisë, që duhet ta largojë këtë nga çdo frymë paragjykuese, sikurse e thashë edhe pak më parë. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë edhe në fushën e sigurisë midis dy vendeve tona kundër krimit të organizuar, kundër trafiqeve ilegale, bashkëpunimin midis shërbimeve inteligjente, midis policive të dy vendeve tona. Dhe në të kaluarën kemi pasur shumë rezultate pozitive dhe besoj që intensifikimi i këtyre takimeve do të na japë më shumë shans të kemi rezultate të tjera pozitive.

Ju bëtë një pyetje tjetër që unë e konsideroj një çështje shtëpie dhe për të respektuar pikërisht këtë moment, që unë e kam respektuar gjithmonë, që nuk dal jashtë vendit tim për të komentuar gjërat që ndodhin brenda nesh, por edhe për një arsye tjetër, sepse dominanti i ditës së sotme është pikërisht vizita në Maqedoni dhe marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Por unë nuk dëshiroj të lëndoj asnjë gazetar, i cili është në të drejtën e tij për të pyetur, kështu që duke ju respektuar në pyetjen që bëni po jap vetëm pjesën e përgjigjes që ka të bëjë me ushtrimin e funksionit tim që Presidenti i Republikës në të gjithë veprimtarinë e tij nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese. Do ta shikoni më vonë që përgjigja ime ështe ezauruar pikërisht në këtë pikë. Çdo komunikim tjetër që mund të bëhet me ju, ta bëjmë kur të jemi në Shqipëri.

Pyejte: (gazetar i ‘Journal’): Zakonisht të gjitha takimet që bëhen midis përfaqësuesve dy shteteve flasin për bashkëpunime të mira, raporte të mira, mbështetje të Maqedonisë, Republikës së Maqedonisë për anëtarësim të NATO dhe kështu me radhë, ndërsa nga ana tjetër të gjitha institucionet përkatëse në të gjitha kontrollet kur shqiptarët bëhen pre e dhunës, i sulmeve, i fyerjeve e kështu me radhë, aspak nuk ka nga institucionet përkatëse në Shqipëri, nuk kanë reaguar për të dhënë një notë proteste siç duhet, që të ndalohet një herë e mirë kjo që ndodhi me shqiptarët.

Presidenti Topi: Më lejoni t’ju them që në këndvështrimin tim, ç’ka ju ngrini nuk është e vërtetë. Unë respektoj këndvështrimet e ndryshme por duhet të dini diçka. Nuk ka ndjeshmëri më të lartë për mua si individ, si qytetar, por edhe si President i Republikës së Shqipërisë që të ndjekë me shumë kujdes sesi është situata zyrtare e jetesës për qytetarët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Maqedoni e kudo tjetër. Këtë mund ta demonstrojë dhe Presidenti Ivanov, që vazhdimisht temë e bisedave tona ka qenë pikërisht edhe respektimi sipas marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001, i të drejtave të shqiptarëve. Po ju them diçka që është shumë e rëndësishme, në të gjithë botëkuptimin tim, unë personalisht jam i predispozuar për një shoqëri të lirë, të hapur evropiane. Të mos jem hipokrit, më intereson në maksimum që marrëdhëniet midis vendeve në rajon të jenë të shkëlqyera. Dua shumë që standardi i qytetarëve maqedonas të jetë në standardet evropiane, por në radhë të parë më takon qoftë si shqiptar, qoftë si President i Republikës së Shqipërisë që së pari të interesohem dhe të kem ndjeshmëri maksimale për qytetarët shqiptarë në Maqedoni, gjë që ka qenë në të gjitha bisedat në vazhdimësi dhe jo vetëm të mia, por të të gjithë politikanëve, institucioneve edhe me partitë politike shqiptare në Maqedoni. Kur japim mesazhe harmonie me Presidentin Ivanov, mesazhi shkon tek çdo qytetar, pavarësisht se është maqedonas apo shqiptar. Ky vend, kjo shoqëri është e destinuar që të shkojë në harmoni të plotë midis të gjitha etnive. Për këtë kanë rënë dakord vazhdimisht të gjitha institucionet, faktorët politikë dhe është patjetër në të gjithë vëmendjen e ndërkombëtarëve. Unë dëshiroj që të njëjtën gjë të bëni edhe ju të medias në përgjithësi, që të jepni mesazhe harmonie, të një bashkëjetese në një mjedis të përbashkët, ku interesi i vendit në projeksionin euroatlantik të jetë në interes të çdo qytetari dhe të izoloni të gjitha ato interpretime dashakeqe që bëhen me “background”-e nacionaliste. Gjërat duhet të skanohen, duhet të trajtohen në mënyrë shumë realiste. Ne duam një rajon ballkanik evropian, të gjithë qytetarët të jenë të qetë, të punojnë të qetë dhe nesër të jenë qytetarët e Evropës së Bashkuar, ky është mesazhi. Në Evropë nuk shkojnë vetëm Presidentët apo politikanët. Në Evropë presupozohet që shkon çdo qytetar i çdo vendi dhe kjo është në interesin e të gjithëve. Të gjithë jemi tifozë sporti dhe sporti ka një rregull të artë, ai që merret me sport natyrisht që është një njeri i lirë dhe një njeri i formuar. “Mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë”. Dhe ai që ka një trup të shëndoshë ka dhe një mendje të shëndoshë, pra ambientet sportive të mos shfrytëzohen për korrje nacionaliste. Sporti e lidh miqësinë, pra ky duhet të jetë mesazhi për cilindo, që ta shoh vetën të projektuar si një qytetar i vërtetë evropian. Për këtë kemi rënë dakord vazhdimisht dhe kjo lidhje dhe bashkëpunim që kemi me Presidentin Ivanov, shumë e frytshme, është në këtë sfond.

Zoti President, të kërkoj ndjesë që ndoshta u zgjata më shumë se ç’duhet. Edhe njëherë dëshiroj t’ju falënderoj!

Presidenti Ivanov: Dëshiroj të shtoj, nuk ka çështje në dy vendet tona ose në dy shoqëritë tona për të cilat në mënyrë të hapur nuk kemi diskutuar me Presidentin Topi. Ndonjëherë madje ka ndodhur që të dëgjohemi edhe me telefon e të shkëmbejmë mendimet e qëndrimet tona, pra në mënyrë plotësisht të hapur kemi diskutuar për çdo çështje, si për pozitën e shqiptarëve në Maqedoni ,ashtu edhe të maqedonasve në Shqipëri, sepse kemi kuptuar që çdo çështje mund të zgjidhet vetëm ndërmjet dialogut dhe nuk u jemi nënshtruar paragjykimeve dhe qëndrimeve nga e kaluara. Përmes shembullit tonë personal, t’u tregojmë qytetarëve sesi duhet të sillen, sepse brezave të rinj pikërisht dëshirojmë që t’u sigurojmë një prosperitet dhe një të ardhme evropiane. Për këtë arsye ekzistojnë incidente të izoluara dhe të caktuara, por ato nuk gjejnë mbështetje tek popullata më e gjerë në shoqëri. Aktualisht jemi duke bashkëpunuar që të krijojmë diçka që do të jetë në dobi të të gjithëve ne. Nuk dëshirojmë më ndarje, nuk dëshirojmë më paragjykime, nuk dëshirojmë më që dikush të na e punojë pas shpine!

* * *

Pas konferencës për shtyp, në një ceremoni zyrtare, me përulje dhe nderim të thellë, Presidenti Topi vendosi një kurorë me lule në varrin e heroit kombëtar të Maqedonisë, Goce Delcev, që ndodhet në qendër të kryeqytetit maqedonas, në Shkup, dhe pranë Kishës “Shën Spasi”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›