Kryeministri Berisha: Do të kundërshtojmë me të gjitha mjetet demokratike rikthimin e praktikave të vjetra të pranimeve në universitete
Në mbledhjen e sotme Këshilli i Ministrave miratoi disa vendime dhe projektligje të rëndësishme. Gjatë fjalës së tij në fillim të mbledhjes, Kryeministri Berisha u ndal në tre vendime të rëndësishme.
Vendimi i parë kishte të bënte me Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë. Kryeministri Berisha tha, se ky ligj është përgatitur nga një pune e madhe e specialistëve tanë më të mirë të kësaj fushe dhe specialistëve Europian të kontraktuar, duke pasur parasysh faktin, TVSH si taksë themelore e vendit. Sipas tij, me këtë ligj sistemi, pëson një përmirësim të ndjeshëm në të gjitha aspektet, por natyrisht i takon parlamentit dhe shumicës që vjen ta miratojë, megjithëse ligji ka shkallën më të lartë të ekspertizës.
Vendimi i dytë tek i cili u ndal kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij kishte të bënte me kuotat e universiteteve, të cilat do të shkojnë në përputhje me planifikimin dhe programin e kësaj qeveria. Kryeministri u shpreh se kjo qeveri do ti mbetet nismës “Dyert e hapura”, për të rinjtë shqiptarë për të provuar ëndrrën e tyre universitare për ta bërë atë të vërtetë. “Natyrisht, tha Kryeministri Berisha, - në vitet që vijnë ka një platforme tjetër të qeverisë, platformë, e cila synon rikthimin tek praktikat e vjetra të pranimeve universitare, por platformë, të cilën ne do ta kundërshtojmë me të gjitha mjetet demokratike ligjore. Ne do të bëjmë gjithçka që të rinjtë shqiptarë të kenë të drejtë të ulen në bankat e universiteteve. Natyrisht çdo qeveri ka të drejtë të marrë vendimet që do dhe të përballet me pasojat e tyre”.
Vendimi i tretë i rëndësishëm sipas kryeministri Berisha është edhe vendimi “Për shpronësimet, për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i linjave 110 KV dhe 220 KV që lidhin kaskadën e Devollit me sistemin e transmetimit të Republikës së Shqipërisë”. Kryeministri Berisha theksoi se ky projekt është edhe investimi më i madh privat në historinë e Shqipërisë, investimi më i madh në energjetike në historinë e Shqipërisë. “Një nga luginat dhe një nga zonat më të thella, më të largëta dhe më të heshtura të vendit do të shndërrohet në një nga zonat me gjallërinë më të madhe të vendit, pasi nga Moglica në Banjë e gjithë kjo zonë do të jetë zonë ndërtimesh, tunelesh, digash të paimagjinueshme. Me një efekt shumë pozitiv në ekonominë shqiptare, ku punësohen mijëra e mijëra vete, në qarkun e Elbasanit dhe rrethin e Gramshit, nga qarqet dhe rrethet me krah pune më të lirë. Në furnizimi me energji të Shqipërisë, prodhon rreth 15 përqind apo më shumë të nevojave energjetike të vendit. Pra dora dorës, Shqipëri shkon drejt një vendi eksportues i rëndësishëm i energjisë në Rajon”, u shpreh kryeministri Berisha.
Gjithashtu kryeministri Berisha ka shfrytëzuar foltoren e Mbledhjes së Qeverisë për të nisur urimin për festën e Bajramit me gazetarët, duke ju uruar gëzuar këtë natë dhe ditën e Bajramit, ditën ku nderojmë të gjithë sakrificën për më të mirën për Zotin, për atë që besojmë.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Zonja ministre
Zotërinj ministra në detyrë
Sot kemi ligje dhe vendime të rëndësishme dhe ligji më themelor është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë.
Ligj, i cili është përgatitur nga një pune e madhe prej specialistëve tanë më të mirë të kësaj fushe dhe specialistëve Europian të kontraktuar, duke pasur parasysh faktin, TVSH si taksë themelore e vendit.
Me këtë ligj sistemi, pëson një përmirësim të ndjeshëm në të gjitha aspektet dhe natyrisht i takon parlamentit dhe shumicës që vjen ta miratojë, por ligji ka shkallën më të lartë të ekspertizës. E vetmja gjë është se të gjitha vendimet e marra për përjashtimet e makinerive për prodhim, përjashtimet e të gjitha llojeve të materialeve që përdoren për prodhim nga TVSH-ja duhet të pasqyrohen para se ky të shkojë në parlament. Pastaj shumica e ardhshme mund ta bëjë, por ne duhet ta çojmë në përputhje të plotë me qëndrimet që kemi mbajtur.
Ka një vendim tjetër që ka të bëjë me kuotat e universiteteve, të cilat do të shkojnë në përputhje me planifikimin dhe programin e kësaj qeveria, “Dyert e Hapura”, për të rinjtë shqiptarë për të provuar ëndrrën e tyre universitare për ta bërë atë të vërtetë. Natyrisht në vitet që vijnë ka një platforme tjetër të qeverisë, platformë, e cila synon rikthimin tek praktikat e vjetra të pranimeve universitare, por platformë, të cilën ne do ta kundërshtojmë me të gjitha mjetet demokratike ligjore. Ne do të bëjmë gjithçka që të rinjtë shqiptarë të kenë të drejtë të ulen në bankat e universiteteve. Natyrisht çdo qeveri ka të drejtë të marrë vendimet që do dhe të përballet me pasojat e tyre. Ka probleme shumë serioze në përballjen e dy alternativave, por alternativa e “Dyerve të Hapura” është alternativa për të cilën Shqipëri ka bërë një arritje historike, të qytetarëve shqiptarë, arritje, e cila bëri të mundur që fëmijët e tyre të ulen në bankat e universiteteve sipas dëshirës së tyre në përputhje me performancën.
Ka një seri vendimesh të tjetra shumë të rëndësishme. Ndër të cilat është vendimi “Për shpronësimet, për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i linjave 110 KV dhe 220 KV që lidhin kaskadën e Devollit me sistemin e transmetimit të Republikës së Shqipërisë”.
Faktikisht ky projekt që është edhe investimi më i madh privat në historinë e Shqipërisë, investimi më i madh në energjetike në historinë e Shqipërisë, po ecën. Para pak ditësh u njoftua se “Statkraft” hidro- poëer, porosit tek kompania “Alstom” 6 turbinat e hidrocentraleve në një shumë 100 milion euro.
Një nga luginat dhe një nga zonat më të thella, më të largëta dhe më të heshtura të vendit do të shndërrohet në një nga zonat me gjallërinë më të madhe të vendit, pasi nga Moglica në Banjë e gjithë kjo zonë do të jetë zonë ndërtimesh, tunelesh, digash të paimagjinueshme. Me një efekt shumë pozitiv në ekonominë shqiptare, ku punësohen mijëra e mijëra vete, në qarkun e Elbasanit dhe rrethin e Gramshit, nga qarqet dhe rrethet me krah pune më të lirë. Në furnizimi me energji të Shqipërisë, prodhon rreth 15 përqind apo më shumë të nevojave energjetike të vendit. Pra dora dorës, Shqipëri shkon drejt një vendi eksportues i rëndësishëm i energjisë në Rajon. Kjo energji është dhe energjia më e leverdishme, në kosto më të ulët dhe në këtë mënyrë pasuritë ujore të vendit marrin vlera të mëdha si burime të fuqishme energjetike.
Janë dhe një seri vendimesh të tjera pronash dhe vendime të rëndësishme të qeverisë , të cilat ju do ti merrni në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave.
Ndaj dhe unë po shfrytëzoj këtë rast ta nis urimin për festën e Bajramit me ju gazetarët, t’ju uroj gëzuar këtë natë dhe ditën e Bajramit, ditën ku nderojmë të gjithë sakrificën për më të mirën për Zotin, për atë që besojmë.
Faleminderit. ”
07/08/2013