Kryeministri Berisha, mesazh ngushëllimi familjarëve të ish trajnerit të Kombëtares Mehdin Zhega
Kryeministri Berisha i dërgoi një mesazh ngushëllimi familjarëve të ish trajnerit të ekipit kombëtar të futbollit Mehdin Zhega, për ndarjen e tij nga jeta. Në mesazhin e tij, Kryeministri shprehet:
“Të dashur familjarë të të ndjerit Mehdin Zhega, me hidhërim të thellë mësova lajmin për ndarjen nga jeta të një prej ikonave më të ndritura dhe më të dashura të sportit shqiptar futbollistit dhe trajnerit të shquar të futbollit, z. Mehdin Zhega.
Është vështirë sot të shpreh me fjalë dhimbjen dhe pikellimin tim për këtë humbje të madhe për sportin shqiptar. Gjate karrierës se tij si sportist dhe trajner, Mehdini, ish-futbollist ylli i Vllaznisë, Dinamos dhe ekipit kombëtar na beri të përjetojmë momente të paharrueshme me lojën, talentin dhe kompetencën e tij. Në drejtimin e kombëtares shqiptare Mehdini, me mjeshtërinë e tij, organizimin, disiplinën ja doli qe ekipi ynë të luaj ndeshje të shkëlqyera që mbahen gjithnjë mend nga simpatizantët e saj në Shqipëri dhe jashtë saj.
Në këto çaste dhimbjeje, unë ndaj me ju familjarë të nderuar, që ishit mbështetja dhe burimi kryesor i suksesit te tij, dhimbjen për humbjen e njeriut tuaj të dashur, trashëgimia çmuar e të cilit do ta mbajë atë përjetë mes nesh.
Me respekt
Sali Berisha”
13/06/2012