E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha në Konferencën për Zhvillimin Rajonal: Thellim i decentralizimit fiskal dhe sistem mikrokrediti për zhvillimin rural

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në Konferencën Kombëtare për Zhvillimin Rajonal me temë “Bashkojmë Politikat dhe Praktikat”, e organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian, Departamenti I Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj pranë Këshillit të Ministrave dhe PNUD-i, si pjesë e projektit “Mbështetje e Integruar për Decentralizimin”, i financuar bashkarisht nga BE dhe PNUD-Shqipëri.

Në këtë Konferencë merrnin pjesë Kreu i Delegacionit të BE Ambasadori Ettore Sequi, Koordinatorja e Agjensive të Kombeve të Bashkuara dhe Përfaqësuese e Përherëshme e PNDUD-it në Shqipëri zonja Zineb Touimi-Benjollun, Ministrja e Integrimit zonja Majlinda Bregu, përfaqësues të autoriteteve lokale dhe rajonale, të ministrive të linjës që punojnë në zhvillimin rajonal, nga organizatat ndërkombëtare dhe ato të shoqërisë civile. Në Konferencë të pranishmit theksuan rolin që luajnë rajonet në rrugën e zhvillimit si dhe diskutuan mbi rëndësinë e ndryshimeve praktike si një mënyrë me të cilën rajonet të mund të përparojnë dhe zhvillohen.

Në ambientet ku u zhvillua Konferenca, katër rajone të vendit, Elbasani, Dibra, Kukësi dhe Berati, kishin ekspozuar projektet e tyre dhe planet mbi zhvillimin strategjik të rajoneve të tyre. Gjithashtu u prezantuan mbi 40 projekte rajonale zhvillimi.

Kryeministri Berisha në fjalën e tij i shprehu falenderimet më të përzemërta zonjës Benjelloun dhe Ambasadorit Sequi për organizimin e këtij takimi shumë të rëndësishëm për të diskutuar mbi zhvillimin rajonal. Ai shprehu bindjen se zhvillimi rajonal dhe potencialet e qarqeve janë potenciali më i madh për zhvillimin e vendit por theksoi se Shqipëria ka patur dhe ka ende një problem serioz në reformën territoriale të qeverive vendore, për të cilën kryeministri shprehu shpresën se ky problem do të marrë përgjigjen  më të mirë me vullnetin e forcave politike në Parlament.

Kryeministri shprehu kënaqësinë që në përputhje me decentralizimin, qeveria ka rritur me disa herë fondet për qeveritë vendore dhe theksoi se Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve, në përputhje me projektet në përputhje me projektet e paraqitura nga qeveritë vendore, bën një shpërndarje transparente të këtyre fondeve bazuar në përparësitë që këto qeveri përcaktojnë vetë. "Qeveria sëbashku me ju është e vendosur të thellojë më tej decentralizmin fiskal dhe ne jemi të përgatitur për një paketë të re decentralizmi fiskal, e cila do të fuqizojë të gjithë veprimtarinë tuaj", u shpreh Kryeministri.

Kryeministri theksoi gjithashtu se Shqipëria ka akoma potenciale të mëdha të cilat janë ende për tu shfrytëzuar në qarqet e Shqipërisë, potenciale, të cilat do të mund të shfrytëzohen vetëm me përkushtimin dhe angazhimin e plotë të pushtetit lokal. “Sot tregu dhe promovimi i artikujve janë pazgjidhshmërisht të lidhur njëri me tjetrin.  Sot prodhime të mrekullueshme, qofshin ato bujqësore, qofshin ato artizanale mbeten në anonimat, sepse nuk janë në fokusin e autoriteve lokale për ti servirur në të gjithë parametrat dhe të gjitha vetitë që ato kanë” u shpreh ai. Në këtë kontekst ai theksoi se nxitja dhe inkurajimi i artizanatit do të ishte një nga  rrugët  më të suksesshme më të shpejta për punësimin dhe për krijimin e të ardhurave por edhe për përfaqësimin e gjenisë krijuese të komuniteteve.

Duke vlerësuar se mjedisi, mbrojtja dhe zhvillimi i tij, janëë kushti më kryesor për të patur një zhvillim të qëndrueshëm, kryeministri theksoi se asgjë që rrënon mjedisin nuk mund të pranohet si variant zhvillimi. “Rëndësi ka që çdo projekt të ketë në themel mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e tij. Të mos krijojmë më batërdira  mjedisore siç kemi krijuar në zonën midis Krujës dhe Fushë-Krujës. Të bëjmë  gjithçka që Shqipëria të zhvillohet në mjedisin më të shëndetshëm, më të kultivuar, më të zhvilluar”, theksoi ai. Qeveria është e vendosur  të delegojë çdo kompetencë që ju nevojitet  ju, për të përmbushur misionin e madh të zhvillimit  të qarqeve dhe të rajoneve.

Në fjalën e mbajtur në këtë Konferencë, Kryeministri Berisha theksoi:

Së pari dua të falenderoj përzemërsisht  zonjën Benjelloun  drejtuese e PNUD-it në Shqipëri, Ambasadorin Sequi për organizimin e këtij takimi të rëndësishëm për të diskutuar mbi zhvillimin rajonal. Të shpreh bindjen time se zhvillimi rajonal dhe potencialet e qarqeve janë potenciali më i madh për zhvillimin e vendit dhe se Shqipëria ka patur dhe ka ende një problem serioz, në reformën territoriale të qeverive vendore, problem që shpresojmë se do të marrë përgjigjen  më të mirë, me vullnetin e forcave politike në Parlament.

Ndërkohë kam kënaqësinë të konfirmoj se, në përputhje me decentralizimin, qeveria ka rritur me disa herë fondet për qeveritë vendore. Së fundi ajo ka krijuar Komitetin e Zhvillimit të Rajoneve, i cili ka përfaqësuar si duhet dhe në përputhje me projektet që ju paraqisni bën një shpërndarje transparente të këtyre fondeve bazuar në përparësitë që ju përcaktoni vetë. Qeveria sëbashku me ju është e vendosur të thellojë më tej decentralizmin fiskal dhe ne jemi të përgatitur për një paketë të re decentralizmi fiskal, e cila do të fuqizojë të gjithë veprimtarinë tuaj.

Ndërkohë jam i bindur, se potenciale të mëdha janë ende për tu shfrytëzuar në qarqet e Shqipërisë, potenciale, të cilat do të mund të shfrytëzohen vetëm me përkushtimin dhe angazhimin tuaj të plotë. Qeveria ka një seri projektesh, agjensitë e saj janë të shtrira në të gjitha qarqet.  Sërish mungon në Shqipëri një sistem kreditimi për zonat rurale të vendit. Mungesa e këtij sistemi, përbën ndofta një nga problemet më madhore të komuniteteve në këto zona.  Ne po shqyrtojmë mundësinë e ngritjes së tij.  Ky sistem krijoi një traditë të shkëlqyer në vitet ’92 dhe  ‘96 me Bankën Botërore, por siç ndodh jo rrallë në  histori, banka asgjesoi suksesin e vet, duke ndërprerë një nga sistemet më të shkëlqyera të mikrokreditit që kishte instaluar në Shqipëri.

Duke theksuar këtë, sigurisht ne mbetemi të vendosur të organizojmë një sistem mikrokrediti në mbarë vendin. Ekziston një praktikë e njohur, se çdo fshat ka diçka më të mirë për të gjithë vendin, por ka diçka më të mirë ndoshta dhe për më gjërë se vendi.  Kudo një artikull, kudo një prodhim, me disa veçorira  ekzistojnë.  E vërteta është se kjo nismë është një nisëm suksesi në vend, të cilat janë përqendruar  të gjejnë, të identifikojnë, të nxisin të konkretizojnë këtë nisëm.

Ju bëj thirrje ta shqyrtojmë me vëmendje këtë problem.  Sot tregu dhe promovimi i artikujve janë pazgjidhshmërisht të lidhur njëri me tjetrin.  Sot prodhime të mrekullueshme, qofshin ato bujqësore, qofshin ato artizanale mbeten në anonimat, sepse nuk janë në fokusin e autoriteve lokale për ti servirur në të gjithë parametra dhe të gjitha vetitë që ato kanë. Tek ne, një potencial shumë i madh është artizanati.

Një vend i cili për shkak të historisë së tij, ka trashëguar një larmi të jashtëzakonshme  prodhimesh, veshjesh dhe çdo gjëje popullore.  Nxitja dhe inkurajimi i artizanatit, do të ishte një nga  rrugët  më të suksesshme më të shpejta për punësimin për krijimin e të ardhurave por edhe për përfaqësimin e gjenisë krijuese të komuniteteve tuaja.

Ndaj dhe ju bëj thirrje të bëjmë gjithçka të përdorim të gjitha potencialet për ta nxitur atë, të bëhemi realist, sepse mund të punësojmë me artizanat më shumë se me fabrika të mëdha. Qarqet dhe zhvillimi i tyre janë jetike për zhvillimin e vendit, por janë jetike për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe zhvillimi i qëndrueshëm nënkupton zhvillim, i cili nuk lë një tagër të rëndë për ata që vijnë pas nesh, zhvillim i cili trashëgohet dhe i reziston kohës, nuk dëmton të ardhmen e  atyre që vijnë.  Në këtë kontekst mjedisi është kushti më kryesor,  mbrojtja dhe zhvillimi i tij, për të patur një zhvillim të qëndrueshëm.  Asgjë që rrënon mjedisin nuk mund të pranohet si variant zhvillimi. Unë pashë projektet tuaja këtu në mur u mahnita me to, me diversitetin e  tyre. Rëndësi ka që çdo projekt të ketë në themel mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e tij. Të mos krijojmë më batërdira  mjedisore siç kemi krijuar në zonën midis Krujës dhe Fushë-Krujës. Të bëjmë  gjithçka që Shqipëria të zhvillohet në mjedisin më të shëndetshëm, më të kultivuar, më të zhvilluar.

Zonja dhe zotërinj.

Rajonet e  Shqipërisë,  kanë qenë  rajone, përveç  prapambetjes, por dhe për shkak të infrastrukturës, të izoluara. Me zona të tëra të izoluara. Ne po ndërtojmë  një infrastrukturë në mbarë vendin, por ende kemi zona që jetojnë në izolim të thellë, është në detyrën tuaj të parësoni  infrastrukturën në këto zona, sepse nuk mund të ketë zhvillim në qoftë se ne nuk ndërtojmë infrastrukturën. Mos harrojmë se rrugët,  sistemi i ujërave, janë kushtet më themelore të zhvillimit ekonomik. Janë faktorët më kryesor  të vitalizimit të ekonomisë në çdo komunitet, në çdo qark, në çdo vend . Ndaj dhe në përcaktimin e  përparësive, unë ju bëj thirrje të mos pranoni të shpërqendroheni nga ky parim, të nxjerrim nga izolimi çdo komunë dhe komunitet të vendit.

Në një hark të shkurtër kohor Shqipëria ka bërë një progres shumë të madh  në infrastrukturën rrugore. Në dy vitet e ardhëshme ajo do të kompletohet tërësisht. Shqipëria po ecën me shpejtësi  në infrastrukturën dixhitale.  Shqipëria po bën investimin dhe po i afrohet realizmit të saj, por qeveria kurrë  nuk mund të bëjë atë që ju mund të bëni me komunitetet tuaja. Qeveria nuk mund të identifikojë siç mund ta bëni ju, potencialet e mëdha që keni për ta zhvilluar.  Qeveria është e vendosur  të delegojë çdo kompetencë që ju nevojitet  ju, për të përmbushur misionin e madh të zhvillimit  të qarqeve dhe të rajoneve.

Në këtë rrugë, rëndësi kryesore ka të përpiqemi të përafrojmë me normat dhe standardet Europiane. Europa, ekziston si Europë e kombeve, por ekziston dhe si  Europë e rajoneve. Europa e rajoneve është Europa e zhvillimit, e përqendrimit  të potencialeve të mëdha njerëzore  në zhvillimin e rajoneve. Europa e rajoneve kërkon nga ne potencimin e madh të të gjitha kapaciteteve njerëzore  për tu përballur me këtë mundësi të madhe që krijon në procesin e integrimit Europa e Rajoneve.

Unë kam besim të madh tek ju se do të qëndroni në lartësinë e kërkesave të zhvillimit të qarqeve tuaja.

Faleminderit.


12/06/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›