E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha, mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të poetit Pano Taçi

Kryeministri Berisha i dërgoi sot, familjes së poetit Pano Taçi, një mesazh ngushëllimi për ndarjen e tij nga jeta. Në mesazhin e tij, Kryeministri shprehet:

“Të dashur familjarë të poetit Pano Taçi,

 
Me pikëllim mësova për ndarjen nga jeta të njeriut tuaj të dashur, Pano Taçi, luftëtarit të paepur të lirisë, poetit që la emrin e tij të nderuar në letrat shqipe. Pano Taçi i përket atyre krijuesve të letrave shqipe që qëndruan të vendosur të sakrifikojnë çdo gjë të çmuar të tij për lirinë dhe dinjitetin njerëzor, lirinë e mendimit dhe shprehjes. Ai përjetoi kalvarin e egër të burgjeve dhe terrorit komunist, në mbrojtje të pikëpamjeve dhe bindjeve të tij, të vlerave më të larta njerëzore dhe hyjnore të njeriut.Vepra dhe trashëgimia e tij letrare janë një pasuri e çmuar në fondin e letrave shqipe, që do frymëzojnë brezat që vijnë. 

Humbjen e tij e ndjejnë sot jo vetëm ju, familjarët e të dashurit e tij, por edhe miqtë e dashamirësit e krijimtarisë së Panos dhe të të gjithë botës së letrave shqipe. Ne emrin tim dhe të qeverise shqiptare, ju shpreh ju dhe të gjithë njerëzve të tij të dashur ngushëllimet e mia më të sinqerta. Në këto çaste dhimbjeje, lutemi që shpirti i tij të gjejë paqen e amshuar.

Me respekt

Sali Berisha”


14/06/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›