Kryeministri Berisha mirëpret pjesëmarrësit në Konferencën e Dytë Ndërkombëtare për Investimet e Huaja në Shqipëri
Kryeministri Berisha dha sot në mbrëmje një pritje në Pallatin e Brigadave, në nder të personaliteteve dhe përfaqësuesve të biznesit, pjesëmarrës në Konferencën e Dytë Ndërkombëtare për Investimet e Huaja në Shqipëri. Të pranishëm ishin edhe anëtarë të kabinetit qeveritar, përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, përfaqësues të komunitetit të biznesit në Shqipëri, etj..
Pasi u uroi mirëseardhjen të pranishmeve, Kryeministri Berisha u shpreh se ishte nje privilegj dhe nder i madh t’u ofronte mikpritjen dhe t’u shprehte mirënjohjen e thellë të gjithë pjesëmarrësve, të cilët kanë mbështetur udhëtimin e vendit tonë drejt progresit, në këto 20 vitet e fundit, që kanë ndihmuar kombin shqiptar për të ndërtuar në Shqipëri ekonominë e tregut dhe prosperitetin.
“Banka Islamike për Zhvillim dhe Fondi i OPEC-ut ishin nga të parët që ndjenë nevojat e Shqipërisë, të cilat ishin të panumërta dhe që ndihmuan në të gjitha fushat, duke implementuar në këtë vend shumë projekte, si në ujësjellës, rrugë, spitale dhe kujdes shëndetësor, bujqësi, etj. Nuk ka fusha ku kjo Bankë dhe ky Fond nuk kanë ofruar ndihmën e tyre, nuk kanë kontribuar në ndryshimin e këtij vendi. Fondi i OPEC-ut ishte ndër të parët që filloi dhe ndihmoi Shqipërinë në ndërtimin e spitaleve modern, rrugëve modern dhe mbështeti projekte në ndihmë të vendit. Nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, ka shumë projekte të realizuar nga zemërgjerësia e taksapaguesve të vendeve anëtare të Bankës Islamike për Zhvillim dhe Fondit të OPEC-ut. Por gjithashtu, shumë investitorë nga vendet arabe kanë investuar në Shqipëri dhe një nga më të fuqishmit është grupi Al Kharaf, i cili me investimet e tij është bërë një shembull i shkëlqyer i suksesit, duke realizuar qindra e qindra milionë në investime dhe vazhdoi të qëndrojë këtu dhe të investojë me durim edhe në kohët më të vështira për këtë vend”, u shpreh Kryeministri.
Me tej, Kryeministri shprehu vullnetin e palëkundur të qeverisë për forcimin e klimës së favorshme për biznesin në vend. “Ne punuam shumë gjatë gjithë këtyre viteve që ta kthejmë Shqipërinë në një vend tërheqës për investimet, për projektet tuaja dhe, në këto dy ditë në Shqipëri, ju do të keni rastin më të mirë për të parë nga afër potencialet tona. Në hartë Shqipëria është një vend i vogël, por në potenciale nuk është i tillë, por është vend me potenciale të mëdha.
Kryeministri Berisha i falënderoi edhe njëherë Bankën Islamike për Zhvillim dhe OPEC për gjithë ndihmën e dhënë, por shtoi ai, ka ende nevoje për mbështetje në shumë sektorë. “Shqipëri ende ka nevojë për mbështetjen tuaj, sepse në këtë vend, ju po investoni me zemërgjerësi në të gjitha fushat, por nuk mund t’ju them se nevojat për ndihmë janë më të vogla sesa ishin. Ende nevoja për mbështetje është shumë e madhe. Ende ne duhet të rinovojmë të gjithë rrjetin rrugor. Shumë shpejt do të rinovojmë sistemin e vaditjes për fermerët tanë. Ne po shkojmë drejt një bashkimi i cili ka një potencial të madh të prodhimit bujqësor. Fermerët tanë të varfër duhet të krahasohen me këtë nivel, pra të ketë kompeticion dhe në qoftë se qeveria nuk u qëndron pranë atyre, ata me siguri do të kenë një të ardhme të vështirë përpara. Ja pse ne e çmojmë shumë çdo lloj ndihme që ju mund të na jepni, në mënyrë që të forcojmë investimet e fermerëve tanë, produktivitetin dhe prosperitetin e tyre. Projekte të mëdha në fusha të ndryshme janë në zbatim e sipër, në ujësjellësa, trajtimin e ujërave të zeza, prodhimin e energjisë, etj. Ndaj ne mirëpresim çdo lloj ndihme të vazhdueshme, sepse ju jeni duke na ndihmuar ndërkohë”, theksoi Kryeministri.
Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Fondit “OPEC”” për Zhvillim Ndërkombëtare, z Sulejman J. Al- Herbish, u shpreh se Fondi i OPEC-ut ka si mision ndihmën e vendeve të cilat e meritojnë mbështetjen e OPEC-ut dhe Shqipëria është në krye të listët së këtyre vendeve. Ai siguroi dhe shprehu angazhimin e tij personal dhe të institucionit që përfaqësonte se do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë në projekte të mëdha për prosperitetin dhe modernizimin e Shqipërisë.
Ndërsa Përfaqësuesi i lartë i Bankës Islamike për Zhvillim, në fjalë e tij, vlerësoi rëndësinë e vendimit për zhvillimin e kësaj konference të rëndësishme në Shqipëri, në një kohë kur e gjithë bota po kalon një krizë ekonomike. Ai u shpreh se këtë gjë ata e bënë sepse e dinin se Shqipëria është vendi i mundësive të mëdha, është vendi me rritjen më të madhe ekonomike në Europë, është një vend i renditur shumë lart në raportet ndërkombëtare. Oportunitetet janë këtu, në këtë vend. Banka Islamike për Zhvillim është e gatshme t’ju mbështesë në të gjitha investimet tuaja, në cilindo sektor që ju mendoni të investoni dhe ne jemi këtu për të mbështetur investimet tuaja, u shpreh ai.
02/11/2009