Kryeministri Berisha në Elbasan për 100 vjetorin: Akti i Pavarësisë, nder për të gjithë kombin
Në 25 nëntor 1912 Elbasani shpalli i pari pavarësinë, duke vënë kështu gurin e parë në themelet e Pavarësisë Kombëtare. Kryeministri Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij zonja Liri Berisha, vizitoi sot Elbasanin ku mori pjesë në aktivitetet e organizuara në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së vendit.
Të pranishëm ishin edhe deputetë të qarkut, përfaqësues të pushtetit vendor si dhe familjarë të patriotëve dhe firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë së Elbasanit.
Aktivitetet nisën me ceremoninë përkujtimore për patriotin e shquar Aqif Pashë Elbasanin dhe firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë së Elbasanit. Nën tingujt e himnit kombëtar, kryeministri Berisha së bashku me kryetarin e Bashkisë së Elbasanit z.Qazim Sejdiu dhe prefektin e qarkut, zbuluan pllakën në nderim të 37 firmëtarëve të Pavarësisë së Elbasanit dhe të përfaqësuesve të Elbasanit, në Vlorë më 28 nëntor 1912, si Lef Nosi, Shefqet Daiu, Mit’hat Frashëri, Qemal Karaosmani. Pllaka, së bashku me shtatoren e Aqif Pashë Elbasanit (1860 - 1926) janë vendosur në bulevardin e qytetit që mban emrin e tij.
Më pas Kryeministri Berisha dhe të pranishmit e tjerë inauguruan dhe shtatoren e Lef Nosit, atdhetarit, politikanit dhe studiuesit nga Elbasani, i cili ka qenë dhe ruajtësi i Dokumentit të Pavarësisë së Shqipërisë 100 vjet më parë. Lef Nosi, për të bërë të pamundur falsifikimin dhe manipulimin e tij, me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë, e fotografoi dhe e botoi duke ju dhuruar një kopje familjeve të të gjithë nënshkruesve dhe duke e shpërndarë botërisht.