E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurora e festës

25-11-2012 / Nga Qemal Sakajeva

Ka ndër ne vetje që, zbrazen edhe duke botuar, për të thënë se organizohen festime të tepruara. Por nuk ka aspak teprim, mjafton t’u hedhësh sytë shteteve të tjera që, edhe për festa të përvitshme, bëjnë kaq e më shumë.
Ka ndër ne vetje që, për këtë  lloj-llojshmëri festimesh, thonë bëhet për propagandë. Por nuk ka aspak propagandë, kur bashkë me festën e kryeshkullit, ndreqen edhe shtrembërime gjysmëshekullore dhe festimi  kryhet i zhveshur nga ideologjia.
Ka ndër ne vetje që, të goditur nga zilia ndaj atyre që u ra për meritë, të organizojnë festën e madhe ndryshe nga çdo herë në këta 100 vjet, paralajmërojnë se shumica do ta  përdorë si kapital politik. Por, kur të bie fati i lakmuar historik i kryesimit, kryesuesit janë të detyruar të bëjnë më të mirën dhe, kjo që bëhet nuk është për kapital politik, por rrjedhim i përgjegjësisë për nderimin e  brezave në historinë e vështirë të Shqipërisë, aq të vështirë sa që, 100 vjet mund të mbushnin fare mirë me ngjarje edhe 1000 vjet!
Shqipëria, e shpallur e Pavarur 100 vjet më parë, që mbart me vete shumëçka, si për t’u krenuar e si për t’u ndjerë e plagosur, përjeton të vetmin festim ndër 99 përkujtime sa kanë kaluar duke mbajtur mbi kryet e vet  një kurorë më se të denjë me katër diamante të mëdhenj:
1. Shqipëria është e lirë dhe demokratike, e kthyer plotësisht kah Perëndimi. Kemi filluar të mësohemi me këtë ëndërr, të pambërritshme gjatë gjysmës së  dytë e shekullit të kaluar, kur askush nuk mund të guxonte të mendonte  se do të mund ta preknim Perëndimin  përtej  ekranit të televizorit, edhe ashtu vetëm si iluzion, me vështirësi e fshehurazi. Udhëtimi i shqiptarëve për në Perëndim, dikur më të izoluarit e botës, është bërë aq i thjeshtë saç njeriu mendohet për të shkuar në një qytet. Është përmbysur gjithçka: përpara thoshim, “nuk marr dot vizë, se paratë i bëj”; tani askush nuk mendon më për vizën, por të mbledhë paratë. Bunkeri më gjigand i këtij vendi - edhe më i fortë  se bunkerët e hekurbetontë - ka qenë ndrymja e popullit në mbyllje, për të mos e lejuar të shihte përtej: Perëndimi qe tjetër planet, Shqipëria në një tjetër.
2. Çfarë do të ishte, kjo kryefestë shekullore, pa Kosovën e lirë? Festimi ynë do të qe, ose  i gjymtë ose egoist, sepse do të ishte përjetim krenar i njërës gjysmë dhe lëngim vuajtës i gjysmës tjetër. Kurrë shqiptarët,  të lirë në territorin  e tyre vetëm në fund të shekullit, nuk kanë pasur një përbashkim shpirtëror si ky festim i përbashkët, me flamurin e përbashkët, me ditën e përbashkët, me figurat e përbashkëta, me organizime të përbashkëta, me politika të përbashkëta, me udhëtime të ndërsjella në territore me kufij thuajse konvencionalë. Kombi nuk është hutuar, të harrojë të jetë mirënjohës: m’u në mes të Prishtinës  ngriti shtatoren e Presidentit amerikan Bill Klinton - heroi i Çlirimit; në Fushë - Krujë u vendos busti i George W. Bush, Presidenti amerikan që lajmëroi Pavarësinë; dhe, në përvjetorin e 100-të të Pavarësisë, Presidenti amerikan Woodrow Willson qendron i derdhur në bronz, m’u në mes të Tiranës, me kumtin e tij të 1919-të, i  përcjellë në leximin e gishtit tregues, sipas historisë dhe skulptorit: Të mos preket Shqipëria! Këto nuk do të kishin ndodhur, siç edhe nuk ndodhën, pa çlirimin e dy gjysmave të atdheut - të Shqipërisë nga komunizmi, të Kosovës nga serbizmi.
3. Njerëzit e përfshirë nga festimet - ngjallja më mbresëlënëse e patriotizmit mbarëshqiptar - edhe mund të mos  kujtohen që, ky festim i përbashkët do të ishte shumë më i vështirë pa Rrugën e Kombit. Të mbërrish nga Prishtina në Tiranë më shpejt se sa nga Saranda në kryeqytet, gati - gati ka qenë aq e pabesueshme, saç e pabesueshme dukej Kosova të bëhej shtet më vete. Opozita e majtë,  kritikoi dhe pengoi sa mundi, ndërtimin e rrugës madhështore. Por, çdo qeveri që të ishte në pushtet në 100-vjetor, do të bëhej përgjegjëse dhe do të mbulohej me turp nëse nuk do të ndërtonte këtë rrugë as 13 vjet pas Kosovës së lirë. Festimet nuk do të ishin të denja pa këtë vepër përbashkuese, që i ka afruar territoret përtej çdo përfytyrimi të udhëtuesve. Prizreni i Lidhjes dhe Vlora e Flamurit, dy qytete të jashtëzakonshme për fatin e shqiptarëve, frymojnë aq pranë sa, entuziastët e Pavarësisë janë nisur më këmbë, që nga Gjilani për në qytetin e Vlorës, pa e çuar lodhjen nëpër mend.
4. Përqafimi që Shqipëria i bën Bashkimit Europian, u jep festimeve edhe më madhështi pasi, prekja e Perëndimit nga gjithë shqiptarët është e vërtetë. Edhe pse opozita e majtë u shfaq zemërgur ndaj përvjetorit të shenjtë, shpërfillëse ndaj ndjenjës europiane të shprehur të popullit, përbuzëse ndaj gati lutjeve të pozitës, kryeneçe ndaj thirrjeve të BE dhe SHBA, për t’i  votuar ato tri ligje të mbetura, për marrjen e plotë të statusit të vendit kandidat, prapë se prapë rekomandimi i Bashkimit Europian në prag të 100-vjetorit mbetet diçka e madhe: Shqipëria e meriton statusin edhe kur opozita s’do; shqiptarët e meritojnë statusin edhe kur opozita bllokon; shteti shqiptar e meriton statusin edhe kur opozita shumëzon me zero. Komisioni i Jashtëm kreu në Parlamentin Europian për shqiptarët, atë që nuk bëri opozita në Kuvend për Shqipërinë: me një votim mjaft domethënës, kërkoi që të përmbyllet çështja e statusit, dhe të shihet përpara, drejt zgjedhjeve me standarde ndërkombëtare. Edhe pse kjo sjellje e opozitës krijon ndjesi të keqe m’u në kulm të festimeve, që nga Tirana deri në Strasburg e Bruksel, festa nuk mund të cenohet, sepse 200- vjetori i Pavarësisë do edhe plot një shekull të vij dhe, askush nga ky brez nuk jeton për të festuar atëherë më mirë, por edhe sepse, për këtë 100-vjetor,  meritat dhe përgjegjësitë janë ndarë tashmë. Prandaj, marrja e plotë e statusit do të ishte një leksion i jashtëzakonshëm i Bashkimit Europian për modelin politik të bllokimit, sipas filozofisë në shqip - haka shkon te i zoti: kush bllokon, humb!
Ajo pjesë e politikës, që vuan nga sindroma e marrjes së pushtetit një orë e më parë dhe lëngon nga ndjesia e mosqënies protagoniste  në kapërcyellin historik, te ky përvjetor i veçantë me festime të pazakonta, ka marrë ndjesi mërzie, zilie e qortimi. Por, protagonizëm historik nuk mund të bëhet kurrë me bllokim historik.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›