Refreni bllokues i Edi Ramës: “Hap kutitë”, “liro Fierin”...
Motivet bllokuese të Ramës janë të njëjta qysh nga 2009-a. Qëkur e shpëtoi postin e kryetarit të partisë me protesta e bojkot, Edi Rama ka kuptuar se mjafton të bllokosh procesin e integrimit për të mbetur në krye të një fraksioni bolshevik të së së majtës. Në 2009-n ishte “Hap kutitë të çliroj vizat”, sot është “Liro Fierin t’i hap rrugë statusit”, ndërkohë që pas humbjes së 2013-s mund të jetë “më bëj kryeministër të njoh rezultatin e zgjedhjeve”
Në muzikë, refreni është një pjesë e kompozimit, instrumental ose vokal, e përsëritur shumë herë në alternimet e vargjeve dhe zakonisht ka një lajtmotiv të dëgjuar. Edhe refreni i Partisë Socialiste me fjalët e deputetit besnik të Ramës, Baraj, sipas të cilit, “S’tërhiqemi nga Fieri, zhblloko integrimin”, është një lajtmotiv i dëgjuar më parë, në versionin “Hap kutitë, çliro vizat”. Dy vite me radhë kreu i PS, Edi Rama shpërdoroi mundësinë e marrjes së Statusit të vendit Kandidat për në BE, pasi rekomandimi pozitiv ishte i pamundur në kushtet kur në opozita ishte jashtë parlamentit duke bojkotuar, në rrugë me protesta, përballë kryeministrisë me çadra greve urie, në bulevard me demonstrata të dhunshme ku refreni i protestës “hap kutitë ose largohu”, që më pas u kthye në “Hap kutitë, çliro vizat”. Ndërsa në vitin e tretë Shqipëria rrezikon t’i refuzohet marrja e Statusit të vendit Kandidat, në dhjetor, për motive të dobëta elektorale, që kristalizohen në refrenin, “S’tërhiqemi nga Fieri, zhblloko integrimin”. Ashtu siç synoi të ndërkombëtarizonte humbjen në zgjedhjet parlamentare të 2009 me alibinë e hapjes së kutive dhe veprimeve radikale të protestës, po kështu synoi të ndërkombëtarizonte çështjen e qarkut të Fier. Por kësaj radhe, as përfaqësuesit e kancelarive Europiane në Tiranë, as në Bruksel e Uashington asnjë fjalë për Fierit. Të gjithë, të majtë e të djathtë, në Bruksel dhe Uashington apeli është për votimin e tre reformave. Përkundër thirrjeve dashamirëse të Sekretares amerikane të shtetit Klinton që të tejkalohet lokalizmi për çështjet e një rëndësie kombëtare; Haxhi Qamili i politikës shqiptare këmbëngul fort për fatin e karriges së Vangjelit në qarkun Fier. A thua se Fieri është më e rëndësishëm sesa Brukseli. Për shumë jo, por për Edi Ramën, po. Kjo një sjelle cinike me fatin europian të shqiptarëve po mohon në foto-finish marrjen e Statusit të vendit kandidat për në BE Shqipërisë. Në veçanti, në 100 vjetorin e Pavarësisë dhe momentin më vendimtar për të shprehur vullnetin pro-europian të shqiptarëve, shefi i opozitës Rama ngriti murin ndarës me Europën, duke përdorur “hallin” e fierakut Vangjel për të përmbysur gjithë punën e reformave të bërë deri më tani. Ndërkaq komisioni i Jashtëm i Bashkimit Europian në pritje të lajmit të votimit të tre ligjeve nga parlamenti shqiptar për marrjen e statusit të vendit kandidat u tregua më dashamirëse se Edi Ramë në Tiranë, duke votuar rezolutën për marrjen pa vonesa të statusit të vendit Kandidat. Sigurisht marrja e statusit të vendit kandidat për të hyrë në BE ka të bëjë drejtpërdrejt interesin e përgjithshëm të qytetarëve. Ky interes në radhë të parë është shpirtëror dhe në radhë të dytë është material. Është shpirtëror rikthimi në folenë e Europës pasi që për shumë kohë kemi qenë izoluar prej politikës së mbrapshtë të regjimit komunist, e cila kultivohen në Partinë Socialiste si trashëgimtare e drejtpërdrejtë dhe vijueshmëria e kupolës së PS përbëhet nga pinjollë të Bllokut. Është materiale rikthimi në tregun europian me liberalizmin e ekonomisë drejt zgjerimit të lirisë ekonomike. Me mos marrjen e statusit të vendit kandidat në dhjetor vendi sigurisht humbet dhe sasinë e fondeve në miliona dollarë për infrastrukturën dhe bujqësinë, sipas projekteve zhvillimore IPA. Mos marrja e statusin të vendit kandidat në dhjetor, në vitin 2013, në hartimin e strategjisë së re financiare të Bashkimit Europian, Shqipëria përfiton më pak se vendet që kanë statusin kandidat. Paratë që do t’i jepeshin Shqipërisë për reforma dhe projekte zhvillimore, me shumë mundësi do të shkojnë për të mbyllur gropat financiare të vendeve fqinje, si Greqia apo Serbia, që janë në krizë të thellë ekonomike. Ndërsa, dëmi i shkaktuar ekonomisë shqiptare prej pengimit të marrjes së statusit, në vërtetë nuk është një dëm që i bëhet kësaj qeverie, por është një dëm që u bëhet të gjithë shqiptarëve.
...