E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në Samitin e SEECP-it

Zoti Kryetar,
të dashur kolegë kryeministra,
të nderuar të ftuar,
të dashur miq,
zonja dhe zotërinj,

Do të doja të filloja duke shprehur vlerësimin tim më të sinqertë vendit mikpritës, qeverisë së Kroacisë dhe Kryeministrit Ivo Sanader për mikpritjen e ngrohtë që kemi marrë sot në qytetin e mrekullueshëm të Zagrebit. Do të doja të shfrytëzoja rastin edhe për të përgëzuar Kroacinë në rolin e saj si kryetare në detyrë për organizimin e tyre të shkëlqyer të aktiviteteve në fushat prioritare të bashkëpunimit rajonal.

Në se ka një denominator të përbashkët midis popujve tanë, ky do të ishte vlera e madhe që të gjithë ne i japim mikpritjes. Sot, ne kemi nderin dhe privilegjin të kemi në këtë takim znj.Angela Merkel, Kancelare e Republikës Federale Gjermane, e cila mban edhe funksionin e Presidences se Bashkimit Evropian, z.Jose Barroso Presidentin e Komisionit Evropian, z.Nicholas Burns, Zëvendëssekretar i Shtetit i SHBA, personalitete dhe përfaqësues të tjerë të vendeve miq, si dhe organizatave ndërkombëtare. Pjesëmarrja juaj në këtë takim të Proçesi të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore (SEECP) përbën një dëshmi të qartë të mbështetjes dhe angazhimit të vendeve tuaja drejt rajonit tonë, në përpjekjet tona për të ushqyer bashkëpunim rajonal dhe prosperitet.
Ne ju jemi shumë mirënjohës për këtë.

Të nderuar kolegë dhe të ftuar,

Qeveria Shqiptare beson, se takimi i sotëm është shndërruar në një forum shumë të rëndësishëm për bashkëpunimin rajonal.

Dua të përfitoj nga rasti të përshëndes Erhard Busek, një njeri që ka dhënë ndihmesë shumë të vyer në çështjet e integrimit të rajonit.

Gjatë Presidencës së Kroacisë, vendet tona kanë bërë hapa të mëdha përpara, si në kuadrin politik, kulturor, ekonomik dhe shoqëror, edhe në krijimin e një klime të bashkëpunimit rajonal dhe më gjerësisht atij pan-evropian.
Të gjitha vendet tona janë përfshirë dhe kanë shënuar progres në njërin nga proceset e integrimit Euro-Atlantik. Në një vit, Rumania dhe Bullgaria u bënë anëtare te Bashkimit Evropian, Kroacia do t'ju bashkohet atyre shpresojmë shumë shpejt, Maqedonisë ju dha statusi i kandidatit për anëtarësim dhe Shqipëria firmoi MSA dhe sigloi një marrëveshje për lehtësimin e regjimit të vizave me anëtarët e BE.Republika e Malit të Zi proklamojë pavarësinë dhe ne e përshëndesim atë dhe qeverinë e zotit Zeljko Sturanovic. Të gjitha vendet e tjera kanë hapur negociata për të hyrë në procesin e MSA. Kosova, po lëviz drejt finalizimit të statusit si një vend evropian i pavarur, i lirë dhe demokratik.

Në këtë kontekst, duhet përmendur se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, duke punuar së bashku në kuadrin e Kartës së Adriatikut dhe Partneritetit për Paqe, jane në prag të meritimit të ftesës për anëtarësim nga Samiti i NATOS në Riga, e bazuar në performancën e tyre individuale. Bosnja-Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi u bënë anëtarë të Partneritetit për Paqe.

Në këtë kontekst, ne presim me kënaqësi dhe shpresë të madhe vizitën që do të bëjë në Shqipëri, Presidenti i SHBA-ve, George W. Bush, më 10 qershor. Shqipëria nuk do të harrojë kurrë atë që SHBA kanë bërë historikisht për të, qysh nga kohët e krijimit të shtetit të parë modern shqiptar, e deri tek mbështetja gjatë rënies se një prej diktaturave më të egra në Evropë. Ne nuk mund të harrojmë edhe mbështetjen e vazhdueshme që SHBA ka dhënë e vazhdon të na japë gjatë periudhës së konsolidimit të demokracisë në Shqipëri.

Por ne jemi të bindur, se kjo vizitë nuk është historike vetëm për kombin shqiptar dhe partnerët tanë në A3 Kroacia dhe Maqedonia. Ajo ka një vlerë të veçantë për të gjitha vendet e Evropës Jug-Lindore, si një tjetër provë e angazhimit të SHBA-ve për perspektivën Euro-Atlantike të rajonit.

KOSOVA:
Zonja dhe zoterinj,

Rajoni ynë ka hyrë në një moment deciziv për zgjidhjen finale të krizës ballkanike, zgjidhjen e statusit të Kosovës. Kjo zgjidhje do të jetë fundi de jure i një politike që fillon në fillimet e shekullit të kaluar, e cila ka shkaktuar mese njëqind vjet konflikte dramatike.

Shqipëria, sikurse dhe SHBA dhe EU, mbështet plotësisht planin e Presidentit Ahtisaari si një platformë reale që siguron paqe dhe stabilitet në Kosovë por edhe në rajon. Unë e kuptoj nevojën për negociata. Por Presidenti Ahtisaari bëri pikërisht këtë gjatë kësaj periudhe. Ai mblodhi në Vjenë dhe tjetërkund të dyja palët për bisedime të zgjatura. Por gjatë këtyre negociatave u shfaqën dy koncepte të ndryshme: e para e bazuar në fantazmën e Serbisë së madhe, e cila është ende e gjallë, promovuese e një politike dominuese të njerit komb nga tjetri, dhe e dyta i cili ishte koncepti i shqiptarëve të Kosovës dhe komunitetit ndërkombetar, koncept i cili garanton paqe, bashkëpunim dhe integrim.

Zgjidhja e çështjes së statusit të Kosovës nuk mund dhe nuk duhet të zgjatet. Sepse nuk ka asnjë alternativë tjetër për rajonin përveç integrimit euro-atlantik.

Kjo është arsyeja pse ne besojmë që Keshilli i Sigurimit duhet të adoptojë rezolutën për Statusin e Kosovës bazuar në propozimin e Presidentit Ahtisaari.

Në këtë realitet, shqiptarët dhe serbët janë të dy kombe rajonale, ndonëse për arsye të ndryshme dhe krejt të kundërta. Por unë mendoj se këto dy kombe duhet të shohin integrimin në BE dhe NATO si të ardhmen më të sigurtë të tyre. Shqiptarët dhe serbët kanë një histori të gjatë konflikti, është në interesin e tyre më të mirëë të kthejnë faqen, të lenë prapa bagazhet të cilat nuk i ndihmojnë aspak për të ardhmen, si rrugën më të mirë për të ndërtuar prosperitetin demokracinë e kombeve dhe vendeve të tyre.

Shqipëria është e vendosur të ketë marrëdhënie të shkëlqyera me Kosovën dhe këtë model marrëdhëniesh dëshiron ta ketë dhe me kombet e tjerë.

Duke përfunduar i uroj Kryeministrit Bullgar Stanishev suksese në kryesimin e Proçesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore (SEECP) dhe siguroj kryeministrin Stanishev për bashkëpunimin e plotë të Shqipërisë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›