Kryeministri Berisha merr pjesë në meshën solemne të Lumturimit të Papa Gjon Pali II

Kryeministri Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha, mori pjesë paraditen e sotme në meshën solemne të Lumturimit të Papës Gjon Pali II.
Në prani të mjaft personaliteteve të larta shtetërore, krerëve të shteteve e qindra besimtarëve, kryeministri dhe zonja Berisha ndoqën nga afër të gjitha ritualet fetarë të ceremonisë të Lumturimit të Papës Gjon Pali II, të organizuar nga Selia e Shenjtë. Në përfundim të ceremonisë të gjithë pjesëmarrësit, nën autoritetin apostolik të Papës, festuan hapin e parë të hedhur drejt shenjtërimit të plotë të Papës Gjon Pali II, ku Kryeministri Berisha dhe zonja Berisha u pritën në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, nga Ati i Shenjtë, Papa Benedikti XVI.
Më herët, gjatë mbërritjes së tij në aeroportin e Romës kryeministri Berisha u prit me entuziazëm nga dhjetëra studentë, të cilën ndjekin studimet në Romë si dhe nga anëtarë të Forumit Rinor Demokrat, të cilët kishin organizuar këtë pritje surprizë. Të rinjtë e falenderuan Kryeministrin Berisha në emër të të gjithë studentëve, për mbështetjen që ai personalisht ka dhënë dhe uruan që puna e tyre studentore dhe politike të vazhdojë edhe më tej. Kryeministri Berisha nga ana e tij i falenderoi ata për këtë pritje surprizë dhe i shprehu atyre mirënjohjen për kontributin që ata japin.
01/05/2011