Kryeministri Berisha në forumin e KiE/Ligjeratë në sesionin e ditës së hënë, marin pjesë personalitete të shquara nga e gjithë bota
Ndryshimet madhore të vendit, konsolidimi i demokracisë, i tregut të lirë dhe zhvillimi ekonomik, të cilat kanë në bazë të tyre lirinë do të jenë në qendër që fjalës që do të mbajë nesër Kryeministri, Sali Berisha në Forumin Ndërkombëtar për Demokracinë që zhvillohet nga Këshilli i Evropës.
Kështu, Kryeministri Berisha do të niset sot për në Strasburg, ku do të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Demokracinë, që zhvillohet nga Këshilli i Evropës. Ky Forum, i cili zhvillohet në periudhën 5-11 tetor, do të trajtojë një seri temash mbi demokracinë dhe të ardhmen e saj si “Modelet e vjetra dhe realitetet e reja”, “Të rinjtë dhe demokracia”’, “Demokracia gjithëpërfshirëse”, “Vlerat Universale, Sfidat Globale dhe Realitetet Rajonale”. Në këtë Forum do të marrë pjesë edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Ndërkohë në këtë Forum marrin pjesë personalitete të shquara të politikës, ekonomisë, shoqërisë civile, drejtësisë etj nga Evropa dhe mbarë bota si Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të KiE-së Jean-Claude Mignon, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës Thorbjørn Jagland, President i Parlamentit Evropian Martin Schultz, Ministri i Financave të Gjermanisë Wolfgang Achauble, etj.
Kryeministri Berisha, në emër të Presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës do t’i drejtohet Forumit me një fjalë, në sesionin e ditës së hënë me temë “A kanë nevojë tregjet për demokracinë dhe anasjelltas?”.