E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentarë të Partisë Demokratike

Kryeministri Berisha ka marrë pjesë sot ne mbledhjen e Grupit Parlamentarë të Partisë Demokratike. Kryeministri u ndal gjatë fjalës së tij tek koncepti i grushtit të shteti dhe citoi disa fjalorë dhe agjenci, të cilat shpjegojnë më së miri konceptin e grushtit të shtetit.  Kreu i qeverisë ju ka kërkuar deputeteve të mazhorancës, që të zhvillojnë takime të ngushta dhe individuale, për të sqaruar opinionin publik lidhur me atë çfarë ka ndodhur me 21 janar.  Gjithashtu  kryeministri ka shprehur dhe njëherë mirënjohjen dhe falënderimin më të thellë dhe të pakufishëm për trimërinë, burrërinë he profesionalizmit që treguan me 21 janar punonjësit e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës. 

Më gjerë në fjalën e tij kryeministri u shpreh:

Puçi i shtetit të 21 janarit dështoi në mënyrën më të turpshme dhe puçistët kapitulluan, në një sulm barbar ndaj Këshillit të Ministrave.  Si një ngjarje, që në Shqipëri ka ndodhur vetëm në vitin 1924, kur aventurierët politikë, larguan me dhunë kryeministrin e vetëm në Ballkan të zgjedhur me votën e qytetarëve të tij dhe bënë, që ai të rikthehet dhe ti përzinte nga pushteti, bashibozukët dhe aventurierët, që i morën pushtetin me forcë.  21 janari është dita e turpit e krimit më të shëmtuar kushtetues të këtij vendi.

Të dashur deputetë dhe deputete

Duke ju falënderuar ju me mirënjohjen më të thellë, për atë solidaritet të jashtëzakonshme, shkallë të lartë përgjegjësie, mbështetjen që ju dëshmuat ndaj forcave të rendit, pati shumë prej  jush që erdhët drejt Tiranës, latë shtëpitë dhe qytetet tuaja, u bashkuat me mua në Këshillin e Ministrave, apo qëndruat në detyrat ku ishit, në mënyrë që grushti i shtetit të mos mund të kalonte kurrë.

Meqenëse puçistët,  të tmerruar nga fytyra e tyre e shëmtuar,  nga vepra e tyre kriminale, përpiqen me gjithë propagandën në media të maskojnë atë që bënë, unë dua tu lexoj juve dhe mbarë shqiptarëve, përcaktimet e grushtit të shtetit në të gjitha burimet më serioze të botës.  E bëj këtë për të qartësuar çdo shqiptar, që më të drejtë nuk e dinë, nuk e kanë të qartë se çfarë është grushti i shtetit.  E bëj këtë gjithashtu për tu thënë puçistëve, që nuk ka maskë, që nuk ka asgjë, që do të mund të mbulojë fytyrën tuaj, në  aktin që bëtë.

Do tu referohemi dokumenteve kryesore  botërore. Fjalori  Heritage  amerikan , thotë se; grushti i shteti është përmbysja e papritur e një qeverie, zakonisht nga grupe të vogla personash  me pushtet, ose që më parë kanë qenë në pushtet.
Partia e dhunës   ka qenë 45 vjet në dhunë, ka qenë 8 vjet gjatë demokracisë, partia e puçistëve dhe nuk besoj se duhet të ketë përkufizim më të plotë më të saktë sesa ky që ndodhi me 21 janar.

Enciklopedia  Britanike, përcakton se; grushti i shteti është përmbysja e papritur e një qeverie ekzistuese, nga një grup konspiratorë.  Nuk besoj se ka gjë tjetër që përputhet më shumë sesa ky përkufizim me ngjarjen e 21 janarit.

Fjalori i Historisë Ushtarake të Oksfordit, përcakton se, grushti i shteti është një përpjekje për të ndryshuar një qeveri me kërcënime, ose përdorim force  zakonisht, por jo gjithnjë i shoqëruar nga ushtarakët.  Ndonëse vullneti dhe aftësia, ose mungesa e tyre nga ana e forcave të armatosura për të mbrojtur një qeveri mund të jenë përcaktuese për një grusht shteti.

As edhe një ushtar i vetëm nuk ka dalë nga kazerma, ishin të gatshëm të mbronin qeverinë dhe rendin kushtetues në çdo rast , por heronjtë  e policisë dhe të gardës, bënë pluhur skenarin e puçistëve, mercenarëve  e 200-300 bashibozukëve, njerëzve të paguar, që donin ti bënin Shqipërisë gjëmën, për karrigen e Edvin Kristaq Ramës,  Gramoz  Ruçit, Skënder Gjinushit dhe ndonjë tjetri.

Në  Fjalorin Politik të Oksfordit, grushti i shteti përcaktohet si rrëzimi i papritur, me forcë dhe ilegal i një qeverie . Shqiptarët e panë se ku ishte synimi i tyre, ne disponojmë të gjitha dokumentet, që ata këtë dhe vetëm këtë synonin.   Në Fjalorin e Literaturës Politike, grushti i shtetit, përcaktohet si një marrje e shpejtë dhe deçizive e pushtetit, të një qeverie, nga grupe ushtarake apo grupe politike.  Nuk besoj se kreu i Partisë Socialiste dhe Ruçi e Gjinushi drejtonin ndonjë OJQ, por drejtonin forca politike që në traditën e tyre kanë dhunën e terrorin.  E kthyen Partinë Socialiste në ditët më të zeza të Partisë së Punës .

Eduard Ludvag në manualin e tij për grushtin e shtetit  një nga personalitet më të shquara të planetit, shkruan se një grusht, një puç , konsiston në infiltrimin e një segmenti të vogël, por kritik të aparatit shtetëror, që përdoret më pas për të larguar kontrollin e qeverisë nga ato pjesë që kanë mbetur.  Lundvag  shkruan se forcat e armatosura nuk janë një tipar dallues për një grusht shteti.  Ata që mendojnë se nuk dolën  tanket  dhe prandaj nuk pati grusht shteti, e kanë gabim ai është grusht shteti.

Në Enciklopedinë Britanike, intervencioni politik quhet gjithashtu grusht shteti  dhe nënkupton rrëzimin, e papritur me dhunë të qeverisë ekzistuese nga një grup i vogël.  Për suksesin kryesor të një grushti është kontrolli i përgjithshëm i pjesëve të Forcave të Armatosura, policisë dhe elementëve të tjerë ushtarakë, gjë të cilën nuk do ta bënin kurrë dot puçistët në Shqipëri. 

Në Fjalorin e Lirë, puç apo grusht shteti është përpjekja e papritur e një grupi për të rrëzuar një qeveri. Në  Wikipedia   puç apo grusht shteti është përmbysja e papritur  dhe ilegale e një qeverie .  Nw njw tjetër fjalor  thuhet se;  gusht shteti është rrëzimi i shpejtë jashtë ligjor i një qeverie.
Wordweb, thotë se; grusht shteti është një ndryshim i shpejtë dhe vendimtarë, ilegal, ose më forcë i një qeveria.

Nonviolence  International  thotë  se; grushti i shteti është përmbysja e papritur me forcë  e një qeverie nga një grup komplotistësh kundër saj.
Die.net  thotë se; përcaktimi i grushtit të shteti është, një ushtrim i papritur pushteti, pasi ke përmbysur qeverinë ekzistuese pa pëlqimin e popullit.
Definitions. net, thotë se ; grushti i shteti është marrja  pushteti me dhunë, është ndryshim i papritur vendimtarë i një qeverie në rrugë ilegale ose me forcë.

Kjo është ajo që u tentua me 21 janar.  Kjo është ajo që u bë pluhur me datën 21 janar, falë heroizmit,  qëndresës, profesionalizmit, trimërisë, burrërisë së punonjësve të Policisë së Shteti  shqiptarë dhe Gardës së Republikës së këtij vendi.

Le tu shprehim dhe njëherë mirënjohjen tonë më të thellë dhe më të pakufishme. Ata dëshmuan se në këtë vend, aventura të tilla nuk mund të kalojnë kurrë. Ne vërtet përjetuam një nga  momentet  më dramatike ndoshta në historinë tonë të 87 viteve të fundit, por ne nga ana tjetër dëshmuam se cila është forca e ligjit në këtë vend.  Dëshmuam se institucionet kushtetuese të këtij vendi, ligjet dhe kushtetuta e tij janë të pathyeshme të pacenueshme.  Se mjerë ata që tentojnë ti marrin.

Zhvillimet e mëpastajshme ju i keni njohur.  Ajo që është më pozitive në gjithë këtë akt të turpshëm kriminal është fakti se, qeveria shqiptare ka pasur mbështetje të plotë  të partnerëve ndërkombëtare  në tërësi dhe në mënyrën më të veçantë të qeverisë së Shteteve te Bashkuara të Amerikës, dhe unë dua tu shpreh mirënjohjen më të madhe.  Në një institucion hetimi fund e krye të kompromentuar fund e krye me plane të qarta të stadit  B, tani hetojnë ekspertë, prokurorë, juristë, të shkëlqyer të këtij vendi dhe unë kam besim të plotë te ky hetim, po kështu edhe shqiptarët duhet të kenë besim të plotë tek ky hetim.

Thirrja e ekspertëve ndërkombëtar, e mbështetjes ndërkombëtare për një hetim të pavarur sado që  të duket një dobësi, për një vend anëtar  të NATO-s mendoj se është 100% e justifikueshme, është 100% e drejtë, është hapi dhe interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë, sepse në këtë proces  u bë e qartë si drita e diellit se mandat arrestet  për  tërë zinxhirin e komandës së Gardës së Republikës, të lëshuara vetëm katër orë, pasi Edvin Kristaq Rama do të deklaronte pas mesnate se nesër do të protestojmë kundër horrave të gardës.  Kishte një qëllim dhe vetëm një qëllim, të dekapitonin  Gardën e Republikës, e cila mbrojti me vetëmohim të madh, pushtimin e Këshillit të Ministrave.

Mbrojti mes plumbave, mes tritoleve që u hodhën drejt saj, ndaj dhe për të vazhduar skenari duhej që ata të dekapitoheshin.  Në një moment tjetër pas mbledhjes së parlamentit, ngritjes së komisionit hetimor për hetimin e puçit, u bë i domosdoshëm për shkak të komprometimit total të procesit të hetimit nga Prokurorja e Përgjithshme, ishte shkelja e marrëveshjes.  Unë nuk kam ç’të them më, i kam thënë publikisht, por unë mendoj se disa gjëra janë të detyrimin tonë.  Është në detyrimin tonë, të bëjmë gjithçka që ky proces të mbetet institucional, mos konfondojë me individ të caktuar institucionet demokratike të këtij shteti dhe ne këtë do të bëjmë sikundër  do të qëndrojmë të gatshme për tu dhënë përgjigjen më ekzemplare të çdo tentative të dytë ndaj rendit kushtetues.

Ne qëndrojmë për një hetim, për një trajtim  tërësisht  institucional dhe ne kemi besim të plotë se ky hetim do të jetë i pavarur dhe transparent, sepse ka një angazhim të plotë.  Jo për të ndihmuar një qeveri, absolutisht jo,  ka një angazhim të plotë për të ndihmuar shqiptarët në të drejtat e tyre. Angazhim, i cili do të ishte ndaj çdo qeverie që do të ndodhej në situata të tilla, ndaj dhe unë kam shumë mirënjohje, kam mirënjohje ndaj të dërguarit të  Baroneshës Ashton,  i cili në mënyrë të kristaltë u shpreh se ju jeni partneri ynë, kryeministri legjitim i këtij vendi dhe ke mbështetjen tonë.  Mirënjohje të thellë kam për OSBE, e cila ka bërë çdo gjë që ka pasur në dorë, prezenca por edhe kryesia që të qartësojnë zbardhjen e ngjarjes së imagjinueshme,  që ndodh në një vend të lirë.

Ndaj dhe ne do të kemi besim dhe ju garantoju dhe  çdo qytetari se grushti i shteti nuk do të mund të kalojë dhe se do marrë ndëshkimin e merituar ligjor. Ne kemi respektuar dhe do të respektojmë opozitën me vendosmëri të madhe, natyrisht jemi të hapur për çdo dialog, por kjo pasi puçistët të marrin ndëshkimin e merituar  ligjor.  Ne nuk konfondojmë  një grup puçistësh ne Partinë Socialiste. Partia Socialiste ka një problem të tmerrshëm, sepse ky grup e ka shndërruar atë në partinë e Hysni Milloshit, është Hysni Milloshi dhe vetëm ai, që për vite të tëra në media do ta cilësonte Sali Berishën, kryefashist dhe qeverinë e tij fashiste, por ai e bënte i frymëzuar nga manifesti i Partisë Komuniste dhe veprat e Enver Hoxhës.  Gjatë javëve të fundit Hysni Milloshi, është futur në strofull dhe ka dalë Hysni Milloshi tjetër, Edvin Kristaq Rama që shfrytëzon dhe përdhos mediat duke vlerësuar fashiste, naziste një qeveri anëtare të NATO-s një vend anëtar  të NATO-s.

Duke theksuar këto për puçistët natyrisht mbetem i palëkundur në vlerësimin e madh të socialisteve që dënojnë  dhunën, që nuk i lidh asgjë në projektin e tyre me një puç dhe që kanë ardhur me qindra herë , kanë protestuar dhe do protestojnë para dyerve të kryeministrisë pa u hyrë dhe një gjemb i vetëm në këmbe dhe do respektohen totalisht, duke mbajtur parasysh se kushtetua e vendit garanton fëmijët e tyre dhe paprekshmërinë e institucioneve shtetërore.

Mendoj se është i domosdoshëm një dialog i juaji në mediat e mbarë vendit dhe me qytetarët duke shmangur tubime të zjarrta dhe entuziaste, sepse nuk ka asnjë nevojë.  Unë e kuptoj që njerëzit janë jashtëzakonisht të emocionuar, një miting që thirrëm për të shtunën që kaloi, bëmë mirë që e anuluam, sepse absolutisht qëllimi ishte vetëm  anti dhunë, por paraqisja fliste për ndryshe dhe ne nuk kemi nevoje të tregojmë muskuj.

Demokratë dhe demokrate

Ne jemi pushteti legjitim i këtij vendi

Qytetarë dhe qytetare

Në jemi pushteti legjitim i këtij vendi, nuk ka forcë në botë që të mund të na e marrë ne me dhunë. E kam thënë dhe e theksoj, po të jetë një agresion nga jashtë do të përballet me fuqinë e aleancës më të madhe më të furishme të kohërave, kurse grupe nga brenda e panë se çfarë pësuan para kryeministrisë. Ndaj dhe nuk ka asnjë arsye që ne të mendojmë të tregojmë muskujt apo të shkojmë me metoda populiste. Ne jemi të fortë  aq sa është e fortë kushtetua  e këtij vendi. Ne jemi të fortë aq sa është i forte ligji i këtij vendi, ne jemi të fortë aq sa është e fortë liria dhe vlerat demokratike, ndaj nuk ka asnjë arsye.  Po ju do të shkoni në të gjitha zonat tuaja elektorale dhe do të qartësoni gjithçka, atë që ka ndodhur , kjo është e domosdoshme, shqiptarët duhet të dinë të vërtetën.


31/01/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›