E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi ngushëllon familjarët e aktores së shquar, Liza Vorfi

30 janar 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i ka dërguar një mesazh familjarëve të aktores së shquar të skenës dhe kinematografisë shqiptare, Liza Vorfi, i cili u nda dje nga jeta në moshën 88-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë.

“Të nderuar familjarë të së ndjerës Liza Vorfi,

Më lejoni që t’ju shpreh ngushëllimet më të thella për ndarjen nga jeta të njeriut tuaj të dashur, të aktores së madhe dhe të njërës prej themelueseve më të spikatura të Teatrit tonë Kombëtar!

Interpretimi origjinal, mjeshtëria dhe plastika e papërsëritshme me të cilat u realizuan dhe u portretizuan me dhjetëra role e personazhe në skenën e Teatrit Kombëtar dhe në kinematografi, e shndërruan Lizën në një figurë të dashur e të pashlyeshme në kujtesën e artdashësve dhe publikut shqiptar. Gjithashtu të paharrueshme do të mbeten edhe virtytet e saj njerëzore: thjeshtësia, fisnikëria dhe vetëmohimi duke u shndërruar në një shkollë të vyer aktrimi për brezat e mëvonshëm të aktorëve të rinj.

Më lejoni të ndaj me ju dhimbjen e thellë dhe hidhërimin duke ju shprehur edhe një herë ngushëllimet më të sinqerta!” – theksohet në mesazhin e ngushëllimit të Kreut të shtetit shqiptar.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›