Kryeministri Berisha në takimin e liderëve të Demokratëve të Qendrës: "Kthimi tek liritë si rruga e daljes nga kriza"
Kryeministri Berisha mori pjese dje në mesditë ne punimet e Ndërkombëtares së Demokrateve te Qendrës, që u zhvillua në Rome në ambientet e Parlamentit Italian. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Kryetarja e Kuvendit zonja Jozefina Topalli.
Në takimin që u drejtua nga Presidenti i Internacionales së Demokratëve të Qendrës, zoti Pier Ferdinando Casini, morën pjesë liderë politikë nga vendet anëtare, ndër të cilët kryeministrat e Spanjës, Irlandës, Hungarisë dhe Greqisë.
Në fokus të eventit ishte rëndësia e ndërtimit të konsensusit dhe qëndrimit të përbashkët mes të gjitha partive politike anëtare të Ndërkombëtares së Demokratëve të Qendrës, në kuadrin e momenteve të vështira që po kalon Evropa, Afrika e Veriut, Lindja e Mesme dhe rajonet e tjera të botës.
Kryeministri Berisha iu drejtua punimeve të këtij eventi me një fjalë ku vuri theksin në kthimin tek liritë si rruga më e mirë për daljen nga kriza që ka përfshirë Evropën dhe botën. Në këtë fjalim, Kryeministri Berisha u shpreh se vlerat e lirisë, demokracisë dhe tregut që janë konsoliduar në Shqipëri, janë në themel të zhvillimit të saj të jashtëzakonshëm në 20 vjet që nga rrëzimi i diktaturës komuniste dhe përballimit me sukses të krizës ekonomike botërore.
Takimit të Demokratëve të Qendrës i drejtuan fjalime edhe kryeministri i Spanjës, ai i Irlandës, kryeministri i Hungarisë dhe ai i Greqisë. Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe Kryeministri i Italisë, Mario Monti. Në fillim të punimeve të saj, Demokratët e Qendrës zgjodhën organet drejtuese.
Më herët, në kuadër të pjesëmarrjes në këtë aktivitet të rëndësishëm, me ftesë të Kryeministrit Italian, Kryeministri Berisha mori pjesë në një drekë të shtruar për nder të kryeministrave pjesëmarrës në këtë aktivitet.
Fjala e kryeministrit Berisha në takimin e liderëve të Demokratëve të Qendrës:
“Së pari dua të përshëndes trupin udhëheqës të rizgjedhur rishtazi të kësaj organizate të madhe ndërkombëtare, e cila është CDI, dhe të shpreh bindjen time të thellë se kjo udhëheqje do të promovojë më tej vlerat që mban organizata jonë në interesin më të mirë, të paqes dhe prosperitetit të qytetarëve dhe kombeve tona.
Jam gjithashtu këtu për të shprehur mirënjohjen time të thellë për CDI, e cila prej rënies së perdes së hekurt ishte për kombin tim një aleat, partner i madh, që e ndihmoi Shqipërinë të përqafojë rrugën e tregut të lirë dhe demokracisë.
Jam krenar që ju drejtohem sot, sepse ky është një vit i veçantë për vendin tim, viti i 100 vjetorit të pavarësisë sonë. Pavarësia e Shqipërisë u shpall 100 vite më parë, por ai ishte gjithashtu një vit vendimesh të tmerrshme për ndarjen më të padrejtë të territoreve shqiptare, që i shkaktuan një humbje të madhe vendit tim: vështirësi, diktaturë, pushtime. Por gjithsesi, kemi shumë arsye për të falenderuar Zotin, për të falenderuar miqtë sepse sot Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s, shqiptarët janë të lirë, Shqipëria është një vend i lirë që punon shumë për të ardhmen e tij. Rastësisht, në këtë vit të 100 vjetorit të pavarësisë, Shqipëria kryeson institucionin më të vjetër demokratik në Europë, Këshillin e Europës. Ne si kryesues kemi zgjedhur një objektiv, adoptimin e motos “Të bashkuar në diversitet”. E kemi zgjedhur këtë moto sepse nëse e shikoni kombin shqiptar, ai është një vend multifetar, është një vend marrëdhëniesh të shkëlqyera fetare, një vend që respekton plotësisht besimet fetare. Asnjëherë në historinë e vendit, nuk ka patur incidentin më të vogël fetar. Të gjithë themeluesit e rilindjes sonë ishin në të njëjtën kohë udhëheqës fetar, por mund të lexoni që kurrë nuk mund të identifikoni fenë të cilës i përkisnin. Kështu do të bëjmë më të mirën tonë. Në muajt që do të vijnë, në Tiranë do të zhvillohet një Samit i 41 krerë shtetesh, për të debatuar mbi dialogun ndërfetar dhe tolerancën fetare.
Më lejoni t’ju vë në dijeni mbi faktet e fundit, pas filmit të “Pafajësia e myslimanëve”, imamët në Shqipëri ishin të pakënaqur, por ata i bënë thirrje ndjekësve të tyre, në respekt të profetit të adhuruar Muhamed, të japin gjak për fëmijët talasemik, të sigurojnë libra falas për të rinjtë, për t’i edukuar më mirë. Imamët arritën në përfundimin se kjo është mënyra më e mirë për ta nderuar profetin. Unë besoj se kombi im mund të jap shembuj të mirë në një prej çështjeve më të ndjeshme të kësaj kohe, një tjetër mënyrë që kemi zgjedhur për të afruar vendet e pranverës arabe me Këshillin e Evropës. Jam plotësisht dakort me ju, zoti President, dhe unë besoj se procesi në vendet arabe është i pakthyeshëm. Është një proces më i vështirë se procesi ynë i daljes nga diktatura komuniste në një shoqëri të lirë, sepse ata nuk kanë shembuj, nuk kanë modelin. Modeli, në përgjithësi, është në anën tjetër të Mesdheut. Prandaj do të jetë vendimtare, jetësore që vendet e lira të afrohen me ta; që institucionet evropiane, think-tank-et e tyre, t’i ndihmojnë ata për të ndërtuar një shoqëri të lirë dhe demokraci të konsoliduar.
Kryesia jonë do të merret me të rinjtë, që tashmë po bëhet çështja më e ndjeshme në kontinentin tonë. Nëse e shikoni këtë krizë do të shihni se më të prekurit prej saj janë të rinjtë. Është një krizë që po gllabëron pjesën më të rëndësishme të energjisë së shoqërisë, që është energjia e të rinjve. Le të shohim të gjithë bashkë çfarë të bëjmë më mirë për ta, si bëjmë përpjekjet më të mëdha për punësimin e tyre, për të përmirësuar situatën e tyre.
Zonja dhe zotërinj,
20 vjet më parë Shqipëria ishte një nga tre vendet më të varfra në botë, ne kishim të ardhura për frymë prej 204 dollarë amerikanë, pranë Angolës dhe Ugandës. Sot Shqipëria i përket grupit të vendeve me të ardhura të mesme, të larta. Shqipëria ende nuk është një vend i zhvilluar, por ka arritur të ketë disa indekse të ndjeshme të vendeve të zhvilluara, dhe jam shumë krenar që shumica e tyre lidhen me njeriun: vdekshmëria foshnjore një shifrore, vdekshmëria amësore një shifrore, vdekshmëria është me e ulët se në çdo vend ish-komunist; indeskin përsa i përket banesave për 1000 banorë ku kemi lënë pas 5 ose 6 vende anëtare të BE.
Shqipëria gjithashtu gjatë këtyre 20 viteve ka treguar se çfarëdo që ka arritur e ka arritur duke respektuar liritë, dhe mbi të gjitha liritë e tregut. Disa javë me parë një studim i institucioneve shumë serioze tregoi se vendi im përsa i përket lirive ekonomike është ngjitur nga vendi i 32-të në vendin e 12-të. Ne gjithashtu jemi një nga 10 qeveritë më të vogla në botë.
Kur shikojmë këtë krizë, që është shumë serioze, euro është një prej anëve të saj, por anë më të thella janë në bazën e saj. Unë besoj se njerëzit e lirë duhet të kenë kurajon të rikthehen tek liritë, sepse ka ndodhur diçka me liritë ekonomike në shoqëritë tona. Ju dëgjova duke përmendur Kinën, por nëse i shikoni liritë ekonomike në Kinë, do të gjeni një tipar ndryshe nga ai që ne kemi në mendjet tona, miku im.
Kjo krizë do të jetë e gjatë, por ju bëj thirrje juve, miq nga vende të eurozonës dhe Bashkimi Europian që të shqyrtoni mundësitë që mos ta lejoni atë të zgjerohet në zona të tjera. Sado të mëdhenj apo të vegjël që jemi, jemi shumë të ndërlidhur me njëri tjetrin, dhe mund të ndihmojmë, të japim sadopak ndihmë për të lehtësuar krizën në tërësi.
Zonja dhe zotërinj,
Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve dhe ju ftoj të vini, të dërgoni vëzhgues në këto zgjedhje. Duket sikur Partia Demokratike e Shqipërisë do të ketë një mandat të ri sepse ka treguar një angazhim të palëkundur dhe besim të fortë ndaj lirisë dhe vlerave që ndajmë sëbashku.
Faleminderit.
22/09/2012