Kryeministria Berisha viziton panairin “Agrobiznes e Turizëm 2012”
Kryeministri Berisha tha sot, se bujqësia dhe turizmit janë degë kryesore të ekonomisë shqiptare, me potenciale të mëdha zhvillimi. Qeveria ka ndërmarrë një sërë politikash mbështetëse dhe programesh zhvillimi të bujqësisë, blegtorisë dhe industrisë agropërpunuese, si dhe garanton mbështetje të vazhdueshme për rritjen e prodhimit bujqësor.
Këto komente, Kryeministri Berisha i bëri në hapje të Panairit Kombëtar “Agrobiznes e Turizëm 2012”, ku mbi 120 biznese nga Shqipëria dhe Kosova nga fusha e bujqësisë, blegtorisë, agropërpunimit dhe turizmit prezantojnë prodhimet dhe shërbimet e tyre. Ky është panairi i parë i këtij lloji, që vjen si bashkëpunim i dy sektorëve, bujqësisë dhe turizmit. Kryeministri përshëndeti konceptimin e panairit si gërshetim i agrobiznesit me turizmin, si “dy realitete të lidhura ngushtë, aq sa është njeriu, me shijet e tij”.
“Ne besojmë se me mbështetjen merituar, me aplikimin e metodave më moderne e shkencore, prodhimi bujqësor mund të dhjetëfishohet e në këtë mënyrë, bujqësia të shndërrohet në një gjenerator të fuqishëm të krijimit të vendeve të punës, agrobiznesi të shndërrohet gjithnjë e më shumë në një degë të rëndësishme të ekonomisë shqiptare”, - tha Kryeministri në ceremoninë e hapjes së panairit, ndërsa garantoi se krahas ndërtimit të infrastrukturës rurale në të gjithë territorin e vendit, qeveria është e vendosur të rrisë mbështetjen për prodhimin bujqësor, me përqendrim të veçantë në frutikulturë.
Duke vizituar stendat e panairit, Kryeministri Berisha vlerësoi veçanërisht produktet tradicionale të rajoneve të ndryshme të vendit, në gastronomi, në prodhimet më të mira bujqësore dhe blegtorale, duke i konsideruar ato produktet “më të shijshme”, me të cilat Shqipëria mund të konkurrojë denjësisht në tregjet europiane. Kryeministri tha më tej se përpjekje serioze janë bërë edhe në sektorin e agroindustrisë.
Një stendë tjetër, e cila tërhoqi vëmendjen e Kryeministrit ishte prezantimi i kompanive të teknologjisë së informacionit të lidhura kryesisht me sektorin e turizmit dhe të teknologjive të avancuara në ndërtim, si sistemet e energjisë diellore, për efiçiencën e energjisë veçanërisht në hoteleri. Kryeministri Berisha nënvizoi se aplikimi i teknologjisë së informacionit dhe i teknologjive të avancuara në ndërtim dhe mekanikën bujqësore është i një rëndësie themelore për modernizimin dhe rritjen e shpejtë e të qëndrueshme të këtyre sektorëve.
Fjala e Kryeministri Berisha në ceremoninë e hapjes së Panairit:
“Së pari, dua të përshëndes përzemërsisht organizatorët, sponsorizuesit e këtij panairi, si një festë e madhe e prodhuesve, fermerëve dhe biznesmenëve në fushën e agrobiznesit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera, si një ngjarje e madhe e prodhimit të tyre në këtë vit, si një dëshmi e suksesit të madh që ata shënojnë me punën e shkëlqyer që bëjnë, me produktet që ofrojnë.
Dua të përshëndes gërshetimin e idesë së panairit të agrobiznesit me turizmin, pasi janë dy realitete të lidhura ngushtë njëra me tjetrën, aq sa është njeriu, qenia me shijet e tij.
Zonja dhe zotërinj,
Sot, një leksion i madh rezulton nga kriza botërore, që prej disa vitesh ka mbërthyer Europën dhe pjesë të tjera të planetit dhe ky leksion është prodhimi i mallrave. Kjo është e mbetet i një rëndësie kryesore. Prodhimi bujqësor është dhe mbetet i një rëndësie parësore. Përqendrimi tek bujqësia e prodhimet e saj është i një rëndësie të jashtëzakonshme në performancën e një ekonomie, për bilancet tregtare, por edhe për përballimin e çmimeve dhe kushteve të tregut.
Shqipëria është vend me tokë bujqësore, më të pakët për frymë në Europë, vetëm 1800 metër katror për frymë, por ajo ka tokën më pjellore. Potencialet e tokës shqiptare janë të jashtëzakonshme. Shqipëria ka të gjithë mundësitë që, me projekte të rëndësishme, të zgjerojë, të shumëfishojë sipërfaqen e tokës së mbjellë. Shqipëria ka pak tokë, por e ka plot diell, ujë dhe është e vërtetë, prodhimet e saj në tërësi janë aromatike.
Qeveria e ka përparësi të madhe prodhimin bujqësor e agrobiznesin, por, nëse vështrojmë përqendrimin e saj, rezulton se në tërësi ajo është përqendruar për të ngritur një infrastrukturë moderne, në të gjithë territorin e vendit. Unë dua të garantoj fermerët se gjatë këtyre viteve, në zonat rurale të vendit janë investuar miliarda dollarë dhe do të vazhdojnë të investohen, derisa çdo fshat i këtij vendi të ketë infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qytetit.
Ndërkohë, ne jemi të vendosur të rrisim mbështetjen për prodhimin bujqësor, me përqendrim më së shumtë në frutikulturë, por do ta rrisim e zgjerojmë atë gjithnjë e më shumë. Ne besojmë se me mbështetjen merituar, me aplikimin e metodave më moderne e shkencore, prodhimi bujqësor mund të dhjetëfishohet e në këtë mënyrë, bujqësia të shndërrohet në një gjenerator të fuqishëm të krijimit të vendeve të punës, agrobiznesi të shndërrohet gjithnjë e më shumë në një degë të rëndësishme të ekonomisë shqiptare.
Shqipëria, jo për të huajt, por për shqiptarët, për fat të keq është një vend për t’u zbuluar. Mungesa e infrastrukturës dhe arsye të tjera ka bërë që qytetarët shqiptarë të mos njohin gjerësisht bukuritë mahnitëse dhe potencialet e jashtëzakonshme të vendit të tyre. Një ditë po flisja me një grup specialistësh të bujqësisë për boronicat. Ju dukej sikur po flisja për anën tjetër të hënës dhe jo për frytin më të përhapur të Alpeve tona dhe për një nga frytet me aftësi shëruese medikale më të forta. Ndaj edhe ndërtimi i infrastrukturës rurale do të bëjë të mundur që të gjitha prodhimet të gjejnë tregun, të gjitha prodhimet t’i nënshtrohen agrobiznesit e përpunimit.
Zoti ministër i Turizmit, jam shumë i gëzuar që operatorët turistikë të vendit kanë gjetur bashkëpunimin dhe kanë përzgjedhur të organizojnë së bashku këtë panair, pasi, pas panoramave mahnitëse, mikpritjes shembullore, nuk ka asgjë më të mirë, sesa ushqimi i shijshëm, i prodhuar në të gjitha fshatrat e zonat e këtij vendi dhe natyrisht, edhe këto kanë rëndësi të madhe për turistët. Ndaj i bëni një letër gazetarit të Guardian dhe i thoni se mikpritja nuk shitet, por për njeriun nuk ka mall më të çmuar, sesa mikpritja.
Edhe një herë ju uroj mirëseardhjen dhe shumë suksese në këtë panair.”
20/09/2012