Kryeministri Berisha: Nuk ka dhuratë më të bukur për brezin e ri, në vitin e 100 vjetorit të pavarësisë sesa shkollat e reja e moderne
Kryeministri Berisha ishte sot në Fier, ku mori pjesë në inaugurimin e shkollës së mesme “Janaq Kilica” të këtij qyteti. Shkolla e re, e cila shënon standardet më të larta të një institucioni mësimor modern e bashkëkohor, e pajiur me kabinete e laboratorë, përbën një investim prej 187 milion lekë, me një kapacitet prej 1200 nxënësish.
Në këtë vizitë të tij, Kryeministri u prit nga nxënës të shkollës, stafi pedagogjik i saj, prindër të mbledhur me këtë rast, të cilët i uroi për shkollën e re, me premtimin se qeveria nuk do të reshtë përpjekjet për ta ngritur arsimin e brezit të ri në nivele edhe më të larta.
Duke përgëzuar për bashkëpunimin frytdhënës mes qeverisë qendrore dhe asaj vendore në qarkun e Fierit, kryeministri u shpreh se në sajë të këtij mirëkuptimi në këtë qytet janë ndërtuar dhe rindërtuar nga viti 2006 e deri më sot 56 objekte shkollore, nga të cilat 16 shkolla të reja. Kryeministri theksoi se gjatë këtyre viteve qeverisje janë ndërtuar dhe rindërtuar 1300 shkolla dhe garantoi se gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës çdo shkollë, duke përfshirë edhe ato në largësitë më të mëdha të territorit të këtij vendit, do të ketë ketë standardet më të mira evropiane.
Duke theksuar se për qeverinë arsimi është “leva e Arkimedit” e cila do të bëjë realitet ëndrrën “Shqipëria vend i zhvilluar”, kryeministri tha Shqipëria do të mund të jetë e tillë vetëm si Shqipëri e mendjes, e dijes, e shpikjes dhe e novacionit.
Kryeministri përmendi se në qytetin e Fierit janë investuar 700 milion euro, me të cilat janë rindërtuar 750 km rrugë kombëtare, dytësore e rurale, 68 qendra shëndetsore, 78 ujësjellësa dhe 67 shkolla, si dhe janë subvensionuar fermerët për 1400 ha ullinj e dru frutorë, është siguruar vaditja për 1500 ha, ndërsa në sistemin e energjisë eklektike dhe të hidrokarbureve janë investuar rreth 250 milion euro.
Me premtimin se qeveria do të bëjë gjithçka që brezi i ri të ngrihet në nivelet më të larta të dijes, kryeministri tha se nuk mund të ketë dhuratë më të bukur për nxënësit në vitin e 100 vjetorit të pavarëisë sesa shkollat e reja e moderne.
Ne fjalen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
"Të dashur nxënës dhe nxënëse,
mësues dhe mësues, prindër dhe familjarë të nxënësve të shkollës "Janaq Kilica" që sapo inauguruam!
Së pari shpreh gëzimin tim që ndaj me ju kënaqësinë e veçantë të inaugurimit të kësaj shkolle, njëra ndër më të mëdhatë në vend, një investim prej 187 milion lekë me të gjitha mjediset e kabinetet e një shkolle ndër më modernet. E pajisur me laboratorë bashkëkohorë, kjo shkollë pranon 1200 nxënës të qytetit të Fierit. Me këtë rast ju uroj gëzuar shkollën dhe ju garantoj se për qeverinë nuk ka dhe nuk mund të ketë përparësi më madhore se sa arsimi. Kjo maxhorancë ka bërë dhe do të bëjë gjithçka që shkollimi i fëmijëve tanë të jetë gjithnjë e më i mirë, të kapë gjithnjë standarde më të larta. Duke ardhur këtu, një zonjë më thotë tek po shtrëngonim duart, se qeveria po ndërton rrugë dhe shkolla. E vërteta është se këto janë dy objektivat tonë më madhore,sepse ne duam të shohim këtë vend, ne duam të shohim këta fëmijë, ne duam të shohim veten tonë qytetar të një vendi të zhvilluar.
Shqipëria do të mund të jetë vend i zhvilluar vetëm si Shqipëri e mendjes, e dijes, e shpikjes, e novacionit.
Shqipëria do të mund të jetë vend i zhvilluar vetëm kur në të katër anët e saj të ketë sistemin rrugor ndër më të mirët në rajon dhe në Evropë, në mënyrë që të gjitha pasuritë e saj të marrin vlerë, në mënyrë që tregu, energjia e tij të vërshojë lirshëm në të katër anët e vendit, në mënyrë që ekonomia shqiptare të ketë të gjitha mundësitë e qarkullimit dhe të lëvizjes.
Ndaj dhe unë ju them, po zonjë keni të drejtë, ne jemi të përqëndruar më shumë se çdo gjë tjetër në shkolla dhe rrugë. Vetëm këtu në qarkun e Fierit nga viti 2006 e deri tani kemi ndërtuar dhe rindërtuar 56 objekte shkollore, nga këto 16 shkolla të reja sepse këtu ka patur një bashkëpunim normal të qeverisë qendrore dhe qeverive lokale kudo që janë ndodhur, sepse këtu qeveritë qëndrore dhe ato lokale kanë vendosur të parat jo interesat partiake, por interesat e fëmijëve tanë, shkollimi i tyre, zhvillimi i tyre. Në qoftë se kjo ka ndodhur në rrethin e Fierit, më pyesni ju mua sa shkolla janë ndërtuar në kryeqëndrën e kombit, kryeqëndrën e vendit për 11 vjet rresht? Për 11 vjet rresht në Tiranë u ndërtuan vetëm 7 shkolla dhe ndihem i turpëruar kur mendoj se nxënësit në kryeqytetin e vendit ulen në klasa me mbi 40 nxënës në klasë. Natyrisht kjo situatë po merr fund, pasi ekipi i ri ka bërë projektet, ka gjetur trojet dhe po firmos së shpejti ndërtimin e 11 shkollave të reja në kryeqytetin e vendit.
Për ne arsimi është leva e Arkimedit dhe do të bëjë realitet ëndrrën tonë “Shqipëria vend i zhvilluar”
Të dashur nxënës dhe nxënëse,
Kam ardhur këtu 6 vite më parë në një lagje të këtij qyteti që quhet Drizë. Edhe sot nuk e harroj që gjeta aty një shkollë të rrënuar, një shkollë që më kujtoi shkollën time të viteve ’50. Natyrisht shkolla të papërshtatshme ka dhe tani, por në qytet, në Fier një shkollë e tillë ishte një akuzë e rëndë për qëndrimin e qeverive të mëparshme ndaj arsimit. Gjatë këtyre viteve kemi ndërtuar dhe rindërtuar 1300 shkolla në të katër anët e vendit dhe unë ju garantoj ju, se gjatë mandatit të ardhshëm çdo shkollë kudo që të ndodhet në largësitë më të mëdha të territorit të këtij vendi do të ketë standardet e kësaj shkolle, do të ketë standardet më të mira evropiane. Ne i besojmë projektit të Shqipërisë dixhitale. Se i besojmë këtij projekti në një akt të parë madhor ne vendosëm shtrirjen e internetit në çdo shkollë, ne donim që fëmijët shqiptarë kudo që ndodhen të kishin kompjuter dhe të përdornin internet. Interneti dhe kompjuteri pavarësisht nga gjendja e tyre ekonomike të mos ishte për ta një mollë e ndaluar. Ne e mbajtëm premtimin tonë, ne do të adaptojmë projektet dhe programet më të avancuara për mësimin dixhital në shkollat tona.
6 vite më parë, vitet e studimit të shqiptarëve në shkollë kishin rënë në mënyrë të dhimbshme, numri i nxënësve nga arsimi i detyruar në arsimin e mesëm kishte rënë në mënyrë të ndjeshme. Raporti i studentëve për 1000 banorë ishte 4 herë më i ulët se në vendet e zhvilluara të Evropës. Sot pas 6 viteve të dashur nxënës ne qëndrojmë në nivelet më të larta për sa i përket kalimit të nxënësve nga arsimi i detyruar në arsimin e mesëm. Këtë vit 92 % e nxënësve që mbaruan arsimin e detyruar janë ulur në bankat e shkollave të mesme. Ky vit është një vit i bekuar, është viti i 100 vjetorit të pavarësisë, është viti në të cilin ëndrra për Shqipërinë e dijes bëhet më reale se kurrë. Në bankat e universiteteve tona, në auditorët e tyre ulen 164 mijë studente dhe studentë nga mbarë vendin. Këto janë arritjet historike të përpjekjes sonë të përbashkët për Shqipërinë e dijes. Përsëri një e përpjetë e madhe qëndron para nesh, por ne kemi guximin kemi vullnetin, kemi vendosmërinë për ta nxitur atë me shpejtësi, ndaj dhe do të bëjmë gjithçka që arsimi në Shqipëri ta kapë nivelet më të larta cilësore.
Pak vite më parë arsimi profesional po shuhej vetvetiu. Ne e shpallëm atë një prioritet të madh. Arsimi profesional është forma më e shkëlqyer e përshtatjes me kërkesat e tregut dhe kushtet e tij. Sot ministri i arsimit më dha një nga lajmet më të gëzueshme, nga vjet në këtë vit, në një hark kohor 1 vjeçar regjistrimi i fëmijëve në arsimin profesional është rritur me 20 % çka na bën të kapim së shpejti nivelin evropian, i cili është 50 % i nxënësve të shkollave të mesme, ndjekin arsimin profesional.
Të dashur nxënës dhe nxënës, mësues dhe mësues,
Ne kemi investuar shumë në arsim, vetëm në qarkun e Fierit kemi investuar 1 miliard e 800 milion lekë. Ne kemi shtrirë internetin në të gjitha shkollat e vendit, kemi ndërtuar dhe rindërtuar 71 % të të gjitha shkollave, kemi mbitrefishuar numrin e studentëve. Dhe për ne reforma në arsim, kyçi i suksesit të saj qëndron tek këta zonja dhe zotërinj që kam unë këtu përpara, tek mësuesit tuaj të dashur për të cilët ne kemi bërë dhe do të bëjmë gjithçka që ata të qëndrojnë në lartësinë e misionit të tyre fisnik. Kur do të premtonim 7 vite më parë se do të dyfishonim rrogat e mësuesve, të paktë ishin ata që besonin se kjo do të bëhej realitet dhe unë vij sot këtu tek ju se ne e kemi mbajtur premtimin tonë, e kemi mbajtur fjalën dhe ju siguroj se kjo ka qënë një nga premtimet më të vështira për tu mbajtur sepse arsimtarët në administratën shtetërore përbëjnë mbi 50 % të saj sot. Rroga e arsimtarit të arsimit 9 vjeçar nga 227 mijë lekë që ishte 6 vite më parë, është sot 550 mijë lekë. Rroga e arsimtarit të shkollave të mesme nga 270 mijë lekë që ishte 6 vite më parë, është 590 mijë lekë.
Rroga e arsimtarit në raport me rrogën e kryeministrit, në rast se 6 vjet më parë, kryeministri merrte një rrogë pothuaj të barabartë me 9 rroga arsimtarësh, sot kryeministri merr një rrogë të barabarte me 4,5 rroga arsimtarësh dhe ju premtoj se kjo diferencë do të vijë duke u ngushtuar. Ne do të bëjmë gjithçka për të pasur në këtë vend arsimin më modern dhe arsimtarët më të motivuar për tju mësuar.
T dashur nxënës dhe nxënëse,
Ju jeni fatlum se të tillë e meritoni fatin ju. Nuk kanë arritur kurrë të bllokohen fondet për shkollat tuaja, nuk ka arritur kurrë të bllokohen fondet për lagjet e rrugët tuaja, ndaj dhe ne po e modernizojmë Shqipërinë, sepse në rast se këto do të kërkonin 3/5 e votave as 1/5 e tyre nuk do të ishte ndërtuar, se as 1/10 e rrugëve nuk do të mund të ishte ndërtuar dhe asfaltuar.
Duke përshëndetur mbarë qytetarët e qarkut të Fierit, unë kam kënaqësinë që të deklaroj këtu se në këtë qark janë investuar 700 milion euro, me këto 700 milion euro janë rindërtuar 750 km rrugë kombëtare, dytësore rurale, tretësore etj, janë ndërtuar rreth 68 qendra shëndetsore, janë ndërtuar 78 ujësjellësa dhe 67 shkolla janë subvensionuar fermerët për 1400 ha ullinj e dru frutorë, është siguruar vaditja për 1500 ha, në sistemin e energjisë eklektike dhe të hidrokarbureve janë investuar rreth 250 milion euro. Së shpejti fillon dhe ndërtimi i by-pass i Fierit dhe Fieri kjo epiqendër e fuqishme e zhvillimit të Shqipërisë dhe kombit do të ketë infrastrukturë të njëjtë me qytetet më moderne evropiane.
Edhe njëherë ju uroj gëzuar shkollën, ju uroj një vit të mbarë plot shëndet dhe suksese, ju mësuesve tuaj, familjeve tuaja, ju siguroj se qeveria do të bëjë gjithçka që ju të ngriheni gjithnjë e më lart në dijet tuaja, që ju të shndërroni në realitet ëndrrën tuaj të bukur të Shqipërisë së zhvilluar, të Shqipërisë që meritoni dhe në këtë 100 vjetor ne nuk mund të bënin, prindërit tuaj nuk mund të bënin asnjë dhuratë më të bukur për ju, sesa këtë shkollë dhe se sa shkollat në tërësi.
20/09/2012