Kryeministri Berisha ngjit Murin e Madh Kinez në Badaling
- Kryeministri Berisha: Kjo ngjitje është një ngjitje sa kulturore aq edhe elektorale, ndaj dhe e bëj me shumë kënaqësi
Gjatë vizitës së tij në Kinë, Kryeministri Berisha vizitoi sot murin e madh kinez në Badaling, pjesa me strategjike e murit mijëravjeçarë të ndërtuar për të mbrojtur Kinën nga sulmet e jashtme. Pjesa e murit në Badaling, e mbiquajtur edhe “çelësi i portës veriore të Pekinit”, është pjesë e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s që nga viti 1987. Më shumë së 400 kryeministra dhe presidentë të vendeve të ndryshme të botës e kanë vizituar këtë mur në Badaling, i cili konsiderohet si një simbol paqeje dhe miqësie midis popullit kinez dhe popujve të tjerë të botës.
Kryeministri Berisha ngjiti mbi 1500 shkallët që të çojnë në njërën nga majat e këtij segmenti dhe ju akordua nga autoritetet lokale, një certifikatë si Kryeministri që është ngjitur në pikën më të lartë të murit.
Gjatë vizitës, Kryeministri ju përgjigj interesit të gazetarëve:
Pyetje: Z Kryeministër, si po ju duket ngjitja në murin e madh kinez?
Kryeministri Berisha: Ngjitja është gjithnjë e këndshme, të lodh, por të lartëson. Kjo është merita e ngjitjes. Por të ngjitesh në një nga monumentet më madhështore të historisë së njerëzimit, lodhja shkrihet. Miku im kinez më thotë se është ngjitja më e lartë në mur se çdo Kryeministër tjetër që ka vizituar murin. Iu përgjigja se kjo ngjitje është një ngjitje sa kulturore aq edhe elektorale, ndaj dhe e bëj me shumë kënaqësi. Le ta quajmë këtë pra edhe një komponent kulturor-elektoral të udhëtimit tim. Pjesa tjetër, është pjesa zyrtare.
20/04/2009