Kryeministri Berisha nisi sot konsultimet në kuadër të negociatave për zgjedhjen e Presidentit të vendit
Kryeministri Berisha njëherësh Kryetar i Partisë Demokratike nisi sot konsultimet me krerët e partive parlamentare në koalicionin qeverisës, në kuadër të negociatave për zgjedhjen e Presidentit të vendit.
Kryeministri shoqërohej në këto takime nga deputetët dhe anëtarë të Kryesisë së PD-së, zotërinjtë Astrit Patozi dhe Edmond Spaho, të mandatuar dje nga Kryesia bashkë me zotin Berisha për të negociuar me aleatët.
Në hapje të këtyre negociatave, Kryeministri dhe Kryetari i PD, Berisha takoi sot Kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta. Pas takimit mes tyre, Kryeministri dha këtë prononcim për mediat:
Kryeministri Berisha: Ishte një takim me përputhshmëri të plotë mendimesh me udhëheqjen politike të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), që është aleati kryesor i PD-së dhe koalicionit të saj. U ra plotësisht dakord që të bëhet çdo përpjekje, në mënyrë që Presidenti i Republikës të zgjidhet me konsensusin më të gjerë të mundshëm. U shpreh besimi se kjo është një mundësi reale dhe u ra dakord që të vazhdojmë takime intensive të vazhdueshme për të bërë sa më shpejtë të jetë e mundur vendin me kryetarin e shtetit, të merituar. Jua them me qartësinë më të madhe se vullneti i kësaj maxhorance do të jetë që, që në raundin e parë të ketë kandidatë seriozë, dinjitozë, kandidat i cili mund të nderojë vendin në detyrën e tij.
Unë do të vazhdoj negociatat. Më vonë, unë do të takoj dy aleatët e tjerë të mitë dhe më tej, do të zhvillohen takime me Partinë Socialiste dhe me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Me PS-në, siç kam theksuar, takimet do jenë në parlament. E ftoj zotin Rama të tregojë besim te bashkëpunëtorët e tij dhe të mandatojë edhe ai dy bashkëpunëtorë në këtë drejtim. Unë kam mandatuar dhe kam ngarkuar zotin Patozi dhe z. Edmond Spaho në bisedimet me PS-në. Edhe me PBDNJ-në dhe z Dule do të bëjmë takime gjithashtu.
Ne synojmë një proces civil, të qytetëruar, të përgjegjshëm, kushtetues.
###
Pas takimit me kryetarin e LSI, kryeministri Berisha zhvilloi takime të veçanta me Kreun e Partisë Republikane zotin Fatmir Mediu, dhe me Kreun e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet zotin Shpëtim Idrizi.
Në përfundim të këtyre dy takimeve, zoti Berisha dha këtë prononcim për mediat e pranishme:
Kryeministri Berisha: Sot ishte një ditë shumë e rëndësishme pas takimit me Lëvizjen Socialiste për Integrim së bashku me z. Patozi dhe z. Spaho zhvilluam takime me dy aleatët tanë të tjerë, Partinë Republikane dhe Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.
Në këto takime spikati një vullnet shumë i qartë për të bërë përpjekjet më madhore si mazhorancë, për një proces transparent, serioz, dinjitoz. Për të bërë çdo përpjekje, që procesi të ketë mbështetjen më të gjerë të mundshme në Parlament.
Në këtë kontekst z. Patozi dhe z. Spaho, do të marrin të gjitha masat për tu takuar me përfaqësuesit e PS-së , kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste zotin Ruçi dhe të mandatuar tjetër zyrtarë të kësaj partie dhe takimi të zhvillohet në selinë e Parlamentit.
Unë mendoj se, në rast se mbizotëron realizmi, mbizotëron vullneti për ti dhënë vendit në përputhje me Kushtetutën, por me mbështetjen më të gjerë të mundshme, Presidentin që meriton, kjo mund të realizohet dhe në raundin e parë.
Unë besoj se ky duhet të jetë një proces besimi dhe jo ndryshe. Ndaj dhe takimet do vazhdojnë. Gjer sot në këto takime nuk është folur për emra. Ditën e hënë sapo të përfundoj takimet me të gjithë faktorët e tjerë, do të fillojë diskutimi për etapat e tjera dhe uroj që të mbizotërojë mirëkuptimi sa më i gjërë i mundshëm për këtë proces themelor, kushtetues për vendin.
Pyetje: Zoti Berisha sa serioz është procesi kur nuk takoheni me z. Rama?
Kryeministri Berisha: Me z. Rama pa u takuar fare kemi ndërmarrë reformat më të thella në historinë e vendit dhe kjo nuk është show, por është thelbi ai që ka rëndësi për mua. Uroj që të jetë kështu dhe për zotin Rama. Kur ne kemi realizuar ndryshimet më të thella kushtetuese ne nuk bëmë një takim që tu deklaronim gazetarëve se ja se çfarë mund të bëjmë ne, por ne ja lamw fjalën veprave dhe unë uroj që kjo trashëgimi të vazhdojë. Nuk ekziston asnjë lloj problemi përveçse asaj që të ecim me rezultate konkrete dhe unë them se rruga është të shtruar. Ju e shikoni se të gjitha ndryshimet e reformës zgjedhore janë bërë pa ndonjë takim, por janë bërë me autorizim. Zoti Rama ka autorizuar zyrtarët e tij dhe unë kam autorizuar zyrtarët e Partisë Demokratike. Nuk mendoj se duhet të merremi me format por me thelbin. Thelbi është i tillë, qëndrimi është i sinqertë.
Pyetje: Ndërkohë z. Rama në Twitter ka thënë që takimet tuaja janë teatër.
Kryeministri Berisha: Ajo që mund tu them shqiptarëve është se këto takime janë ndër më seriozet që janë zhvilluar gjatë 3 viteve të fundit dhe mund ti them, po shqiptarëve, se dhe takimi i zyrtarëve të Partisë Demokratike me zyrtarët e Partisë Socialiste, në predispozitën tonë do të jetë, një takim ndër më seriozët.
Pyetje: Zoti Berisha, nëse konsensusi çedon në 3 raundet e para do kemi një zgjidhje si në 2007 në raundin e katërt?
Kryeministri Berisha: Unë gjykoj se nuk ka arsye që të cedojë konsensusi, unë gjykoj që nuk ka, shkak të predominojë mosbesimi ndaj besimit. Unë gjykoj se duhet të predominojë serioziteti dhe përkushtimi ynë, për ti dhënë vendit një President me mbështetjen më të gjerë. Ne si mazhorancë kemi vullnet të plotë për këtë.
Pyetje: Si e shikoni rrugën me LSI-në? Rrugë të shtruar, asfalt, nga këto investimet e fundit elektorale, apo rrugë me gropa?
Kryeministri Berisha: Ajo çka duhet të them për këtë gjë, është se sot ishte një konfirmim i plotë i vlerësimeve maksimale të të dy palëve për koalicionin e firmosur në vitin 2009 dhe qëndrueshmërinë e tij në përputhje me marrëveshjen. Lidhur me asfaltin që ju thatë, nuk ka asgjë elektorale ka vetëm ndjenja thellësisht njerëzore dhe përgjegjësie të lartë që disa qytetarë shqiptarë të mos ecin në bulevarde dhe të tjerët në rruga me gropa që ja u nxjerrin shpirtin nga lodhja. Prapë do ketë, por dhe ne po shtrojmë në të katërt anët e vendit mijëra kilometra asfalt dhe e vërteta është se në vitin e parë të mandatit që vjen, Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të jetë tërësisht e asfaltuar.
25/05/2012