Kryeministri Berisha pret ambasadoren e Indisë, Manimekalai Murugesan, me rastin e marrjes së detyrës
Kryeministri Berisha priti sot, në takim, ambasadoren e Indisë, Zonjën Manimekalai Murugesan, me rastin e marrjes së detyrës.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha theksoi se ndjek me admirim progresin dhe zhvillimet në këtë vend mik dhe se Shqipëria është shumë e interesuar për të thelluar bashkëpunimin me Indinë, në të gjitha fushat me interes reciprok.
Ambasadorja Murugesan i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet më të përzemërta të autoriteteve më të larta politike të vendit të saj dhe i shprehu dëshirën dhe angazhimin e qeverisë indiane dhe të gjitha institucioneve të këtij vendi, për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin me Shqipërinë, në veçanti atë ekonomik dhe nxitjen e investimeve indiane në Shqipëri.
Në takim u vlerësua tradita e miqësisë midis dy popujve e vendeve, duke u ndalur në veçanti tek figura e Nënë Terezës, e cila është një nga pikat kulmore të këtyre lidhjeve miqësore.
Në takim u evidentuan si fusha ku pritet të intensifikohet bashkëpunimi në të ardhmen ajo e investimeve indiane në Shqipëri, fusha e arsimit, kulturës, teknologjisë së informacionit e komunikimit (ICT), turizmit, por edhe në fushën e energjisë e në veçanti të energjisë së rinovueshme, sektorin farmaceutik etj.. Sikundër u rikonfirmua vullneti i palëve për të intensifikuar kontaktet në nivelet më të larta politike, por edhe për të nxitur investitorët e bizneset e të dyja vendeve, për të eksploruar mundësitë që tregjet respektive ofrojnë.
25/05/2012