E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës, Denis Beçiroviç

15 dhjetor 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Kryesuesin e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës, Denis Beçiroviç dhe delegacionin që e shoqëronte në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë.

Kryetari i Shtetit shqiptar dhe Kryesuesi i Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës, Beçiroviç në këtë takim vlerësuan marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve, duke vënë në dukje vullnetin politik të palëve për forcimin e mëtejshëm të tyre edhe nëpërmjet shtimit të kontakteve, vizitave dhe takimeve të nivelit të lartë. Presidenti Topi dhe zoti Beçiroviç shprehën gjithashtu interesin pёr intensifikimin e bashkëpunimit nё fushën e ekonomisë, turizmit, infrastrukturës, shkëmbimeve tregtare, kulturës, etj. Presidenti Topi vuri në dukje se, në këtë kuadër, ne do të mirëprisnim edhe hapjen e Ambasadës së Bosnje-Hercegovinës në Tiranë, ç’ka do të ndikonte në nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit midis dy vendeve.

Gjatë bisedës, Presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e procesit të integrimit evropian të të gjitha vendeve të rajonit ballkanik. Kryetari i Shtetit Shqiptar shprehu dhe interesin e palës shqiptare për lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në të dy vendet mike. “Kjo do të jepte një impakt të menjëhershëm në rritjen e nivelit të bashkëpunimit të gjithanshëm, e sidomos atij ekonomiko-tregtar, si dhe do të ndikonte në afrimin e mëtejshëm mes Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës dhe njohjen e kulturave të dy vendeve”, - u shpreh Presidenti, duke theksuar se “bashkësia bosnjake, e respektuar dhe e mirëintegruar në Shqipëri luan një rol të rëndësishëm në këtë drejtim duke shërbyer si një urë solide komunikimi me dy popujve dhe vendeve tona.”

Nga ana e tij, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Bosnje- Hercegovinës, Denis Beçiroviç, falënderoi Presidentin e Republikës për pritjen dhe vuri në dukje se kjo vizitë në Shqipëri konsiderohet me mjaft interes në kuadrin e angazhimit të shtetit boshnjak për zhvillimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh mes Bosnje-Hercegovinës dhe Shqipërisë në fusha me interes të ndërsjellë. Zoti Beçiroviç vuri në dukje se në këtë drejtim mund të shërbente edhe përmirësimi i infrastrukturës rrugore apo vendosja e një linjë direkte avioni mes Sarajevës dhe Tiranës, gjë që do të zgjeronte komunikimin dhe rritjen e marrëdhënieve ekonomiko-tregtare me përfitime të përbashkëta.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›