Kryeministri Berisha përshëndet Konferencën e V-të Vjetore të Turizmit

Kryeministri Berisha u shpreh se ardhjet turistike në Shqipëri kanë njohur rritje të mëdha dhe kjo ka pasur efekte jashtëzakonisht të rëndësishme në ekonominë e vendit. “Është kjo rritje që shndërroi me shpejtësi të madhe turizmin nga një degë e parëndësishme në ekonomi, në një ndër degët më kryesore të saj”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Duke u shprehur se turizmi i derisotëm është në tërësi turizëm bregdetar, Kryeministri Berisha u shpreh se turizmi malor do të jetë turizmi i së ardhmes. Gjithashtu, Kryeministri Berisha u shpreh se duhet bërë më shumë për promovimin e potencialeve të mëdha turistike të vendit.
Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje dhe falënderim për USAID-in, GTZ-në, SNV-në, si dhe disa organizma të tjera për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë zhvillimit të sektorit të turizmit.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe t’ju falënderoj për organizimin e kësaj konference për një problem themelor, siç është turizmi dhe ekonomia turistike e Shqipërisë. Në një hark të shkurtër kohor, nga viti 2004 e deri më sot, ardhjet turistike në Shqipëri kanë njohur një nga rritjet më të mëdha që mund të kenë njohur ndonjëherë në ndonjë vend. Nga 300 mijë turistë e vizitorë në vitin 2004, vitin e kaluar në Shqipëri erdhën 4 milionë e 1 mijë turistë e vizitorë. Një rritje e tillë, marramendëse, ka pasur efekte jashtëzakonisht të rëndësishme në ekonominë e vendit. Është kjo rritje që shndërroi me shpejtësi të madhe turizmin, nga një degë e parëndësishme në ekonomi, në një ndër degët më kryesore të saj. Kjo rritje e madhe e fluksit turistik dhe që, nga të dhëna të sigurta, do të njohë rritje të reja lidhet para së gjithash me disa rrethana të veçanta dhe pozitive që Shqipëria u ofron vizitorëve nga rajoni e mbarë bota. Është ekzemplare mikpritja shqiptare, çka krijon te turisti një ndjenjë kënaqësie, sigurie dhe përcillet si një jehonë në të gjitha shkrimet që bëhen për turizmin në Shqipëri. Shqipëria ka qenë një vend i njohur për ushqimet dhe gatimin e shijshëm. André Gide, një shkrimtar i madh francez, në një libër udhëtimesh në Perandorinë Otomane, për Shqipërinë thotë; “ajo që më la mbresat më të mëdha ishin ushqimet e shijshme dhe burrat e bukur”. Nuk ishte kjo nga fanatizmi i shqiptarëve, por nga orientimi seksual personal i shkrimtarit. Shqipëria ka ndër panoramat bregdetare e malore më mahnitëse në Mesdhe dhe më gjerë. Nuk ka brigje që të kenë ujërat e Jonit dhe rërën e Adriatikut, siç e kanë brigjet e bregdetit tonë. Për t’u zbuluar dhe për të arritur në kuotat më të larta, janë edhe brigjet e liqeneve të Shqipërisë, liqeni i Shkodrës, Ohrit, Prespës.
Natyrisht, turizmi i derisotëm, në tërësi, është bregdetar. Pra, turizmi malor do të jetë turizmi i së ardhmes. Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm, më të madh se asnjë vend tjetër, për sipërfaqen e saj të turizmit malor. Format ekzistuese janë kryesisht të bazuara në romantizma, por, me disa masa të reja që do të marrim, do të bëjmë gjithçka që Shqipëria të ketë resortet dimërore të turizmit ndër më të mëdhatë në rajon e më gjerë. Shqipëria ka masive malore që rrinë muaj të tërë me dëbore, por që deri para një viti kanë qenë shumë vështirë të arritshme. Ka dhe masive të tjera, të cilat edhe sot nuk mund të kapen ndryshe veçse me kuaj ose në këmbë. Sidoqoftë, qeveria ka bërë shumë përpjekje dhe mund të themi se është investuar shumë në zonat turistike.
Shqipëria ka një pasuri të madhe, ka një trashëgimi të madhe kulturore. Rrallë gjen ndonjë vend tjetër ku, në një distancë fare të shkurtër, të gjesh tre monumente të trashëgimisë botërore kulturore, Butrinti, Gjirokastra dhe Berati. Çdo vizitor që vjen në Shqipëri largohet shumë i pasuruar nga vlerat kulturore. Vendi ynë qe një vend i lakmuar në të gjitha kohërat nga perandoritë e mëdha. Ato erdhën dhe lanë gjurmët e tyre, por ne mbetëm shqiptarë, lavdi Zotit dhe, tani jemi në gjendje t’u tregojmë atyre se çfarë u ndërtua në kohërat kur sundonin Evropën dhe botën.
Këto vite, brenda një harku kohor gjashtë vjeçar, janë investuar në infrastrukturën turistike mbi 2 miliardë euro. Është investuar në akse kryesore, por edhe në rrjete rrugore, nga Velipoja në Ksamil, është ecur me vendosmëri drejt të gjitha zonave malore me potencial të madh turistik, nga Çajupi në Valbonë. Këto vite janë hapur një seri shkollash për përgatitjet e personelit hotelier dhe turistik. Rreth 11 shkolla të mesme, 2 degë të shkollave të larta dhe disa departamente. Pra, janë bërë përpjekje serioze që këtyre ritmeve të shpejta të zhvillimit t’u përgjigjemi me një përgatitje sa më serioze të vendit, për mikpritjen e një numri kaq të lartë miqsh që vijnë nga rajoni dhe bota.
Nuk është bërë sa duhet për promovimin e potencialeve të mëdha të vendit. Ne u detyrohemi shumë disa agjencive turistike në botë, të cilat e listuan Shqipërinë si destinacionin turistik kryesor, në një kohë kur shumë të paktë ishin ata që prisnin këtë listim. E vërteta është që Shqipëria qëndroi përsëri lartë dhe të tjera agjenci listuan Shqipërinë edhe Bjeshkët e Namuna si Himalajet e Evropës, për t’u zbuluar, si zonat më tërheqëse për t’u prekur, por promovimi ynë ka qenë shumë modest. Ndaj në të ardhmen qeveria, por edhe shoqatat turistike, duhet të angazhohen për një promovim më të madh të potencialit të jashtëzakonshëm turistik të vendit. Shqipëria në turizëm ka përdorur standardet më liberale dhe në rast se vende të tjera marrin nga turizmi nëpërmjet taksave 5, Shqipëria merr jo më shumë se 2. Kjo ka qenë një politikë e qëllimshme, e vullnetshme. Nuk duhet harruar se hoteleria në Shqipëri bazohet kryesisht në shtëpi, në banesa, më shumë se në hotele, nga Velipoja e deri në Ksamil. Kjo ka qenë dhe është një politikë e qëllimshme. Ne e kemi parë këtë si një mundësi për të luftuar varfërinë. Nuk besoj se mund të ketë faktor më të rëndësishëm për nxjerrjen e këtyre zonave nga harta e varfërisë sesa lehtësitë e krijuara atyre për të vetë administruar të ardhurat që sigurojnë me turizmin. Është e vërtetë që ne përdorim një standard liberal. Për sa u përket licensimit të agjencive, nuk duhet të ngushtojmë standardin, por ne së bashku duhet të punojmë kriteret. Standardi liberal është interesi më i mirë. Kriteret, të cilat duhet të paraqiten për regjistrimin e agjencisë, ne mund t’i përpunojmë dhe mund t’i shohim në mënyrë që të krijojmë kushtet ligjore për një veprimtari sa më serioze. Është e vërtetë që në Shqipëri hotelet nuk janë të kuotuara. Ka qenë politikë e qëllimshme, ka qenë një qëndrim kundër korrupsionit, sepse nuk kemi dashur të shohim të shiten yjet nëpër hotele, mospërputhjet midis shërbimit dhe yjeve. Nuk është se yjet nuk duhet të vendosen, por duhet të vendosen gradualisht dhe klientela është autoriteti më i sigurt për të vendosur yjet në çdo hotel dhe restorant, më shumë se burokracia.
Agjencitë turistike kanë kërkuar heqjen ose zvogëlimin e TVSH-së për hotelet turistike. Kjo edhe mund të shihet, por duhet kuptuar se një vend që ka ulur të gjitha taksat, ndoshta më mirë do të ishte lëvizte në disa drejtime të tjera. Kjo, sepse sot, duhet të jemi realist, një nga problemet më mëdha të tregut lidhet me krahun e punës, fleksibilitetin e krahut të punës. Ndaj dhe pas një dialogu, duhet të shqyrtojmë se cila është më e leverdishme për industrinë turistike. Këtë e them, sepse ju e dini që gjatë verës kjo industri punëson direkt rreth 150 mijë punonjës nga i mbarë vendi. Kështu që, në një debat, së bashku duhet të përcaktojmë se cilat janë lehtësitë më me interes për industrinë turistike të vendit dhe jemi plotësisht dakord ta shqyrtojmë me seriozitet.
Dua të falënderoj këtu USAID-in, GTZ-në, SNV-në, si dhe disa organizma të tjera për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë zhvillimit të sektorit të turizmit në disa zona të injoruara, të harruara, por shumë të rëndësishme për potencialin e tyre turistik. Rindërtimi i banesave në zonat e Alpeve, përpjekjet për fermat për agrobiznes, janë të një rëndësie të veçantë. Dua t’ju falënderoj me shumë mirënjohje, t’ju falënderoj edhe juve për kontributin e dhënë gjatë gjithë këtyre viteve në shndërrimin e turizmit në degë kryesore të ekonomisë shqiptare”.
18/12/2012