E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet ceremoninë e përcjelljes së kontingjentit OMLT me mision në Afganistan

Kryeministri Berisha mori pjesë sot pasdite, në ceremoninë e zhvilluar me rastin e përcjelljes së kontigjentit OMLT  me mision në Afganistan.

Së bashku me Kryeministrin, në këtë ceremoni ishin të pranishëm Ministri i Mbrojtjes, zoti Arben Imami, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major, Maksim Malaj, ambasadori i SHBA-ve, zoti  Aleksandër Arvizu, Komandanti i Gardës Kombëtare të New Jersey-t, gjeneral major Glenn K. Rieth, si dhe ushtarakë të tjerë të FA shqiptare dhe të Gardës Kombëtare të New Jersey-t

Në kuadrin e kontributit të vendit tonë, në Forcat Ndërkombëtare të Asistencës së Sigurisë, në muajin korrik do të dërgohet në Afganistan një grup patronazhi dhe koordinimi i përbërë prej 32 ushtarakësh, nga të cilët 20 janë ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe 12 ushtarakë të SHBA-ve.

Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha e cilësoi misionin, si një mision të rëndësishëm, i cili bën krenar çdo shqiptar, duke shënuar një dimension të ri të pjesëmarrjes së Shqipërisë në forcat e ISAF.

Kjo pjesëmarrje, u shpreh kryeministri, është një dëshmi tjetër e vendosmërisë së qeverisë shqiptare për t’ju përgjigjur kërkesave të Aleancës së Atlantikut të Veriut  dhe për të qëndruar në çdo rast, aty ku ushtria amerikane dhe Aleanca e Atlantikut të Veriut do të jenë për paqen dhe stabilitetin.

Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen ndaj të gjithë ushtarakëve, komandantëve, oficerëve dhe nënoficerëve  të Gardës Kombëtare të New Jersey-t për kontributin e tyre të madh, në transformimin e ushtrisë shqiptare në një ushtri profesionale,  të aftë për të përmbushur me sukses misione të rëndësishme.

Në fjalën e tij, kryeministri u shpreh:

I nderuar zoti Ministër i Mbrojtjes Imami,

I nderuar zoti Ambasador Arvizu,

Të nderuar gjeneralë Malaj dhe Rieth,

Të dashur oficerë, nënoficerë, të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, oficerë dhe nënoficerë të Gardës Kombëtare të New Jersey-t,

Të nderuar familjarë të ushtarakeve ,

Miq dhe të ftuar,

Së pari dëshiroj tu përshëndes shumë përzemërsisht për përfundimin me sukses të periudhës së stërvitjes, në të cilin ju, në bazat e stërvitjes në Shqipëri, në bazat ushtarake të ushtrisë së SHBA-ve, në Gjermani dhe në New Jersey keni parapërgatitur misionin tuaj të madhe dhe të rëndësishëm, mision i cili bën krenar çdo shqiptar.

Nga Shqipëria, gjatë këtyre viteve janë nisur periodikisht njësi ushtarake me misione të ndryshme, janë nisur në zona të rrezikshme, si në Kandahar dhe në zona të tjera. Por ky është misioni më i vështirë në rrafshin profesional. Ju shkoni atje për të stërvitur ushtarakët afganë, për të marrë në dorë sigurinë  e vendit të tyre. Në një proces të domosdoshëm tranzicioni, misioni juaj me një OMLT është një dimension i ri i pjesëmarrjes së Shqipërisë në forcat e ISAF, është një dëshmi tjetër e vendosmërisë së qeverisë shqiptare për t’ju përgjigjur kërkesave të Aleancës së Atlantikut të Veriut për të qëndruar në çdo rast aty ku ushtria amerikane dhe Aleanca e Atlantikut të Veriut do të jetë për paqen dhe stabilitetin.

Ky është një rast për të shprehur mirënjohjen e thellë të qeverisë shqiptare ndaj qeverisë së SHBA-ve për mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë. Ju shkoni në këtë mision si njësi e një vendi anëtar të NATO-s dhe ne i detryrohemi për anëtarësimin në NATO, para së gjithash qeverisë së SHBA-ve dhe ushtrisë amerikane.

Ju shkoni në këtë mision duke patur në komandën dhe në gjirin tuaj, oficerë dhe nënoficerë të ushtrisë amerikane, dëshmi kjo e një besimi të madh të ushtrisë amerikane të gardës së New Jersey-t ndaj ushtarakëve shqiptarë dhe ushtrisë shqiptare.

Unë tani do të ndalem me dy fjalë në bashkëpunimin midis ushtrisë shqiptare dhe gardës Kombëtare të New Jersey-t. Ky bashkëpunim 15 vjeçar është një bashkëpunim i shkëlqyer gjeneral Rieth dhe fakti që kurorëzohet sot me këtë njësi është dëshmia më e shkëlqyer e këtij bashkëpunimi.

Garda kombëtare e New Jersey-t ka kryesuar bashkëpunimin mes dy vendeve tona. Ndaj dhe një mirënjohje  shumë të veçantë dua të shpreh ndaj jush, komandantë, oficerë dhe nënoficerë të Gardës Kombëtare të New Jersey-t për kontributin tuaj të madh në transformimin e ushtrisë shqiptare në një ushtri profesionale, në një ushtri të aftë për të përmbushur misione të rëndësishme së bashku me ju, në Afganistan, por edhe në vende të tjera, atje ku të lindë nevoja.

Dëshiroj gjithashtu të përshëndes familjarët tuaj, fëmijët, ti garantoj ata se në do të bëjmë gjithçka për të lehtësuar mungesën tuaj. Do të bëjmë gjithçka që ju detyrën tuaj ta përmbushni me sukses në këtë mision të rëndësishëm .

Edhe njëherë ju uroj suksese, rrugë të mbarë dhe faqe të bardhë!


29/06/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›