E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet konferencën e Shoqatës së Investitorëve të Huaj të Shqipëri (FIAA)

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot pasdite në konferencën e Shoqatës së Investitorëve të Huaj të Shqipëri (FIAA), organizuar me rastin e fillimit të aktivitetit për vitin 2013, në mjediset e hotel Sheraton.

Kryeministri Berisha, duke i uruar investitorët e huaj për një vit të mbarë e të suksesshëm në aktivitetin e tyre në Shqipëri, shprehu vlerësimin për besimin e madh që ata kanë dëshmuar ndaj vendit tonë, për kontributin thelbësor të tyre në hapat e rëndësishëm dhe zhvillimin e tij, në një kohë të vështirë për financat dhe ekonominë perëndimore. “Me punën, përkushtimin dhe projektet tuaja, ju keni kontribuar që  ekonomia shqiptare, një ndër ekonomitë e vogla të Evropës,  të mbetet jashtë recensionit dhe të ketë rritje të sigurt”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri u ndal në fjalën e tij në debatin që zhvillohet rreth taksave dhe taksimit, si faktor kryesor për të ndikuar në ecurinë e ekonomive, duke nënvizuar se sot, në të gjitha think tank-et e rëndësishme ekonomike të botës, por edhe në të gjitha qendrat e rëndësishme të vendimmarrjes, konkludohet se sistemi i taksës së sheshtë është sistemi i taksimit më i përshtatshmi, më optimali. Në këtë drejtim, Kryeministri u shpreh se “jemi të kënaqur që jemi një vend që prej vitesh kemi vendosur taksën e sheshtë”. Gjithashtu, Shqipëria është një ndër të paktat vende që ka hequr TVSH-në për makineritë që përdoren në prodhim, në të gjitha kategoritë e biznesit në vend.

Kryeministri iu referua edhe vizitës, një ditë më parë, në Shqipëri të nobelistit Prof. Muhammad Yunus,  “babait të mikrokreditit”, si dhe ideve të diskutuara dhe të ndara me të, projektet konkrete të bashkëpunimit  me të, për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, veçanërisht nxitjen e biznesit social.

Kryeministri ftoi investitorët që të nxisin bashkatdhetarët e tyre, njerëz të biznesit, të vijnë e të sjellin investimet e tyre në Shqipëri, në çdo rajon të vendit ku ata do të dëshironin, duke i garantuar se do të kenë një mbështetje të plotë dhe të palëkundur të qeverisë.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

Së pari, më lejoni t’ju falënderoj për ftesën në këtë aktivitet vjetor të organizatës suaj dhe t’ju uroj ju, familjeve tuaja, stafeve tuaja dhe vendeve tuaja, shumë gëzime dhe suksese në këtë vit të ri.

Nga ana tjetër, unë dua t’ju siguroj se qeveria ka vlerësimin më të madh për ju, për besimin e madh që ju dëshmoni ndaj Shqipërisë, për kontributin tuaj thelbësor në hapat e rëndësishme dhe zhvillimin e këtij vendi, në një kohë të vështirë për financat dhe ekonominë perëndimore. Me punën, përkushtimin dhe projektet tuaja, ju keni kontribuar që  ekonomia shqiptare, një ndër ekonomitë e vogla të Evropës,  të mbetet jashtë recensionit, të ketë rritje të sigurt. Në rast se i referohemi 3-mujorit të trete të vitit që lëmë pas, rritja më e madhe e Eurozonës ishte 07 për qind, rritja më e madhe e Shqipërisë ishte 2.7 për qind. Përsëri, të gjithë ne do të donim të ishte edhe më e madhe, por fatmirësisht kjo është një rritje që persiston.

Të dashur miq!

Unë besoj se kjo rritje persiston dhe do të persistojë për shkakun më kryesor; besimin tonë më të palëkundur se, ndaj kësaj mund të mbrohemi më mirë duke ju asistuar ju, duke mbështetur ju, duke lehtësuar veprimtarinë tuaj.

Sot ka një debat të madh në qarqet akademike më të shquara të botës, por natyrisht, edhe në qarqet politike më të rëndësishme. Ky debat zhvillohet rreth taksave dhe taksimit,  si faktor kryesor për të ndikuar në ecurinë e ekonomisë dhe në ecurinë e krizës. Kjo është normale. Sot, në të gjitha think tank-et e rëndësishme ekonomike të botës, por edhe në të gjitha qendrat e rëndësishme të vendimmarrjes, shtrohet një pyetje: Cili është sistemi i taksimit më i përshtatshmi, më optimali dhe, përgjigjet bëhen gjithnjë e më të shumta se taksa e sheshtë është më e afërt se të gjitha sistemet e tjera me taksën optimale.

Ne jemi të kënaqur që jemi një vend që prej vitesh kemi vendosur taksën e sheshtë. Po në këto debate shumë intensive, përsëri taksat kalojnë në revistë dhe konkluzoni është përsëri se kapitali nuk duhet taksuar, se taksa mbi kapitalin është një taksë e padrejtë, për arsye se janë makineritë ato që garantojnë prodhimin e nesërm. Unë jam i lumtur që vij sot para jush, pasi në një debat dhe në dialog me ju, ne konkluduam për të hequr taksën e kapitalit dhe sot, Shqipëria është një ndër të paktat vende që ka hequr TVSH-në për makineritë që përdoren në prodhim, në të gjitha kategoritë e biznesit në vend.

Përsëri ne i përmbahemi dhe do t’i përmbahemi besimit se Shqipëria do të qëndrojë jashtë kësaj krize, do të ruajë rritjen e saj ekonomike, vetëm e vetëm duke lehtësuar ju.

Dje, këtu në Shqipëri patëm një vizitor të veçantë, Prof. Muhammad Yunus, nobelisti, “babai i mikrokreditit”. Çfarë zbuloi dhe çfarë solli Proff. Yunus. Ai zbuloi se në çdo vend, qoftë ai Bangladesh, qoftë ai më i zhvilluar i planetit, një kategori, një shtresë, diku më e madhe diku më  e vogël e qytetarëve, janë të përjashtuar nga sistemi ynë konvencional i kreditit, i bankës, i mbështetjes për zhvillim. Kjo kategori njerëzish janë njerëzit pa kolateral. Kjo bën në një farë mënyre që paraja të shkojë te paraja. Por ky gjeni i mikrokreditit gjeti një mënyrë, një skemë; që paraja të shkojë te të varfërit, duke nxitur biznesin  dhe që kjo para, të ketë rikthimin e saj pa humbje. Unë prej 3 vitesh punoj me të. Dje instaluam projektet e para; biznesi social, trajnim profesional, mikrokredi.

Unë kam kënaqësi t’ju informoj se shumë shpejt do ta diskutojmë me ju nëse secili prej jush dëshiron që dividentin që duhet t’ia paguajë taksë qeverisë, ta përdorë për të krijuar një biznes social, për të zhvilluar më tej dimensionin më njerëzor të sipërmarrjes së tij dhe të mos ketë një detyrim ndaj qeverisë për taksën e dividentit. Asnjë biznes social nuk është biznes me humbje. Jo! Është një biznes që u jep mundësinë atyre që nuk kanë pushtet ekonomik, është një biznes i njerëzishëm.

Ne do ta diskutojmë këtë me ju. Profesor Yunus ka gjetur mbështetjen e disa korporatave të mëdha gjermane etj. Unë i thashë se do t’u drejtohem korporatave të mia në Shqipëri. Do të bëjmë një dialog dhe do të mund të bashkëpunojmë gjerësisht edhe në këtë fushë.

Mbetet që, së bashku, t’i japim një dimension tjetër fleksibilitetit të krahut të punës. Ne jemi një vend me një ngarkesë sociale jo të madhe, por sërish ka vend që bashkërisht të bëjmë disa hapa të tjerë më të rëndësishëm, për ta bërë edhe më kompetitiv krahun e punës dhe ekonominë në tërësi. Unë besoj se, në dialog me ju, do të mund të dalim dalëngadalë, ashtu siç pati parashikuar McKenzie, disa vite me parë, që Luginën Tiranë - Durrës ta shndërrojmë së bashku në një Shenzhen për Evropën, luginë kjo që ka infrastrukturën më të shkëlqyer, porte, aeroporte, hekurudhë, autostrada, ka krahun e punës më të leverdishëm, më të shkolluar. Pra, ka të gjitha kushtet. Prandaj ju ftoj ju, të ftoni bashkatdhetarët tuaj që të vijnë e të sjellin investimet e tyre në Shqipëri, në çdo rajon dhe kudo ku ata do të dëshironin dhe i garantoj se do të kenë një mbështetje të plotë dhe të palëkundur të qeverisë.

Idetë e taksës, që siç më thotë një gazetar, mund t’i quajmë “taksa e Robin Hood-it” apo e Spiro Kolekës, janë ide të destinuara për t’u mykur në arkivat e këtij vendi dhe për të mos dalë ndonjëherë në skenë. Shqipëria ka qenë është dhe do të mbetet vend i taksës së sheshtë. 

 Edhe njëherë, gëzuar këtë vit, shumë suksese ju, sipërmarrjeve tuaja, familjeve dhe vendeve tuaja”.


23/01/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›