E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet punimet e Asamblesë së Përgjithshme të 57-të Shoqatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut

Kryeministri Berisha përshëndeti sot paradite punimet Asamblesë së Përgjithshme të 57-të të Shoqatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, e cila po zhvillon punimet e saj për herë të parë në Tiranë. Në këtë Asamble bëjnë pjesë organizatat kombëtare të rreth 43 vendeve anëtare e partnere të NATO-s, përfshirë këtu edhe Këshillin Atlantik të Shqipërisë.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha shprehu falënderimet e tij për mbështetjen e madhe që këto vende i kanë dhënë Shqipërisë në përpjekjet e saj për të kthyer aspiratat për NATO-n në anëtarësi të plotë në NATO. “Me anëtarësimin në NATO një epokë e re filloi për Shqipërinë dhe për shqiptarët, ky vend mund të ndërtojë në liri dhe në siguri të plotë të ardhmen e tij”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Më gjerësisht në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur kryetar dhe anëtarë të Shoqatës të Traktatit të Atlantikut, vende anëtare të NATO-s

Zonja dhe zotërinj,

Është një privilegj i madh për mua që kam mundësinë të shpreh admirimin tim më të thellë ndaj të gjithë juve, anëtarë të Shoqatës të Traktatit të Atlantikut, për misionin e jashtëzakonshëm që ju ndiqni në promovimin e vlerave, misionit dhe rolit të NATO-s. Gjithashtu, kam një detyrim tjetër të madh për t’ju falënderuar nga zemra për mbështetjen tuaj të madhe dhe të fortë që i keni dhënë vendit tim, kombit tim, në përpjekjet e tij për të kthyer aspiratat për NATO-n në anëtarësi të plotë në NATO.

Shoqata të Traktatit të Atlantikut ishte një forum i madh për mua, për vendin tim, për zyrtarët e Shqipërisë, për të pozicionuar përpjekjet, potencialet dhe qëllimet tona në anëtarësimin në NATO. Ju ishit mbështetësi më i fortë i kësaj aspirate shumë fisnike të Shqipërisë. Ju siguroj që ne bëmë më të mirën për të qëndruar në lartësinë e pritshmërive tuaja. Ne bëmë të gjitha përpjekjet që si një anëtar i ri të përmbushnim të gjitha detyrat dhe obligimet tona si një anëtarë me të drejta të plota i NATO-s.  Për Shqipërinë, pas pavarësisë së vendit, anëtarësimi i plotë në NATO shënoi momentin më të madh në histori. Ne jemi një vend me një histori shumë të gjatë, ndoshta një prej më të gjatave, por historia jonë ishte histori mbijetese. Të mbijetosh dhe të ndërtosh të ardhmen janë dy gjëra të ndryshme.

Me anëtarësimin në NATO një epokë e re filloi për Shqipërinë dhe për shqiptarët, ky vend mund të ndërtojë në liri dhe në siguri të plotë të ardhmen e tij. Kështu që ne mbetemi shumë të përkushtuar të punojmë në organizatën tonë, të jemi aty ku do të jetë NATO, kapituj të ATA-s dhe të organizatës. Tani ata kanë një rol më të madh se më parë. Me punën e tyre të duruar dhe këmbëngulëse ata kanë si mision të prekin çdo zemër, çdo mendje, të bindin çdo qytetar që NATO, tashmë, është më shumë për të gjithë, për të drejtat e njeriut, për lirinë. Falë NATO-s rendi ndërkombëtar është tani në thelb të të drejtave të njeriut dhe lirive. NATO e tregoi këtë në periudhën më decizive në Kosovë. NATO e realizoi këtë objektiv në momentet më decizive në Libi. NATO qëndron dhe do të qëndrojë kundër çdo kërcënimi, ndaj çdo vendi, cilido qoftë ai. Për çdo vend në këtë aleancë të madhe, çdo vend që lufton për liri, duke pasur ndihmën dhe mbrojtjen e NATO-s, do të kenë të sigurt  të drejtat e njeriut dhe lirinë. Pa vendosmërinë e NATO-s, pa qëndrimin e NATO-s, Libia sot do të ishte një vend tjetër, i ndryshëm, do të ishte, me shumë mundësi, Libia e Gadafit, e Saifit, e Muhamedit apo kushdo ishte tjetër. Libia sot është Libia e popullit të vetë. Kështu që unë mendoj se ju jeni njerëz shumë krenar për misionin që ju kryeni, është një mision i madh.

Shqipëria është anëtari më i ri i NATO-s dhe është shumë e vendosur të përmbushë të gjitha detyrimet e saj. Ne, së bashku me të gjitha vendet mike të rajonit dhe NATO-s, jemi në Afganistan dhe do të qëndrojmë atje deri sa NATO të qëndrojë. Ne kemi dhe misione të tjera. Në po përpiqemi të përditësojmë dhe të modernizojmë Forcat tona të Armatosura që, totalisht, të kthehen në një forcë profesionale. Ne po përpiqemi t’i trajnojmë dhe t’i pajisim ata për të përballuar më mirë fatkeqësitë natyrore dhe katastrofat.

Zonja dhe zotërinj,

Është një rast i madh për mua të falënderoj vendet tuaja për ndihmën e jashtëzakonshme që i ofruan Shqipërisë në dy fatkeqësi të tmerrshme nga përmbytjet. Përgjigjja e NATO-s ndaj kërkesës sonë ishte,pothuajse, në kohën reale. Por, gjithashtu, unë duhet t’ju siguroj ju se forcat tona të ushtarake, së bashku me policinë, bënë një punë të jashtëzakonshme. Vitin e kaluar një rajon i tërë në veri të vendit u kthye në një det të madh. Lartësia e ujërave shkoi deri në tetë metra. Qyteti më i madh i veriut u përmbyt me dy-tre metra ujë, në më tepër se 40 përqind të territorit tij. Por falë ndërhyrjes shumë energjike, eficente dhe të guximshme të forcave tona ushtarake, policisë dhe autoriteteve lokale, falë ndihmës së shpejtë që ne morëm nga vendet tona mike, asnjë jetë nuk humbi. Në mesnatë, në situatat më të vështirë, njerëzit e sëmurë, të porsalindurit u ndihmuan, asnjë jetë nuk u humb. Ne duhet t’i kushtojmë një vëmendje më të madhe, për të përgatitur më mirë ushtrinë tonë në përballimin e katastrofave civile.  

NATO është organizata më e mirë në botë. Po, vërtetë është e tillë. Ka diçka të mrekullueshme në këtë Aleancë dhe mrekullia qëndron në mënyrën që ajo reformon vetveten. Unë shpresoj se kjo do të frymëzojë të gjitha institucionet e tjera në rrugën drejt reformave. Të gjithë ju ishit prezent në samitin e Lisbonës dhe Aleanca aprovoi një dokument të ri strategjik, i cili e lejon Aleancën të riformojë vetveten, të adaptojë vetveten dhe të shohë me një vizion tepër të qartë horizonte të reja.

Padyshim, në këtë rast, zoti Lamers, unë dua t’ju falënderoj jashtë mase ju, sekretarin e Përgjithshëm zotin Rasmussen, shtabin e NATO-s dhe, mbi të gjitha, drejtuesin e Aleancës së NATO-s, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat në këto 20 vite e kanë udhëhequr aleancën, një aleancë, e cila pas rënies së perdes së hekurt nuk kishte një të ardhme të qartë, por me reforma dhe udhëheqje të vendosur ata treguan për një të ardhme më të mirë dhe më të shndritshme.

Faleminderit shumë!”


16/11/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›