Kryeministri Berisha pret Presidentin e Shoqatës së Traktatit të Atlantikut (ATA), zotin Karl Lamers

Kryeministri Berisha prit sot, në takim, Presidentin e Shoqatës së Traktatit të Atlantikut (ATA), njëkohësisht deputet i Bundestagut gjerman, zotin Karl Lamers.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Lamers për mbështetjen e fuqishme që ATA i dha Shqipërisë për anëtarësimin në NATO. Kryeministri vlerësoi gjithashtu, kontributin e rëndësishëm të Shoqatës së Traktatit të Atlantikut në promovimin e vlerave të paqes, lirisë e demokracisë, të bazuara mbi tregun e lirë, mbi të cilat u ndërtua dhe mbron NATO.
Kryeministri Berisha e vlerësoi anëtarësimin në NATO si një ngjarje të një rëndësie historike për mbarë kombin shqiptar, e cila shënon fillimin e një epoke të re për Shqipërinë dhe për ndërtimin e të ardhmes së saj më të lirë e më të sigurt se kurrë.
Presidenti Lamers e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe i shprehu mirënjohjen për mbështetjen që qeveria shqiptare i ka dhënë misionit ATA, çka bëri të mundur organizimin për herë të parë në Tiranë, të takimit të 56-të të Asamblesë së Përgjithshme të ATA.
Presidenti Lamers vlerësoi arritjet e jashtëzakonshme që ka shënuar Shqipëria gjatë viteve të fundit, në përmbushjen e standardeve, çka u konfirmua qartësisht me pranimin e saj në NATO, por edhe në ecurinë e shpejtë drejt integrimit europian.
Gjithashtu, Presidenti Lamers i shprehu Kryeministrit Berisha mirënjohjen, për kontributin e rëndësishëm që Shqipëria jep në shërbim të paqes në Afganistan, por edhe në vende të tjera të rajonit e më gjerë.
Në takim u diskutua mbi reformat e rëndësishme të realizuara nga qeveria shqiptare gjatë kësaj periudhe, në fushën e ekonomisë, ndërtimit të veprave të mëdha infrastrukturore, arsimit, sjelljes së Shqipërisë në moshën dixhitale, në rritjen e paprecedentë të interesit dhe të investimeve të huaja direkte në Shqipëri, si dhe në transformimin e ushtrisë shqiptare në një ushtri të standardeve të Aleancës, e cila të jetë e denjë të japë kontributin në misionet e Aleancës në shërbim të paqes, por edhe në adresimin e emergjencave civile apo në përballimin e fatkeqësive natyrore.
Në takim u diskutuan gjithashtu, zhvillimet në rajon.
16/11/2011