Kryeministri Berisha merr pjesë në mbledhjen e grupit të deputetëve të Partisë Demokratike
Sot në mesditë, Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Në fjalën e tij, Kryeministri u ndal në vizitën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës George W Bush, më 10 qershor, në Shqipëri dhe procesin e reformave të gjithanshme në të cilat është angazhuar qeveria.
"Dëshiroj të përshëndesim sërish vizitën e Presidentit George W Bush më 10 qershor, si ngjarjen më kulmore në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë dhe në marrëdhëniet e shkëlqyera të dy vendeve tona, por edhe si vlerësimin më të madh të ndjenjave thellësisht miqësore të shqiptarëve, të ndjenjës së thellë të mirënjohjes që kombi shqiptar ka ndaj kombit të madh amerikan tek i cili, siç do të thoshte Fan Noli duke iu drejtuar presidentit Willson, kombet kanë ndërtuar foletë e lirisë. Dhe e vërteta është se përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe dinjitet, përpjekjet e tyre për integrim nuk kanë gjetur askund mbështetjen më të madhe sesa në kombin amerikan, qeverinë e SHBA-ve dhe të Presidentit të këtij kombi të madh.
Në qoftë se vështron historinë e dhimbshme të shekullit të kaluar dhe të këtij fillim shekulli, menjëherë dallon se ne kemi mbijetuar ndaj të gjitha stihive, para së gjithash, sepse Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur çështjen tonë të drejtë, parandaluan copëtimin dhe asgjësimin e shtetit të sapo shpallur shqiptar, mbështetën fuqishëm forcat demokratike pas lufte në një operacion shumë të rëndësishëm, mbështetën fuqishëm rrëzimin e perdes së hekurt në Shqipëri dhe përpjekjet e shqiptarëve për të ndërtuar lirinë dhe demokracinë, mbështetën fuqishëm shqiptarët në Kosovë dhe udhëhoqën luftën për çlirimin e tyre.
Presidenti Bush vjen në Shqipëri në një vizitë historike dhe të rëndësishme për Shqipërinë dhe rajonin, për t'u sjellë shqiptarëve mesazhin e miqësisë, të vlerësimit të përpjekjeve të tyre, të reformave si kushti më kryesor për ndërtimin e demokracisë, vjen për të inkurajuar këtë kurs reformash që parlamenti, qeveria dhe institucionet kanë ndërmarrë dhe ndërmarrin për të konsoliduar standardet e domosdoshme të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe Bashkimin Evropian. Vizita jo vetëm përbën një mesazh të madh politik, por edhe një mesazh të gjithanshëm. Me këtë vizitë, Shqipëria pa diskutim paraqitet si një vend me kredenciale të besueshme, një vend mik i SHBA-ve me kredenciale të besueshme duke filluar nga presidenti Bush dhe të gjithë të tjerët. Natyrisht vizita sjell mesazhin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe është inkurajim i madh në përpjekjet për integrim. Ndaj është në detyrimin tonë të procedojmë me seriozitetin më të madh në rrugën e reformave.
Reformat nuk janë një proces i thjeshtë, por edhe një proces jetik. Reformat janë mekanizmat e vetëm për të shkëputur vendin dhe shoqërinë nga mijëra lidhje dhe fije të panevojshme të një të shkuare, e cila, në shumë aspekte, nuk përbën trashëgimi pozitive. Reformat janë mekanizmi për të lehtësuar barrën burokratike në shërbimet ndaj qytetarëve, sikundër janë jetike për investimet vendase dhe të huaja, të cilat, gjatë vitit 2006, sipas institucioneve më serioze ndërkombëtare janë trefishuar, por që, e theksoj, duke qenë larg nevojave të jashtëzakonshme që ka vendit për to. Javën e kaluar ne miratuam referencat për kartat e identitetit, dokument i një rëndësie të jashtëzakonshme jo thjesht vetëm për paraqitjen në mënyrën më moderne të identitetit të qytetarëve shqiptare, por dhe për polivalencën dhe implikimet e tij në të gjitha aspektet duke filluar nga sigurimet shoqërore, shëndetësore, detyrimet e numrit fiskal etj..
Gjithashtu përpjekje shumë të mëdha po bëhen për të tharë kënetën e informalitetit, në mënyrë që biznesi në Shqipëri të shkëlqejë dhe të marrë frymë lirisht. Pas një konsultimi të gjerë me biznesin, do të vendoset transparencë e madhe në transaksione. Sikundër po vazhdojmë përpjekjet për të gjetur të gjitha mundësitë e uljes së barrës fiskale ndaj tij, zgjerimit të barrës së taksapagimit, me kusht që kjo barrë të shpërndahet në mënyrë të tillë që pjesa më e rëndë e saj të mos u mbetet atyre që janë më në nevojë. Unë kërkoj nga ju që të angazhoheni në një debat intensiv me zgjedhësit tuaj, sepse janë ata, të cilët përballojnë barrën më të madhe fiskale me taksën indirekte apo TVSH-në, se kjo taksë, për shkak të karakterit të saj, në asnjë vend të botës nuk mund të përcaktohet sipas shtresave. Kjo bën që 20 për qind në çmimin e çdo malli që konsumon ta paguajë si ai që ka rrogën më të lartë, edhe ai që është në asistencë sociale. Ne po përpiqemi me të gjitha mënyrat që ta shpërndajmë atë.
E theksoj sërish se informaliteti dhe fshehja e të ardhurave thellojnë në mënyrë të tmerrshme hendekun mes atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë. Ata që nuk kanë, nuk kanë ç'të fshehin, i paguajnë të gjitha para ligjit. Të gjithë ua njohin rrogën dhe të ardhurat që marrin. Ndaj ne do të vazhdojmë me transparencë. Transparenca është jetike, në mënyrë që, përveç TVSH-së, edhe kontributi i sigurimeve shoqërore të mos mbahet, siç mbahet tani, me 2/3 e saj nga punonjësit e administratës publike dhe nga ata që nuk kanë. Barra e sigurimeve shoqërore është një barrë që duhet përballuar me mirëkuptim dhe solidaritet nga e tërë shoqëria. Në rast se ne ia lëmë këtë barrë 103 mijë punonjësve të administratës qendrore dhe 40 mijë punonjësve të administratës lokale, si mund të funksionojë kjo administratë e të përmbushë detyrimet ndaj tre milion shtetasve të tjerë, sepse sot, në dritën e diellit janë vetëm rrogat e tyre dhe të punonjësve që paguhen me paga të ulëta në sektorët e prodhimit. Konstatoj se ka mirëkuptim të madh nga qytetarët. Gjatë këtyre javëve kam marrë mesazhe të shumta, në të cilat kërkojnë që informaliteti të mos rëndojë më mbi jetën e tyre. Ndaj dhe ne po punojmë çdo ditë për ta goditur atë në çdo hallkë, për të nxjerrë çdo gjë në rrezen e diellit. Në këtë rast, rrezja e diellit është rrezja e lirisë. Këneta është asfiksuese, ndërsa transparenca është oksigjeni i tregut, ekonomisë dhe shoqërisë."