E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Drejtoreshën e Bankës Botërore për Shqipërinë znj. Jane Armitage

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Drejtoreshën e Bankës Botërore për Shqipërinë znj. Jane Armitage dhe delegacionin që e shoqëronte.

Kryeministri Berisha i shprehu znj. Armitage vlerësimin për bashkëpunimin me Bankën Botërore si edhe projektet e rëndësishme që po zbatohen në Shqipëri të financuara nga kjo bankë. Kryeministri Berisha më pas u ndal në sektorët prioritar të cilët do të përbëjnë bazën e Dokumentit të Politikave për Zhvillim 2011-2014 si: vazhdimi i reformës së Pronësisë së Tokës, mbështetja për Arsimin e lartë me synimin e rritjes së cilësisë së tij, rritja e performancës dhe menaxhimit në sektorin e ujit të pijshëm si edhe kullimit e vaditjes, zgjerimi dhe intensifikimi i reformës së inspektimit si edhe ndërmarrjen e disa iniciativave të rëndësishme në fushën e teknologjisë së komunikimit dhe Informacionit, të cilat do t’i hapin rrugën partneritetit Publik-privat në këtë fushë. Gjithashtu, Kryeministri theksoi rëndësinë e mbështetjes së pushtetit vendor për përmirësimin e menaxhimit financiar dhe rritjen e  nivelit të mbledhjes së taksave.

Znj. Armitage vlerësoi shumë vëmendjen që qeveria i ka kushtuar zbatimit të këtyre reformave kyçe për vendin, të cilat do të mbështeten me financime të Bankës Botërore për kryerjen e investimeve të mëtejshme në këto fusha.


28/06/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›