E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Ministrin e Jashtëm të Shtetit të Vatikanit, Arqipeshkvin Dominik Fransua Mamberti

27 qershor 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në një takim të veçantë në Presidencë, Ministrin e Jashtëm të Shtetit të Vatikanit, Kryepeshkopin Dominik Fransua Mamberti. Në takim ishin të pranishëm edhe Ambasadorët e Jashtëzkonshëm dhe Fuqiplotë në dy vendet respektive.

Pasi i uroi Arqipeshkvit Mamberti mirëseardhjen në vendin tonë, në 20-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Selinë e Shenjtë, Presidenti Topi vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira të Shqipërisë me Shtetin e Vatikanit, si dhe shprehu mirënjohjen për rolin e rëndësishëm e të vazhdueshëm të Selisë së Shenjtë në konsolidimin e demokracisë e të institucioneve shqiptare si dhe bashkëjetesës e harmonisë fetare në vendin tonë.

Kreu i Shtetit shqiptar, pasi bëri një pasqyrë të shkurtër të zhvillimeve aktuale në vend, u ndal veçanërisht në rolin dhe kontributin e rëndësishëm që institucionet fetare shqiptare, dhe në veçanti ato katolike, vazhdojnë të japin, jo vetëm për të ruajtur pasurinë dhe vlerat shpirtërore në Shqipëri, por dhe për të konsoliduar më tej identitetin, traditën dhe pasuritë historike, kulturore e kombëtare të përfaqësuara më së miri në mënyrë shembullore nga Nënë Tereza me jetën dhe veprën e saj.

Ndërsa Ministri i Jashtëm i Shtetit të Vatikanit, Arqipeshkv Dominik Mamberti, pasi falenderoi Presidentin Topi për pritjen e ngrohtë e miqësore, u shpreh se Shqipëria, me vlerat e saj të mëdha të bashkëjetesës shekullore fetare është shembulli më i mirë i shprehjes së harmonisë njerëzore, jo vetëm për vendet e Ballkanit e të Evropës, por dhe më gjerë. Arqipeshkv Mamberti theksoi gjithashtu se Selia e Shenjtë do të vazhdojë të mbështesë plotësisht Shqipërinë në aspiratën e saj integruese, duke theksuar se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë pjesë sa më shpejt në gjirin e familjes së madhe evropiane.

Në përfundim të takimit, Presidenti Topi i përcolli përshëndetjet më të mira Atit të Shenjtë, Papa Benediktit XVI duke ripërsëritur ftesën për një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›