Kryeministri Berisha pret Presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Automobilit (FIA) Jean Todt
Kryeministri Sali Berisha priti dje në mbrëmje, në selinë e Kryeministrisë, Presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Automobilit (FIA), z. Jean Todt, që ka ardhur në vendin tonë me ftesë të Klubit Shqiptar të Automobilit (ACA).
Duke paraqitur veprimtarinë e organizatës që drejton, z. Todt vuri në dukje se FIA është angazhuar në një fushatë sensibilizimi për mënjanimin e aksidenteve automobilistike, nga të cilat gjatë vitit 2012 kanë humbur jetën 1.5 milion vetë dhe janë plagosur 50 milionë të tjerë. Ai vlerësoi angazhimin në këtë fushatë të ACA-s, e cila po bën një punë të mirë edhe për zhvillimin e sportit të automobilizmit në Shqipëri.
Duke i uruar mirëseardhjen mikut të nderuar, Kryeministri Berisha vuri në dukje se automobilizmi është nga sportet më të ndjekur në Shqipëri, ashtu siç është i njohur edhe emri i z. Todt si menaxher i përgjithshëm i Ferrarit, kur pati siguruar titullin e kampionit të Formula Uno në vitet 2000-2004. Ai e siguroi z. Todt se qeveria po bën përpjekjet maksimale për mënjanimin e aksidenteve, nëpërmjet një përmirësimi rrënjësor të infrastrukturës rrugore, të futjes së vëzhgimit digital në respektimin e rregullave dhe rritjes së kërkesave ndaj drejtuesve të mjeteve. Kryeministri premtoi se qeveria do ta mbështese Federatën Shqiptare, në veprimtarinë e saj.
Në takim mori pjesë edhe Z. Niko Leka, president i Klubit Shqiptar të Automobilit.
Pas takimit, Kryeministri shtroi një darkë për darkë për nder të zotit Jean Todt dhe delegacionit që e shoqëronte, e cila kaloi në një atmosfere të ngrohtë e miqësore.
08/02/2012